“Avokati” i Kosovës në Amerikë

 

 

Prof. Repishti tregon takimin e tij me Fan Nolin dhe një histori për rolin e babait të tij në zgjedhjen e Nolit kryeministër.

Kujtimet e kohës së luftës, sesi filloi përçarja mes të rinjve anti-fashistë dhe burgosja e tij prej komunistëve.

Prof. Repishti hedh poshtë akuzat për lidhje të Nolit me regjimin komunist dhe tregon për ulje-ngritjet në historinë e Vatrës. Ai jep vlerësime historike për organizatat të ndryshme shqiptare që ka drejtuar si dhe mendime të tjera për lirinë, demokracinë dhe atdheun e paharruar.

 

 

HYRJE

Prof. Sami Repishti u ind në Shkodër më 1925, në një familje patriotike qytetare. Gjyshi i tij ka nën- shkruar Memorandumin e 13 qershorit 1878 të Lidhjes së Prizrenit në Shkodër. Babai, ish deputet (1923- 24), ka rënë viktimë e terrorit fashist italian (1943) dhe një kushëri i është ekzekutuar nga nazistët në kampin Mathauzen (1944).

Pjesëtar i rezistencës kundër diktaturës komuniste të por- savendosur, më 1946 u arrestua dhe u dënua me 15 vjet burgim të rëndë, kryesisht për kërkesat e tij për demokraci dhe për zgjidhjen e problemit të Kosovës. Më 1959 u arratis në Jugosllavi, ku u burgos përsëri. Më 1962 emigroi në SHBA, ku jeton edhe sot bashkë me familjen.

Studimet e mesme i kreu në Shkodër dhe ato universitare në Firence (Itali) e në Paris (Francë). Është doktoruar për gjuhë e letërsi frënge në “City University of New York” (1977). Ka punuar si kryetar i departamentit të gjuhëve të huaja për shkollat e qytetit Malverne, (New York), dhe si pedagog i jashtëm pranë “Adelphi University” (New York), deri në vitin 1991, kur doli në pension.

Është autor i më shumë se 100 artikujve e studimeve me tema shqiptare dhe për të drejtat e njeriut, kryesisht për shqiptarët në ish Jugosllavi dhe për çamët, të botuara në shtypin amerikan dhe shqiptar. Si aktivist i të drejtave të njeriut ka qenë koordinator për ish-Jugosllavinë dhe Shqipërinë pranë “Amnesty International-USA”. Është i pari shqiptaro-amerikan që ka dëshmuar para Kongresit amerikan për Kosovën (prill 1965) për të vazhduar më tej me dëshmi të tjera para komisioneve të Kongresit dhe qendrave studimore amerikane.

Në vitin 1986, ai thotë se kërkoi hapjen e zyrës amerikane në Prishtinë, që u realizua vetëm pas dhjetë vjetësh më 1996 dhe atë të Kosovës në Washington, që u miratua nga presidenti Clinton, më 1993. Që nga viti 1965, ai vazhdon të jetë njëri ndër aktivistët më të njohur për kontaktet e vazhdueshme me përfaqë- suesit e Kongresit, Departamentit të Shtetit dhe Shtëpisë së Bardhë, gjithmonë në mbrojtje të interesave të mbarë popullit shqiptar, pa paragjykime ideologjike.

Prof. Repishti është bashkëthemelues i Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane dhe drejtor ekzekutiv i saj (1989- 1992); themelues dhe president i “Kosova Relief Fund, USA, Inc”. (1978-2001); bashkëthemelues i “American Friends of Albania” (1992) dhe sekretar i saj (1992-1996), bashkëthemelues i Këshillit Kombëtar Shqiptaro – Amerikan (1996) dhe president (1996-1998). Ai është gjithashtu anëtar i bordeve drejuese të disa organizatave të tjera shqiptaro- amerikane. Vazhdon të merret me studime shqiptare dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.

 

 

Pyetje: Ç’ju kujtohet nga mosha e rinisë profesor?

Përgjigje: Rinia ime ka qenë rini e revoltës, e revolu- cionit dhe e gjakut. Që nga dita e okupimit italian, më 7 prill 1939, të gjithë studentët e liceut të Shkodrës u hodhën në rezistencë, në fillim të heshtur e me droje dhe, më vonë, më hapur dhe më me guxim. Ndër aksionet e para kanë qenë demonstratat e 4, 5 dhe 6 prillit 1939, kundër Italisë fashiste. Më vonë filluam me braktisjen e mësimit të profesorëve italianë, që për- piqeshin të na indoktrinonin me ideologjinë fashiste dhe me prishjen e rregullit në çdo manifestim pro- fashist shkollor. Është diçka e çuditshme që, në atë kohë, ndonëse të rinj, mbajtëm një qëndrim mjaft të pjekur, qoftë edhe në lidhje me mësimet. Studionim italishten me këmbëngulje, sepse na duhej të lexonim shumë. Gjuha na hapte horizonte të reja se botimet shqip ishin mjaft të kufizuara. Me italishten iu vër- sulëm edhe literaturës socialiste, sepse ashtu ishte moda atëherë: autorët denonconin vuajtjet e masave popullore. Dëgjonim radiot e huaja se akoma nuk kishte një radiostacion të Tiranës dhe përhapnim lajmet që jepte BBC dhe radiostacionet e tjera europiane në italisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Gjuha e huaj u bë armë në duart tona. Leximet na përgatitën për t’u bal- lafaquar me një armik edhe më të përgatitur se ne, siç ishin italianët.

Më vonë filloi ndarja në mes shokëve të klasës. Tani, në retrospektivë, e kuptoj se dëmin më të madh e shkaktoi fanatizmi i të rinjve komunistë dhe parulla e tyre: “O me ne, o kundër nesh!”. Mbledhjet bëheshin të ndara, grupet nuk bashkëpunonin me njëri-tjetrin. Unë dhe një grup shokësh, që refuzuam të merrnin pjesë në grupet partiake, mbetëm si të izoluar. Kënaqësia jonë e madhe ka qenë se atmosfera e përgjithshme politike në Shkodër ishte thellësisht antifashiste. Situata e sotme në Kosovë më kujton shumë ditët e rinisë sime: solidariteti i gjithëmbarshëm dhe urrejtja për okupatorin bëhen dy boshte rreth të cilëve sillet jeta e përditshme dhe formohen karakteret e njerëzve, sidomos të rinisë. Këto janë mbresa që nuk shlyhen lehtë.

Pyetje: Çfarë mund të na thoni lidhur me kohën e kaluar në burg, në Shqipëri dhe në Jugosllavi?

Përgjigje: Natën e 9 shtatorit 1946, fshatarët e Postribës, në rrethin e Shkodrës, të pakënaqur nga egërsia e pushtetit komunist, sulmuan qytetin dhe hynë në rrugët kryesore. Pas luftimeve të rrepta, ku humbën jetën disa fshatarë, ata u sprapsën. Si rrjedhim, ata iu nënshtruan një persekutimi të rëndë, pushkatimeve me gjyq e pa gjyq. Ngjarja u shfrytëzua nga Sigurimi që të bëjë një spastrim të thellë. Vetëm në Shkodër u arrestuan rreth 1200 persona. Në fshatra u pushkatuan, “për të dhënë shembull”, me dhjetra fshatarë të pafajshëm. Në mes të të arrestuarve isha dhe unë me shumë shokë të rinj, studentë universitarë e të shkollës së mesme. Kam qëndruar dhjetë vjet në burg dhe në kampe të detyrueshme pune. Kushtet e jetesës në to kanë qenë çnjerëzore. Kam dalë nga burgu më 1956. Pas një qëndrimi dy vjeçar në Shkodër, nën kërcënimin e një arrestimi të dytë, jam arratisur në Jugosllavi.

Që natën e parë më çuan në një qeli të policisë në Leshkopolje, pranë Titogradit, ku më mbajtën për 11 muaj të izoluar, sepse nuk pranova të shkruaj ose të flas në radio kundër Shqipërisë, siç shpresonin ata. Megjithatë, dua të shpreh habinë time të madhe, kur mora vesh se UDB-ja jugosllave e kishte kopjen e pro- cesit tim të bërë në Shqipëri më 1946 dhe 1947, gjë që tregonte se ishte ajo që e drejtonte Sigurimin në atë kohë në shtypjen e kundërshtarëve të regjimit dhe sidomos të atyre që kërkonin të drejtën e Kosovës për vetëvendosje. Pas lirimit, kam qëndruar tetë muaj në Zagreb dhe prej aty më çuan në kampin e refugjatëve në Gerovo (Kroaci), nga ku u arratisa dhe kalova në Itali. Në prill 1962, kam emigruar në Amerikë.

Pyetje: Kur keni ardhur në SHBA, Fan Noli jetonte akoma. A e keni takuar atë? Nëse po, ç’mund të thoni për të?

Përgjigje: Me Nolin kam pasur vetëm një takim, në qershor të vitit 1962, me rastin e 50 vjetorit të “Vatra”-s. Noli mbajti një fjalim, me të cilin shfajësoi veten nga akuzat që i bëheshin për qëndrimin e tij ndaj regjimit komunist të Tiranës. Sipas Nolit, gjendja e Shqipërisë në atë kohë ishte problematike, me një fjalë, e padëshirueshme dhe që kërkonte një zgjidhje. Por ai shtoi rëndësinë e prioritetit në zgjidhjen e problemeve shqiptare. Siç la të kuptohej, prioriteti i parë i të gjithë shqiptarëve, sipas tij ishte sigurimi i pavarësisë dhe i integritetit territorial të Shqipërisë. Nga miq të ngushtë të Nolit, kam mësuar se ai ka jetuar gjithë jetën me frikën e Greqisë dhe se vetëm më 1955, kur Shqipëria u pranua anëtare e OKB-së, Noli ka arritur në përfundimin se Shqipëria u sigurua si shtet i pavarur.

Duket se pikërisht këtu, në këtë moment, ka përfun- duar edhe veprimtaria politike e Nolit. Ai ka qenë i pakënaqur me gjendjen në Shqipëri dhe këtë e kanë pohuar edhe shokët e tij më të ngushtë. Përse Noli nuk ka dalë haptazi kundër qeverisë komuniste të Tiranës, kjo është diçka e panjohur për mua. Di vetëm se në forma private është shprehur shumë rëndë kundër “xhahilëve të Tiranës”, siç i quante ai privatisht qeveritarët në Shqipëri. Në një rast, kur i ka kërkuar Hysni Kapos që të dërgohet trupi i Konicës në Tiranë dhe kaposhi i Vlorës i është përgjigjur se duhet pyetur populli, Noli, i zemëruar, i ka thënë:”E di që të gjallët i nxirrni në gjyq para popullit, po edhe të vdekurit?”

Personalisht, u paraqita tek Noli si djali i shokut të tij në Parlament dhe ai më tregoi diçka për babanë tim që nuk e dija. Kur do të formohej qeveria e Nolit, në qershor 1924, kishte dy kandidatë: Noli dhe Luigj Gurakuqi. Disa deputetë që përkrahnin Gurakuqin për kryeministër, kishin hapur fjalën se një imam, si babai im, nuk mund të pranonte një peshkop si kryeministër. Nuk e besova dhe fola me imamin, i cili më tha se fakti që unë isha peshkop nuk do të influenconte në asnjë mënyrë në votën e tij. Këtë ngjarje ma ka përsëritur dhe i ndjeri Ali Këlcyra, përkrahës i fortë i Nolit.

Senatori Bob Dole flet në telefon me presidentin Rugova nga restorantin “Bruno” në Manhattan më 1997. Prof. Repishti, majtas.

Pyetje: Po për rolin e Federatës “Vatra”, çfarë mund të na thoni? Cila ishte ajo dikur dhe cila është sot?

Përgjigje: “Vatra” e së kaluarës është një monument kombëtar, sidomos që nga krijimi më 1912 dhe deri më 1920, datë në të cilën u krijua shteti i parë shqiptar dhe shumë vatranë u kthyen në Shqipëri që të ndihmojnë në mbarëvajtjen e atdheut.

Pas 1920-ës “Vatra” u dobësua, sepse nuk kishte më misionin e mbrojtjes së vendit. Shqipëria kishte një qeveri që u njoh edhe në Lidhjen e Kombeve. Vatranët që mbetën në Amerikë e që vendosën të mos ktheheshin përsëri, u amerikanizuan. Fëmijët e tyre ndoqën shkolla amerikane dhe kjo bëri që lidhjet e tyre me Shqipërinë të dobësohen. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, “Vatra” nuk e luajti dot rolin e vet historik, siç i takonte e siç pritej nga të gjithë. Mbas luftës ra në dorë të elementëve që përkrahnin qeverinë komuniste të Tiranës. Kjo zgjati deri më 1957, kur elementi i ri politik, i ardhur në Amerikë pas Luftës filloi të influencojë në opinionin e shqiptarëve të Amerikës. Më vonë “Vatra” ra viktimë e fraksionizmit të partive politike të emigracionit.

Për një periudhë dhjetë vjeçare që Xhevat Kallajxhiu drejtoi gazetën “Dielli”, “Vatra” e mbrojti shumë mirë çështjen kosovare. Tani “Vatra” pret gjak të ri dhe kauza të reja për të mbrojtur.

Pyetje:Sipas disa shënimeve ju keni dëshmuar për Kosovën në Kongresin e Amerikës që më 1965…

Përgjigje: Po. Në prill të vitit 1965, kam dëshmuar para Kongresit Amerikan në Nënkomisionin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dhe kam vënë në dukje, në mes të tjerave, problemin serioz të popullsisë shqiptare në ish-Jugosllavi. Besoj që kam qenë i pari shqiptaro-amerikan që kam dëshmuar për Kosovën.

Fatkeqësisht, në ato vite, SHBA-të përkrahnin pa rezerva ish diktatorin Josif Broz Tito dhe kërkesat tona për sigurimin e të drejtave të shqiptarëve në Jugosllavi nuk dëgjoheshin me simpati. Por, as unë, as shokët e mi nuk jemi dekurajuar.

Në një mbrëmje të Këshillit Kombëtar Shqiptaro Amerikan me Ambasadorin William Ryerson dhe Afërdita Rakipin.

Pyetje: Cili ka qenë roli i Ligës Qytetare Shqiptaro – Amerikane (LQSHA) për zgjidhjen e çështjes së Kosovës?

Përgjigje: Para se të flasim për Ligën Qytetare Shqiptaro – Amerikane (LQSHA), duhet të vë në dukje veprimtaritë e disa individëve të dalluar të bashkësisë sonë me Kongresin dhe me Administratën federale. Krahas me ish drejtuesit e Federatës “Vatra”, imzot Fan S. Noli, Dr. Andrew Elia, Anthony Athanas e At Arthur E. Liolin, kanë punuar edhe emigrantë të tjerë, si, Luan Gashi, Dr. Taulla Bacaj e sidomos Ekrem Bardha, i cili, përmes bashkëpunimit të tij të frytshëm me kongresistin e Michigan-it, William S. Broomfield, arriti lirimin e Pjetër Ivezajt nga burgjet jugosllave më 1986, që ishte goditja e parë kundër shtetit jugosllav nga ana e Amerikës. Në fushën akademike kemi aktivitetin e studjuesve tanë si: Arshi Pipa, Nikolla Pano, Peter R. Prifti, Safete Juka, Elez Biberaj, të cilët kanë bërë shumë për njohjen e problemit kosovar në botën shkencore e intelektuale amerikane.

Në formë më të organizuar kemi organizatën “Rinia shqiptare kosovare në botën e lirë”, një organizatë e koso- varëve shumë aktive dhe shumë efektive në përhapjen e lajmeve nga tokat e robëruara shqiptare nën ish Jugosllavi dhe me protesta e memorandume në të katër anët e globit, si Maliq Arifaj, Tahir Kërnaja, vëllezërit Bitiçi e të tjerë aktivistë. Ka pasur edhe disa grupe të vogla me frymëzim komunist.

Më vonë u formua LQSHA. Misoni i saj ka qenë inter- nacionalizimi i problemit shqiptar në ish-Jugosllavi dhe shpejtimi i procesit demokratik në Shqipërinë komuniste. Roli i LQSHA-së ka qenë thelbësor qysh nga krijimi i saj në tetor 1986 e deri më 1992. Megjithëse nuk kishte për- faqësues kosovarë të njohur në qarqet ndërkombëtare dhe me një qëndrim absolutisht indiferent të qeverisë komuniste të Tiranës, LQSHA, e drejtuar nga ish kongresisti Joseph DioGuardi dhe Xhemail (Jim) Xhema, ia doli me sukses të bashkojë shumë grupe të vogla aktivistësh dhe të kanalizojë entuziazmin dhe energjinë e tyre, sidomos me punën lobiste në Washington, D.C. Në këtë kohë unë isha drejtor ekzekutiv i Lidhjes. Vitet 1988-1992 kanë qenë vitet e rritjes dhe përgatitjes sonë në lobizëm dhe në kontaktet me legjislatorët dhe personalitetet zyrtare amerikane. E përsëris se këtu roli i kongresistit DioGuardi dhe i Xh. Xhemës kanë qenë të pazëvendësueshëm.

Me zgjedhjet e marsit 1992 në Shqipëri dhe ato të majit 1992 në Kosovë dhe krijimin e dy qeverive të njohura nga populli shqiptar, unë paraqita një koncept të ri të rolit që duhet të luante tash e mbrapa LQSHA. Simbas gjykimit tim, fitorja e PD-së në Shqipëri dhe e LDK-së në Kosovë, krijuan dy qendra të reja politike të legjitimuara me votë. Prandaj edhe roli i LSHQA-së duhej parë në një këndvështrim të ri. LSHQA nuk mund të pëfaqësonte, “bona fide”, interesat e Shqipërisë dhe të Kosovës ashtu si më parë, se nuk ishte një organ i zgjedhur nga populli, pran- daj nuk kishte as të drejtë ligjore, as të drejtë morale për një përfaqësim të këtillë. LSHQA ishte vetëm një organiza- të joqeveritare që do të reflektonte kërkesat legjitime të qeverisë shqiptare dhe të Kosovës këtu në Amerikë. Me një fjalë, LSHQA do të ishte një qendër aktivistësh për të avancuar, jo përfaqësuar, interesat gjithëshqiptare në SHBA. Për fat të keq, kongresisti DioGuardi nuk e shihte problemin në këtë këndvështrim. Kështu erdhi largimi im dhe i shumë anëtarëve të tjerë të bordit drejtues.

Pyetje: Po roli i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA) për çështjen shqiptare, si ka qenë dhe si është?

Përgjigje: Roli i KKSHA-së është konceptuar si një punë e organizuar e bashkësisë shqiptaro-amerikane për rritjen e bashkëpunimit dhe lidhjeve miqësore në mes të SHBA- së dhe popullsisë shqiptare në Ballkan, duke përkrahur zhvillimet demokratike dhe tregun e lirë në vendet e banuara nga shqiptarët. Hapi i parë në këtë drejtim është rritja e prezencës shqiptare në Washington D.C.

Pas ndryshimeve demokratike në Shqipëri dhe vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes dy vendeve, për të cilën kam punuar mjaft me bindjen e plotë se një prezencë amerikane në Tiranë do të shpejtonte shumë demokratizimin e vendit, në vitin 1993 u formua shoqata “American Friends of Albania” dhe menjëherë u vendosën kontaktet me Washington-in zyrtar dhe me anëtarët e Kongresit. Ne arritëm të sigurojmë rreth 30 milionë dol- larë dhe ndihma të tjera ekonomike për Shqipërinë. Një shoqatë e këtillë ka ekzistuar edhe në vitin 1942-47, me afat 5 vjeçar dhe është drejtuar nga tre qytetarë të dalluar amerikanë: Charles C. Hart, Rosalind Walling Tirana dhe Ross C. Surrey, të tre me banim në Washington D.C. Ajo shoqatë ka pasur lidhje me qarqet më të larta zyrtare amerikane gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe ka mbrojtur pavarësinë dhe integritetin tokësor të Shqipërisë, në një kohë kur Shqipëria nuk kishte një qeveri të saj. Vendi ynë ishte okupuar nga italianët dhe gjermanët dhe Mbreti Zog në mërgim nuk shihej me simpati nga aleatët anglo- amerikanë.

Në zhvillimet e padëshirueshme në Shqipëri, në maj 1996 dhe ndryshimin e klimës së favorshme për Shqipërinë në Washington D.C., u bë e domosdoshme të organizohemi më mirë dhe të bëhemi më efektivë. Si rezultat, në qershor të vitit 1996 u formalizua krijimi i Këshillit Kombëtar Shqiptaro – Amerikan. Çertifikata e regjistrimit përmban emrat: Anthony Athanas, Ekrem Bardha, Gary Kokalari, Sami Repishti dhe Bruno Selimaj; këshilltar legal, avokati Bardhyl Tirana, djali i Refat Tiranës. Kryetari i parë kam qenë unë, qershor 1996-dhje- tor 1998. Koha vërtetoi se analiza jonë e gjendjes politike në Shqipëri, në vitin 1996, ishte plotësisht korrekte dhe rezultatet e punës sonë tani po jepnin fryte shumë të dobishme për të gjithë shqiptarët në Ballkan. Perspektivat e KKSHA-se mbeten të ndritshme dhe mundësia e projekteve afatgjatë, plotësisht reale.

Pyetje: Si e vlerësoni rolin e diasporës shqiptare në ndihmë të atdheut?

Përgjigje: Diaspora shqiptare në SHBA ka ndjekur shembullin e diasporave të tjera të mëhershme. E para: fil- limin e një jete të re në një vend të lirë dhe formimin e tyre si qytetarë të lirë e të ndershëm të SHBA-së. E dyta: ruajtja e identitetit kulturor të vendlindjes: atdhedashuri, ruajtja e traditave, e gjuhës dhe e kulturës sonë shqiptare. Përmbi këtë qëndron edhe dëshira që të ndihmohet individualisht dhe kolektivisht atdheu, mundësisht të sigurohet ndihma politike, ekonomike dhe shoqërore e SHBA-së për të gjithë shqiptarët në Ballkan. Në këtë mision, diaspora shqiptare ka dalë me sukses dhe paraqitet me dinjitet para historisë së kombit shqiptar.

Tri epokat më të rëndësishme të diasporës shqiptare janë: e para, përpjekja për pavarësinë dhe ruajtjen e tokave shqiptare (1912-1920) dhe Woodrow Wilson që arriti të pengonte planin e copëtimit të mëtejmë të Shqipërisë në Konferencën e Paqes. E dyta, përpjekja për rifitimin e pavarësisë së Shqipërisë, të humbur me pushtimet italiane e gjermane, deri më 1945. E treta, përpjekja e viteve të fundit për demokraci në Shqipëri, Kosovën e lirë dhe të pavarur dhe të drejtat e shqiptarëve në Maqedoni, Mal të Zi, Kosovë Lindore dhe në Çamëri, sidomos që nga viti 1990 e këtej. Në tërë këtë shqiptarët e diasporës amerikane kanë shkëlqyer për një patriotizëm të lartë dhe për një frymë demokratike. Çdo shqiptar i bashkësisë sonë i është mirënjohës SHBA-ve për mirëpritjen dhe kushtet e begatshme që gëzon këtu, pa asnjë pengesë.

Me shkrimtarin Ismail Kadare.

Pyetje: Në vitin 2001 vizituat për herë të parë Kosovën. Me çfarë përshtypjesh u kthyet në Amerikë?

Përgjigje: Përshtypja ime nga vizita në Kosovë nuk përshkruhet me fjalë. Unë e kam shprehur gëzimin tim me lot. Më vonë kam rreshtuar këto përshtypje në librin “Kosovë-2000” (Prishtinë, 2001) bashkë me Harry Bajraktarin.

Kosova është sot një eksperiment në ndërtimin e një shteti të ri, demokratik dhe europian dhe të një shoqërie të re demokratike shqiptare. Unë e pashë këtë vendosmëri në sytë dhe në fytyrat e vëllezërve dhe motrave kosovare dhe e dëgjova në zërin dhe në fjalën e tyre, e ndjeva në shtërngimin e dorës dhe përqafimin e tyre. Kudo që shkova, çdonjëri që takova, për mua ishte një eksperiencë e re, një burim frymëzimi, një provë më shumë se Kosova ka fituar.

Dua ta mbyll këtë intervistë me një urim: Premtoftë Zoti që fryma e lirisë së vërtetë të përfshijë të gjitha viset ku banojnë shqiptarët dhe jeta e lirë të bëhet kondita e përhershme e tyre.

Ideali im është liria. Një Shqipëri e dënuar për të jetuar pa liri, nuk është më atdheu im dhe as i shqiptarëve që dënohen nga tiranët e mallkuar. Besoj se mjaft gjak është derdhur për të siguruar atë që kemi. Energjitë tona duhet të përqëndrohen në përmirësimin e jetës së shqiptarit që e meriton, sepse është punëtor, i ndershëm dhe luftëtar. Pse të mos bëjë dhe shqiptari, kudo qoftë ai, një jetë pa brenga dhe pa frikë? Kjo është një kauzë që meriton gjithë vëmendjen dhe përkushtimin tonë dhe uroj që edhe të tjerët ta shikojnë këtë problem në këtë prizëm.

Comment

*