Uashington, 7 gusht 2023 – Ekipi ligjor i ish-Presidentit Donald Trump thotë se do të kundërshtojë kërkesat e prokurorëve federalë për të kufizuar atë që ata mund ta ndajnë me publikun, lidhur me padinë e fundit ndaj zotit Trump.
Duket se rasti po vjen duke u vështirësuar, ndërsa reagimet globale mbi sfidat ligjore të zotit Trump janë të ngadalta.
Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Veronica Iglesias bisedoi me analistë politikë mbi arsyet për këtë.
Ish-Presidenti Donald Trump, i cili po rikandidon për këtë pozitë, e quajti “sajesë” padinë e fundit kundër tij, gjatë një tubimi me mbështetësit në Kolumbia të Karolinës së Jugut.
Javën e kaluar ai u paraqit në gjykatë për akuzat për komplot për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 2020 që ai i humbi.
“Prokuroria do ta ketë të vështirë ta provojë këtë”, tha avokati i zotit Trump, John Lauro, në emisionin “This Week” të rrjetit ABC.
“Ata kurrë nuk do të jenë në gjendje të vërtetojnë nëse ai po vepronte në mënyrë të pandershme, nëse po kryente një krim” me vetëdije, tha ai.
Pas një postimi të zotit Trump në internet, i cili dukej si një kërcënim për hakmarrje ndaj kujtdo që shkon pas tij, prokurorët i kërkuan një gjyqtari federal, që të kufizonte informacionin që ai dhe ekipi i tij mund të ndajnë me publikun për këtë rast.
Ekipi ligjor ka afat të përgjigjet deri të hënën. Avokati John Lauro komentoi këtë çështje në CNN.
“Shtypi dhe populli amerikan në një kohë fushate kanë të drejtë të dinë se cilat janë provat në këtë rast. Meqenëse provat nuk mund të mbrohen ndryshe, ne do ta kundërshtojmë atë”, tha avokati i ish Presidentit Trump.
Ish-Nënpresidenti Mike Pence, një nga kandidatët për president në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, mund të thirret për të dëshmuar në gjykatë.
Ai shpjegoi në CNN pse refuzoi kërkesat e avokatëve të zotit Trump për të përmbysur zgjedhjet e vitit 2020.
“Asnjë nënpresident, ose dikush tjetër, nuk duhet të ketë kurrë të drejtën të përcaktojë presidentin amerikan. Presidenca i përket popullit amerikan dhe vetëm popullit amerikan”, tha ai.
Reagimet globale ndaj sfidave ligjore të zotit Trump kanë qenë të ngadatla.
Profesori i shkencave politike në Universitetin e Uashingtonit, James Long, thotë se nuk është i befasuar.
“Disa udhëheqës në disa vende të veçanta, kanë marrë mesazhin e gabuar nga sjellja e zotit Trump. Tani për tani, ata ndoshta po tregohen të zgjuar, duke qëndruar në heshtje dhe në pritje të asaj që do të ndodhë, ndërsa vazhdojnë të përpiqen të kenë marrëdhënie të mira diplomatike me Shtetet e Bashkuara”, thotë ai.
Edhe pse njerëzit jashtë Shteteve të Bashkuar mund të jenë lodhur duke dëgjuar për këtë çështje, ose mendojnë se ky nuk është një problem, që i prek ata, aktakuza e fundit ndaj zotit Trump duhet të merret seriozisht, thotë Kathryn Sikkink, eksperte e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Harvad.
“Nëse nuk keni demokraci ose demokracia është e dobët, të drejtat e njeriut rrezikohen. Unë besoj se në periudhën afatgjate, nëse kjo çështje trajtohet mirë në Shtetet e Bashkuara, vendet e tjera do t’i kushtojnë vëmendje”, thotë ajo.
Sipas saj, kjo çështje mund të shërbejë si një shembull se si Shtetet e Bashkuara janë në gjendje të kapërcejnë problemet e brendshme, përmes ligjit.
(Zëri i Amerikës)