Uashington, 15 qershor 2022 – Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, Shpëtim Axhami, ndodhet në Uashington me rastin e hapjes së Muzeut kushtuar Viktimave të Komunizmit. Krahas vlerësimit për hapjen e një muzeu të tillë, zoti Axhami shpreh keqardhje që në këtë muze nuk pasqyrohen krimet e diktaturës komuniste në Shqipëri për gati gjysmë shekulli. Ai akuzoi partitë e mëdha politike në Shqipëri se për 30 vite pas rënies së komunizmit vazhdojnë të qeveresin vendin me mendësi komuniste, pasojat e së cilës, si u shpreh ai, do të jenë afatgjata.
Zoti Axhami tha se ndihet i lumtur teksa sheh në Uashington një muze që nderon mbi 100 milionë viktimat e komunizmit në botë dhe edukon brezat e rinj rreth mizorive të kryera nga regjimet komuniste.
“Nëse ne do të harrojmë krimet e komunizmit, nëse ne nuk do të dimë t’i kujtojmë këto krime, të pasqyrojmë kulturën e kujtesës dhe të edukojmë brezin e ri, është fare e thjeshtë, që nga brezi i ri këto ide komuniste mund edhe të përkrahen në një moment të dytë, gjë që nuk duhet të ndodhë kurrë dhe besoj se nuk ka për të ndodhur”, tha zoti Axhami në një intervistë për Zërin e Amerikës .
Megjithatë, zoti Axhami tha se ndjen keqardhje që në këtë muze, i pari i këtij lloji në botë, nuk pasqyrohen krimet e komunizmit në Shqipëri.
Për gati gjysmë shekulli të regjimit komunist, Shqipëria u përball me një nga diktatura më të ashpra ku mijëra vetë u ekzekutuan dhe dhjetëra mijëra të tjertë u burgosën e internmuan.
“Një muze i tille do të duhej ngritur gjatë këtyre 30 viteve në Shqipëri. Dhe kjo nuk ka ndodhur. Përveç kësaj ne nuk ndjehemi mirë kur shikojmë këtu se qeveria shqiptare nuk mori pjesë me kontributin e saj në këtë projekt ashtu siq kanë marrë pjesë shumë shtete të tjera të Evropës Lindore. Nuk figuron asnjë kënd ku pasqyrohet egërsia komuniste mbi popullin shqiptar. Do të ishte mirë që këtu të ishte një kënd për krimet e shkaktuara nga regjimi komunist në Shqipëri, që ishin krimet më të egra që kanë ndodhur në gjithë Evropën juglindore”, thotë ai.
Partia Lëvizja e Legalitetit, e drejtuar nga zoti Axhami, është një parti e vogël e përbërë kryesisht nga ish të përndjekur politikë dhe familjarë të tyre.
Megjithatë, ai thotë se sot, zëri i kësaj kategorie nuk ka peshë në vendimmarrjen e Shqipërisë. Kjo, siç shton ai, është pasojë e faktit se edhe 30 vite pas rënies së komunizmit vendi ende nuk ka arritur të shkëputet nga mendësia komuniste dhe ka dështuar të ndëshkojë krimet e diktaturës shqiptare.
“Nuk mund të themi se pluralizmi ka ardhur ose se janë vendosur standardet e demokracisë ashtu siq duhet. Që tek vota e lirë, që tek fjala e lirë, që tek kthimi i pronës, që tek dekomunizimi shoqërisë, që tek ajo për të cilën po flasim në këtë mjedis ku jemi, mosngritja e kulturës historike për të denuar, për të hetuar dhe për të njohur krimet e komunizmit”, shton ai.
Zoti Axhami thotë se trajtimi që shteti shqiptar u bëri viktimave të komunizmit, bëri që shumë figura të njohura të detyrohen të largohen nga vendi. Kjo qasje, që sipas nuk tij nuk ishte e paqëllimshme, futi vendin në një krizë të thellë, pasojat e së cilës do të jenë afatgjata thotë ai.
(Burim Goxhuli, Zëri i Amerikës)