Avokati: Millenkoviq akuzohet për sulmin ndaj zyrave të KQZ-së dhe ndaj KFOR-it

Prishtinë, 13 qershor 2023 – Avokati i serbit të arrestuar në Mitrovicë të Veriut, Millun Millenkoviq, Nebojsha Vllajiq, konfirmoi se klientit të tij i është caktuar masa e sigurisë së ndalimit prej 48 orësh dhe gjatë kësaj periudhe ai duhet të dalë para një gjykatësi.

Vllajiq i tha Radios Evropa e Lirë se Millenkoviq po akuzohet për sulmin e ndaj zyrave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut të kryer në dhjetor të vitit të kaluar dhe për sulmin ndaj pjesëtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, në Zveçan, më 29 maj.

Sipas avokatit, ndaj Millenkoviqit rëndojnë tri vepra penale: terrorizëm, ndryshimi i rendit kushtetues përmes dhunës dhe rrezikim të personit nën mbrojtje ndërkombëtare.

Millenkoviq u arrestua më 13 qershor në një floktari në Mitrovicë të Veriut nga njësitë speciale të Policisë së Kosovës. Arrestimi i tij u dënua nga zyrtarët në Beograd dhe nxiti qytetarët serbë që të mblidheshin në Mitrovicë të Veriut, por pas disa orësh, pa asnjë incident të raportuar, qytetarët e mbledhur u shpërndan.

Sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Millenkoviq ishte një prej organizatorëve të sulmeve ndaj pjesëtarëve të KFOR-it në Zveçan më 29 maj.

“Policia e Kosovës sot ka arrestuar Millun Millenkoviq- Llune, një nga udhëheqësit e formacionit kriminal ‘Mbrojtja Civile’ dhe prijësin e bandave kriminale që ndër vite kanë terrorizuar qytetarët tanë, kanë sulmuar pjesëtarët e Policisë së Kosovës dhe institucionet e Republikës së Kosovës”, shkroi Sveçla në Facebook.

Rasti tjetër për të cilin dyshohet Millenkoviq ka ndodhur më 6 dhjetor 2022. Atëbotë, në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut ishin hedhur dy mjete shpërthyese, por vetëm njëra prej tyre shpërtheu.

Zyrtarët zgjedhorë po organizonin mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, pas tërheqjes së kryetarëve komunalë në katër komunat në veri – që të gjithë nga partia më e madhe në Kosovë e serbëve, Lista Serbe – si shenjë pakënaqësie me një vendim të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS- Republika e Kosovës.

Por, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe, votimet u shtyn për 23 prill të vitit 2023 .

Për shkak të sulmit ndaj zyrave të KQZ-së, ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, u arrestua më 9 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës – që lidh Kosovën dhe Serbinë – arrestimi i të cilit rriti tensionet në veri të Kosovës, me serbët lokalë që ngritën barrikada.

Barrikadat u hoqën më 29 dhjetor, pas ndryshimit të masës së sigurisë së Pantiqit nga paraburgim në arrest shtëpiak.

Arrestimi i Millenkoviqit vjen në kohën kur në veri të Kosovës tensionet janë të rritura. Më 26 prill, serbët lokalë kundërshtuan hyrjen në ndërtesat komunale të kryetarëve të rinj shqiptarë, të cilët hynë në ndërtesa me asistimin e Policisë së Kosovës.

Tensionet kulmuan më 29 maj, kur në Zveçan grupe të maskuara të serbëve lënduan 30 ushtarë të KFOR-it, tre prej tyre me armë zjarri.

(REL)