Avokati i Radoiçiqit e mbron kosovarin e arrestuar në Serbi për “krime lufte”

Beograd, 26 maj 2024 – Goran Petronijeviq, avokati i Milan Radoiçiqit, të dyshuarit kryesor për udhëheqje të grupit terrorist që sulmoi policinë në Banjskë më 24 shtator 2023, po e mbron shtetasin kosovar e britanik Sadik Duraku, i cili është arrestuar në Serbi.

Sadik Duraku është arrestuar më 17 prill, kur Serbia i bllokoi kufijtë për shtetasit e Kosovës, në shenjë hakmarrjeje që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e miratoi rekomandimin për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

Prej atëherë Duraku mbahet në paraburgim si i dyshuar për kryerjen e krimeve të luftës në Kosovë. Familja e Durakut ka thënë se ai nuk ka qenë fare pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe se gjatë luftës ai ka qenë në Angli.

Avokati Petronijeviq u bë i njohur për publikun në Kosovë pas sulmit terrorist të grupit të armatosur serb në Banjskë, më 24 shtator të vitit të kaluar. Më 29 shtator, ai e lexoi letrën e Millan Radoiçiqit,  përmes sëcilës ai pranoi se ishte udhëheqës i grupit të armatosur serb që e ka kryer sulmin në Banjskë, me motivacion se do t’i trimëronin serbët në Kosovë “të rezistonin ndaj terrorit të regjimit të Kurtit”.

Por, avokati Petronijeviq kishte lidhje edhe me disa raste të tjera që lidhen me Kosovën. Ai ishte gjyqtar në kohën e gjyqeve politike të regjimit të Sllobodan Milosheviqit gjatë kohës së luftës në Kosovë, kur ihin dënuar qindra shqiptarë.

Si avokat ai i ka mbrojtur disa pjesëtarë të grupit paramilitar famëkeq “Tigrat e Arkanit”, Ai ka qenë edhe avokat mbrojtës i kriminelit të luftës Radovan Karaxhiq, i cili është dënuar për burgim të përjetshëm nga Tribunali i Hagës për ish-Jugosllavinë.

Petronijeviq është angazhuar për mbrojtjen e Sadik Durakut nga familja e tij. Qëndresa Duraku, mbesa e Sadikut, ka thënë se nuk ka qenë në dijeni për historinë Petronijeviqit, por ka thënë se nuk do ta ndërrojnë atë.

“Në fillim nuk kemi qenë në dijeni për këtë aspak, pastaj kemi marrë informata, por fillimisht arsyeja e ndërrimit të avokatit të shtetit me këtë që është aktualisht ka qenë pasi që nuk i kemi besuar zgjedhjes së shtetit serb. Z, Petronijeviq e kemi angazhuar me synimin që të gjejmë avokat që mund ta nxjerrë (Sadikun) nga paraburgimi”, ka thënë ajo për KOHËN.

Ajo ka thënë se Petronijeviq i ka dhënë familjes shpresë se çështja e Sadikut do të përfundojë në të mire të tij.

“Ai ka dhënë fjalë pozitive në të mirë të Sadikut, prandaj e kemi lënë ta bëjë punën e tij”, ka thënë Duraku.

(r.m.)