Autoriteti Kosovar i Konkurrencës nis hetimet ndaj Telekomit Mobil të Serbisë

Prishtinë, 5 dhjetor 2022 – Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës (AKK) njofton se ka nisur hetimin ndaj MTS DOO lidhur me shkeljet e bëra gjatë shit-blerjes së aksioneve për të fituar kontrollin mbi ndërmarrjet tjera.

Sipas AKK-së, MTS i njohur si Telekomi Mobil i Serbisë ka shtrembëruar konkurrencën në tregun e Kosovës.

“Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës ka nxjerr konkluzion për fillimin e procedurës kundër ndërmarrjes MTS DOO, Autoriteti ka analizuar kushtet e tregut të konkurrencës dhe duke vepruar sipas detyrës zyrtare, ka zhvilluar shqyrtimin paraprak të vlerësimit të përqendrimit, lidhur me dyshimin e arsyeshëm se ndërmarrja MTS DOO (Telekomi Mobil i Serbisë), e cila operon në tregun përkatës, të ofrimit të shërbimeve të internetit dhe atë kabllor në territorin e Republikës së Kosovës, ka realizuar shitblerje të aksioneve në tregun përkatës, duke fituar kontrollin mbi ndërmarrjet tjera, për të cilat përmbushet detyrimi ligjor për njoftimin e përqendrimit sipas ligjit për mbrojtjen e konkurrencës”, thuhet në reagimin e AKK-së.

AKK-ja thekson se MTS-i serb ka realizuar transaksione pa e dorëzuar njoftimin e detyrueshëm për qëllimin e përqendrimit të parapara në Ligjin për Mbrojtjen e Konkurrencës.

“Autoriteti njofton se transaksionet/blerjet nëse janë realizuar, pa e dorëzuar njoftimin e detyrueshëm për qëllimin e përqendrimit sipas Ligjit për Mbrojtjen e Konkurrencës, paraqet formë të kufizimit ose shtrembërimit të konkurrencës nga ndërmarrjet në territorin e Republikës së Kosovës ose jashtë territorit, nëse veprimet e tyre kanë efekt në tregun e Republikës së Kosovës. Kontrolli i bashkimeve synon të parandalojë shtrembërimet e konkurrencës dhe synon të parandalojë efektet antikonkurruese përpara se ato të ndodhin (Ex-Ante)”, thekson Autoriteti.

Në fund, AKK thotë fillimi i procedurës për hetim ka për qëllim sqarimin e fakteve nga shkeljet e ndodhura.

“Autoritetit njofton se, fillimi i procedurës për hetimin e çrregullimit të konkurrencës, ka për qëllim sqarimin e fakteve dhe në këtë mënyrë vërtetimin e shkeljes së pretenduar. AKRK do të marrë vendimin e saj meritor bazuar në faktet e vërtetuara të rastit dhe do të mbaj të informuar opinionin dhe qytetarët të cilët marrin shërbime nga ndërmarrja MTS DOO”.

(r.m.)