Prishtinë, 24 dhjetor 2024 – Avokati i Popullit i Kosovës, Naim Qelaj, ka thënë se ky institucion i ka marrë me shqetësim dyshimet për shkelje të procedurave në rastin gjyqësor ndaj ish-udhëheqësve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë.
Në konferencën e fundvitit, Qelaj tha se është i shqetësuar sa i takon pretendimeve të ekipeve mbrojtëse të ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimi.
Muajve të fundit ekipet mbrojtëse kanë ngritur dyshime për animin që sipas tyre paneli i gjykatësve po tregon në gjykimin ndaj krerëve të UÇK-së.
Qelaj tha se ka komunikuar me Avokatin e Popullit që vepron në kuadër të Dhomave të Specializuara për këto shqetësime porse ai, sipas tij, nuk ka shprehur interesim për bashkëpunim.
“Kam parë që nuk ka shprehur interesim për një bashkëpunim edhe për më tepër nuk ka ofruar as informata të cilat mund të jenë publike. Ai është thirrur gjithmonë në konfidencialitet…Ka një mbyllje të plotë të atij institucioni në raport me mua si Avokat i Popullit dhe besoj edhe me publikun”, deklaroi Qelaj.
Në muajin nëntor, ekipet mbrojtëse dorëzuan në Dhomat e Specializuara shkresa zyrtare në emër të klientëve të tyre duke shprehur shqetësimet për gjykim të padrejtë dhe me shkelje të parimeve ndërkombëtare të drejtësisë.
Në kuadër të Dhomave të Specializuara vepron një Avokati i Popullit.
“Roli i tij është monitorimi, mbrojtja dhe garantimi i të drejtave dhe lirive themelore të personave që ndërveprojnë me Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”, thuhet në uebfaqen e këtij institucioni.
Ish-krerët e UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi po gjykohen për dyshimet për krime lufte dhe krime kundër njërëzimit.
Ata akuzohen për krime të luftës: arrestim dhe ndalim i paligjshëm, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Ndërkaq, krimet kundër njerëzimit që ata akuzohen se kanë kryer janë: përndjekje, burgosje, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Krimet dyshohet se janë kryer nga marsi i vitit 1998 deri në shtator 1999, në disa lokacione të Kosovës, por edhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Të gjithë janë deklaruar si të pafajshëm.
Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ngriti aktakuzë të re kundër Thaçit dhe të tjerëve në fillim të dhjetorit, dhe i akuzon ata për “përpjekje të paligjshme për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve në gjykimin e krimeve të luftës Thaçi dhe të tjerët”.
Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe është pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës, por vepron me personel ndërkombëtar dhe ka selinë në Hagë.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar hetojnë krimet e pretenduara të pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë që nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.