Avokati Sokol Mëngjesi del nga koma, dy javë pas sulmit barbar

Athinë, 13 qershor 2024 – Avokati Sokol Mëngjesi ka dalë nga koma, pas më shumë se 2 javësh, raporton Euronews Albania.

Burime nga spitali në Athinë kanë bërë të ditur se avokati Mëngjesi ka reaguar mirë dhe mjekët janë optimistë për përmirësimin e shëndetit të tij.

Avokati Mëngjesi vijon të trajtohet në njërin nga spitalet e Athinës prej 3 qershorit.

Avokati ndodhej në koma prej 29 majit, kur u sulmua barbarisht me leva të hekurit nga 3 persona në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Ai kishte pësuar fraktura në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit.

Autorët e sulmit janë ende në arrati. Policia e Shqipërisë po bashkëpunon me Policinë e Kosovës dhe me Policinë e Malit të Zi për të bërë të mundur gjetjen dhe arrestimin e tyre, pasi dyshohet se ata mund të jenë arratisur në ndonjërin prej këtyre vendeve.

Sipas hetimeve të deritashme, avokati Mëngjesi është rrahur nga anëtarë të një familjeje të cilën e kishte mbrojtur në një proces gjyqësor të fituar në gjykatë. Sipas raportimeve të medies, ai dhe familja që er kishte përfaqësuar kishin mosmarrëveshje rreth kompensimit të avokatit.

(r.m.)