Avokati Stojkoviq: Vuçiqi përdor Kosovën për të zhvendosur vëmendjen nga protestat në Beograd

Beograd, 17 qershor 2023 – Avokati beogradas Çedomir Stojkoviq, kidnapimin e tre policëve kosovarë nga forcat serbe të sigurisë, e ka cilësuar si rast tipit politik edhe në kuptimin bazave ligjore, sepse Serbia e Kosova, kanë nënshkruar marrëveshjen e Brukselit dhe në bazë të saj, Serbia ka njohur Policinë e Kosovës si subjekt ligjor.

Tre pjesëtarëve të policisë së Kosovës, Gjykata në Kralevë të Serbisë ua ka caktuar masën e paraburgimit në afat prej 30 ditësh, nën akuzën për veprat penale të posedimit e trafikimit të paligjshëm të armëve dhe lëndëve shpërthyese.

“Me këtë, të gjitha armët e Policisë së Kosovës janë të ligjshme dhe me këtë Serbia ka detyrim të ketë vullnetin e mirë ndaj Policëve të Kosovës që të mos arrestohen, por vetëm të paralajmërohen nëse janë duke kaluar në territorin e Serbisë”, tha avokati Stojkoviq në RTK.

Ai tha se, në këtë rast, detyrim i Serbisë është vetëm të bëjë vërejtje ose të paralajmërojë.

“Pra të paralajmërohen se janë duke e kaluar kufirin dhe të kthehen prapa”, tha avokati nga Beogradi.

Ai më tej sqaroi e nëse analizohet deklarata e presidentit të Serbisë, në dy ditët e fundit, mund të shihet se ky është vetëm një rast tipik politik, sepse Aleksandar Vuçiq ka thënë gënjeshtra në të gjitha mediat.

“Ai ka thënë se policët e Kosovës kanë qenë me pajisje të plota luftarake e kjo është gënjeshtër dhe po ashtu ai ka thënë se ka dyshime se këta zyrtarë policorë kanë hyrë në territorin e Serbisë për të vrarë dikë e për të bërë një lloj ekzekutimi. E kjo është gjuhë e urrejtjes”, u shpreh avokati Stojkoviq.

Ai më tej tha se ky paraburgim është përdorur nga presidenti i Serbisë, thjesht për të shprehur një gjuhë të urrejtjes dhe të mbajë fjalim politik.

I pyetur se nëse në bazë të nenit 110 të Kodit Penal të Serbisë, presidenti i Serbisë mund t’i lirojë policët e Kosovës menjëherë, por nëse këtë rast ai është duke përdorur që të fitojë poena politikë brenda opinionit në Serbi apo faktorit ndërkombëtar, avokati nga Beogradi tha se duhet të jetë e qartë se Aleksandar Vuçiq është bërë politikan në vitet e 90-ta dhe ka përdorur gjuhën e urrejtjes si armë politike.

“Pa marrë parasysh se çfarë pasojash mund të krijojë kjo gjuhë, kjo është mënyra se si Aleksandar Vuçiq sundon në politikë”, tha avokati Stojkoviq.

Ai më tej u shpreh se Vuçiq ka dashur që të përdorë këtë situatë në dy mënyra. E para të zhvendosë vëmendjen në Beograd nga protestat e mëdha që po mbahen në Beograd, tek Kosova.

“E të thotë se ne serbët jemi të rrezikuar nga shqiptarët e Kosovës, e që nuk është e vërtetë”, tha ai.

Ndërkohë që mënyra e dytë, avokati tha se këtë rast do të përdorë sigurisht në betejën e tij politike ndaj Kosovës dhe për t’i treguar bashkësisë ndërkombëtare se sa të këqij janë Policia e Kosovës.

“Unë e shoh këtë edhe si shkelje të marrëveshjes së Brukselit, sepse Serbia e ka njohur Kosovën si entitet ligjor dhe e shoh gjithashtu dhe si shkelje të marrëveshjes së Kumanovës, sepse në zonën e mbrojtjes, 5 km nga ana e Serbisë, vetëm policia lokale mund të qëndrojë, por siç e pamë kjo nuk është ashtu”, tha avokati.

Ai tha se këtë arrestim e kanë kryer Njësitet anti-terror.

“Njësitet anti-terror thjesht nuk janë polici lokale”, tha ai.

(RTK)