Avokati Emmerson: Prokuroria nuk ka asnjë provë që Veseli ka kryer krime

Hagë, 4 prill 2023 – Avokati i Kadri Veselit në Gjykatën Speciale në Hagë, në deklaratën e tij të pare lidhur meaktakuzë, i ka hedhur poshtë akuzat ndaj Veselit, duke thënë se roli i tij ka qenë i qartë gjatë kohës së luftës dhe se nuk ka nxitur asnjëherë ndonjë krim.

“Askush në vitin 1998 nuk mund të parashikonte se kur NATO do të arrinte pikën dhe do të ishin të gatshme për të ndërhyrë kundër Serbisë, për të parandaluar edhe një gjenocid sikur ai në Bosnjë, e as Veseli. Sepse roli i tij ishte të lidhte me shërbimin informative që mbanin në vëzhgim situatën në Kosovë”, ka thënë ai.

“Ju e dini se periudha e konfliktit të armatosur duhet ndarë në tri faza. Serbët sulmuan në pranverë gjithë popullatën civile. E, pastaj operacioni tjetër duke hyrë shtëpi më shtëpi dhe duke vrarë njerëz. Asokohe (UÇK) nuk kishte një funksion të brendshëm të zbulimit. Periudha e dytë ishte midis vjeshtës të vitit 1998, kuR pati organizime dhe Veseli u emërua shef i zbulimit. Sapo Veseli u emërua shef i zbulimit ai u largua nga Kosova dhe u vendos jashtë vendit”, ka thënë ai.

Emmerson ka thënë se fokusi i Veselit ishte të mbante lidhje me organizata tjera.

“Ai nuk ishte i vendosur në malet e Berishës, ai ishte jashtë Kosovë për të dhënë kontribut jetik për Kosovën. Asnjë prej dëshmitarëve nuk e ka parë Veselin të bëjë diçka të papërshtatshme. Nuk kanë asnjë provë që ai të ketë dhënë ndonjë nënshkrim për ndonjë krim apo për çfarëdo tjetër”, ka thënë Emmerson

Më tutje, ai ka thënë se disa persona e kanë ekzagjeruar rolin e tyre në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për qëllime politike, ndërsa disa të tjerë janë distancuar nga zhvillimet e viteve të luftës. Sipas tij, në Kosovë ka shumë pretendime dhe thashetheme.

“25 vjet pas traumës dhe masakrave dhe trazirave të shkaktuara, Kosova vijon të jetë vend ku gëlon thashetheme, ku qarkullojnë zëra, pretendime dhe kundërpretendime… Elemente të kësaj kulture ka me shekuj, por vijojnë edhe kësaj dite”, ka thënë avokati Emmerson.

“Disa persona e kanë ekzagjeruar rolin e tyre në UÇK shpesh për qëllime të aktualitetit politik të ditës, por të tjerë janë përpjekur të distancohen nga ngjarjet, sepse e kanë ditur se disa prej veprimeve të tyre kanë qenë të dyshimta, dhe mund të dilnin një ditë para një gjykate penale”, ka shtuar ai.

Emerson ka thënë se UÇK-ja ishte formuar në pranverën e vitit 1998 dhe pjesëtarët e saj ishin të pastërvitur për luftë.

“Në një ushtri guerile që u formua në mënyrë të shpejt në pranverën e vitit 98 dhe që përbehej nga civilë shqiptarë me armatime të pakta dhe të pastërvitur, u bënë orvatje që UÇK-ja të paraqitet si një gjë më e organizuar, më e unifikuar dhe më efektive”, është shprehur avokati i Veselit.

(r.m.)