Azem Hajdari – figura më e pazakontë e politikës shqiptare

Nga Ruben Avxhiu

25 vjet më parë, në 12 shtator 1998, në mes të Tiranës, në krah të selisë qendrore të Partisë Demokratike u vra në një attentat deputeti Azem Hajdari, Vrasja e tij tronditi shoqërinë shqiptare si rrallë ndonjëherë në historinë e saj moderne.

Ende e traumatizuar nga ngjarjet e vitit 1997, Shqipëria u rikthye brenda një nate në një krizë të plotë politike që përpak sa nuk shkaktoi një grusht shteti e që i kujtoi opinionit të brendshëm e të jashtëm sesa e brishtë mbetej situata në këtë vend.

Hajdari ishte një figurë unike në politikën shqiptare. E ndërtuar natyrshëm në mënyrë të tillë për të pasur vetëm dy figura qendrore (Alia dhe Berisha, Berisha dhe Nano, Berisha dhe Rama), politika shqiptare i kishte bërë vend në mënyrë të habitshme një faktori të tretë. Azem Hajdari ishte një figurë po aq polarizuese sa Berisha dhe Nano, i aftë për të mbledhur adhurim e urrejtje po ashtu si dy udhëheqësit e tjerë, por nga ana tjetër edhe i aftë për të krijuar aleanca në të dy krahët e politikës e për t’i bezdisur nëse ishte nevoja njësoj të dy këto krahë.

Hajdari njëkohësisht ishte një kundërshtar frikësues dhe një aleat i pakontrollueshëm. Për politikanët standardë shqiptarë ishte e vështirë të zgjidhnin mes të dyjave.

Azemi kishte gjithashtu një moral të vetin që shpesh binte ndesh me llogjikën e politikës shqiptare, Për shembull, ai u përplas në mënyrë fatale me Sali Berishën, kur ky i fundit ishte në kulm të pushtetit, në vitet 1993-1994, por u bë aleati i tij më i vendosur kur kryetari i demokratëve kalonte ditët e tij më të vështira në vitet 1997- 1998.

Vetëm ai mund të krahasohej me Sali Berishën nëse e mat me kutin e urrejtjes së socialistëve dhe ish- komunistëve kundër udhëheqësve të Partisë Demokratike dhe të lëvizjes për demokraci, mirëpo nga ana tjetër, ai ishte i vetmi mes udhëheqësve demokratë që nuk druhej të kalonte “ylberin” për të mbrojtur të majtët nga ato që dukeshin si padrejtësi.

Në një moment të caktuar, në gjysmen e pare të viteve 1990 u bë drejtues i gazetës “Koha Jonë” për ta mbrojtur atë nga censura shtetërore e militantëve demokratë në pushtet. Duke pasur parasysh se kjo gazetë e kishte fyer personalisht sa e sa herë e kishte shpifur kundër tij sa kishte mundur, sjellja e Azemit ishte padyshim aspak e zakontë për natyrën e gjërave jo vetëm në politikën shqiptare por edhe në etikën e shoqërisë shqiptare në tërësi.

Ishin veprime të tilla që theksonin natyrën e paparashikueshme të pozicioneve të tij politike, gjë që bezdiste ata që përgatisnin strategjitë politike në të dy krahët.

Vrasja e tij mbeti një mister, ndonëse të paktën dy, në mos tre, vetë që morën pjesë në ekzekutimin e tij janë dënuar nga drejtësia shqiptare. Gjallon në përgjithësi ideja se shumë më tepër gjëra kanë mbetur të pasqaruara nga ajo vrasje dhe se ndoshta nuk do të qartëso- hen kurrë.

Natyra e tij si politikan ishte e tillë që dyshimi për vrasjen e tij nuk ka lënë asnjë të paprekur. Vetëm një figurë si Azemi mund të bënte që si opozita ashtu edhe pozita të akuzonin njëra-tjetrën për vrasjen.

Ashtu si vrasja e Aldo Moros në Itali, apo e John F Kennedy-t në SHBA, vrasja e Azem Hajdarit do të mbetet e rrethuar nga një vello misteri sado që të dalin fakte e shpjegime, skenare e vërtetime.

Duket nganjëherë se vetë shoqëria ka nevojë për këtë vello misteri, sikur të gjithë kanë nevojë që të mos ketë thjesht një vrasës apo thjesht një motiv pas vrasjeje të kësaj përmase.
Kjo vjen ndoshta nga nevoja e shoqërisë për të mos ia lënë Azemin plotësisht asnjërës palë, për ta mbajtur ashtu të paparashikueshëm në vdekje ashtu siç ishte edhe në të gjallë, ushtar i askujt përveçse i moralit të vet.
Është e habitshme sesi akuzat e balta që i është hedhur nga e djathta mund t’i kapërcejë ato çfarë i janë lëshuar nga e majta.
Për çudi, ishte në natyrën e tij që imazhi t’i absorbonte të keqen që i vishej për ta kthyer në dritë pozitive, një lloj nga ata të legjendave të Perëndimit të Egër, ku një “djalë i keq” është në fakt, heroi që në fund shpëton të gjithë “të mirët”.

RRËZIMI I DIKTATURËS

Ishte e lehtë ta godisje Azem Hajdarin për një arsye fare të thjeshtë. Azemi ishte njeri i ndërlikuar qysh përpara se të futej në politikë. Ai ishte një student dhjetë vjet më i vjetër se të tjerët, baba i dy fëmijëve, i përballur me ligjin e moralin komunist për arsye njerëzore e banale, rebel nga natyra, por edhe i aftë për ta rikthyer jetën drejt normales edhe aty në rininë e vonë, kur për të tjerët si ai gjithshka do të kishte mbaruar.

Azemi, si të gjithë njerëzit inteligjentë, nuk u druhej kompromiseve kur ato nuk cënonin synimet e tij bazë. Më vonë, disa herë shoqëria e politika u përpoq ta thyente duke ia tundur kompromiset e të kaluarës në fytyrë, mirëpo pa më të voglën pasojë në qendrimet dhe sjelljen e tij.

Fati e donte që ai të ishte aty në ato ditë të paharruara të dhejtorit 1990. Si student pjesëmarrës i asaj lëvizjeje, kam parë me sytë e mi rolin e jashtëzakonshëm elektrizues të atij njeriu, i cili me fjalë të thjeshta e të drejtpërdrejta mobilizonte të rinjtë në mnyrë të tillë që profesorë e kolegë të tij më të rafinuar nuk do të mundin kurrë.

Kritikët e armiqtë e tij, kanë thënë e nënkuptuar shumë herë se ai ka qenë i infiltruar nga Sigurimi mes studentëve. Kjo akuzë është shumë zbavitëse sepse edhe sikur të kishte qenë e vërtetë, drejtuesit e Sigurimit do të kenë ngrënë veten me dhëmbë kur kanë parë se ajo që ishte vetëm një dritë qiriri përpara shkrepëses së Azemit u kthye në një lloji zjarri përcëllues që nuk kishte të ndalur e që rrëzoi në pak ditë pikërisht strukturën ligjore që mbante në këmbë vetë Sigurimin.

Që demokracia duhej të vinte e dinim të gjithë. Që ishte normale që të vdisnim për ta arritur e tha përherë të parë Azem Hajdari, kur nga mikrofoni premtoi se nuk do të ngurronte t’i linte dy fëmijët e tij jetimë nëse do të ishte nevoja. Aktet e mëdha historike vijnë vetëm me një moment të tillë çmendurie e atë natë dhjetori në kodrën sipër kryeqytetit të Shqipërisë, ne u bëmë të gjithë nga pak të çmendur.

Gati është harruar sot, që Azem Hajdari ka qenë kryetari i parë i Partisë Demokratike. Roli i tij në ngritjen e partisë së parë opozitare shqiptare kanë qenë themelor, jo thjesht për ato ditë kryengritëse në Qytetin Studenti, ku ishte mes mijëra të rinjve që mendonim si ai, por në javët e jashtëzakonshme që pasuan, kur ai e të tjerë, brodhën qytet më qytet të Shqipërisë, për të ngritur degët e para të Partisë Demokratike e për t’u dhënë besim njerëzve që si ai, të vinin në rrezik jetën dhe të ardhmen e tyre dhe të familjeve të tyre, për një Shqipëri ndryshe.

OPOZITAR EDHE NË PUSHTET

I paimpresionuar nga marrja e pushtetit nga PD, ai përjeton përballjen e parë me partinë e tij, duke akuzuar rëndë qeverinë e pare demokrate për shpërdorim të shërbimit sekret kombëtar për interesa partiake, e duke vënë në dukje se kjo ishte pikërisht e kundërta e asaj për të cilën PD ishte krijuar e kishte kërkuar pushtetin, që praktikat e ish-komunistëve të mos përdoreshin më kurrë.

Ishte sinjali i pare se ndonëse kishte themeluar PD-në e kishte luajtur rol vendimtar në ardhjen e saj në pushtet, tani do të bëhej një lloj kryeopozitari brenda partisë, që do të përplasej me pushtetin më fort se vetë opozita zyrtare.

Ai u bë drejtori i gazetës “Koha Jonë” për ta mbrojtur atë nga mbyllja, kur qeveria demokratike po bënte çmos që ta nxirrte nga biznesi. Ai u fut në grevën e urisë së ish-të burgosurve politikë kur ata protestuan se PD në pushtet nuk po ua zgjidhte problemet e tyre siç kishte premtuar – një grevë e cila u mbyll me dhunë policore.

Më vonë do të frymëzonte një kryengritje në radhët e Sindikatave të Pavarura, duke kritikuar varësinë e tyre nga qeveria dhe pasurimin e udhëheqësve të saj, ndërsa klasa punëtore shqiptare kalonte një krizë të paparë në trazicionin mes dy sistemeve.

Pas kësaj, me vendim unanim, Azem Hajdari u përjashtua nga të gjitha forumet e partisë që kishte themeluar e udhëhequr vetë. Asnjë figurë e Partisë Demokratike, asnjë e vetme, as edhe këta që u vunë në radhë me tufa lulesh sot, apo me pastime në facebook, nuk u ngrit ta mbronte, apo thjesht të abstenonte. Media e afërt me Partinë Demokratike filloi kundër tij një përbaltje imazhi që edhe sot mbetet e paprecedentë në historinë e pluralizmit shqiptar.

Kjo ishte në fund të fundit, në natyrën e politikës shqiptare. Ajo çfarë ishte e pazakontë ishte sjellja e Hajdarit që megjithë fyerjet e peripecitë, megjithë ndalimin për të hyrë në selinë e PD-së e për të marrë pjesë në mbledhjet e saj, ai asnjëherë nuk doli nga radhët e saj, e mbeti një anëtar besnik. Një lloj konfirmimi mbase se rebelimi i tij bëhej me besimin se po i ndihmonte partisë.

Akoma më interesant është rikthimi i tij në radhët e Partisë Demokratike pikërisht atëhere kur ajo ra nga pushteti e kur degët e saj në disa rrethe të vendit nuk funksiononin dot më, ashtu si dikur në vitet 1990-1991.

Pas krizës së vitit 1997, që rrëzoi shtetin dhe përpak çoi vendin në luftë civile, shqiptarët filluan të jetonin në një tjetër vit zero, pa u mbushur dekada prej rënies së diktaturës. Njeriu që kishte urdhëruar përjashtimin e tij, Sali Berisha, tashmë me aleatë të rralluar, dukej sikur nuk do të kthehej më kurrë në pushtet. Mirëpo, rikthimi i tij historik që u kurorëzua në vitin 2005, nuk mund të ndizej pa kthimin e “djalit plangprishës”, këtij heroi të ditëve të vështira. Pikërisht atëhere, kur shumë prej demokratëve që kishin votuar që ta përjashtonin kishin ikur apo ishin fshehur, Azemi filloi t’u jepte zemër me zërin e tij të fuqishëm mitingjeve tanimë me grumbuj të vegjël e të ndrojtur, njerëzish.
Pas kësaj, Azem Hajdari u bë shpejt njeriu i urryer i të majtës e i një pjese të krimit të organizuar që kishte marrë ngjyrë politike.
Socialistët kanë akuzuar disa herë se ka qenë vetë Sali Berisha që ka urdhëruar vrasjen e Azem Hajdarit. Sipas tyre Berishës Azemi i ka shërbyer më shumë i vrarë e hero sesa i gjallë dhe i pabindur.
Nuk e di nëse Berisha ka kërkuar ndonjëherë falje publike për mënyrën se si e ka trajtuar Hajdarin, mirëpo në kohën kur ka ndodhur vrasja, dallga e urrejtjes për Azemin kishte ndërruar kah. E ngjarjet flasin vetë. Ajo më flagrantja është atentati që një deputet i Partisë Socialiste i bëri Hajdarit në mjediset e Kuvendit të Shqipërisë. Pesë plumba hynë në trupin e tij nga arma e deputetit socialist. Ishte një mrekulli që arriti të mbijetonte. Herën e fundit që e kam takuar ishte pikërisht ashtu, me paterica, por përsëri në këmbë, fizikisht, politikisht e shpirtërisht.
Ne nuk na pëlqen kur Shqipëria trajtohet pa respekt në median perëndimore, por në fund të shekullit 20, ne kishim një parliament ku fluturuan plumbat në vend të argumenteve të artikuluara.
Partia Socialiste ishte në pushtet kur u vra Azem Hajdari dhe personat që e vranë kishin uniforma policie të rregullta e ishin eprorë në hierarkinë e forcave të rendit.
Është ironike që socialistët të akuzojnë Berishën për këtë vrasje, në një kohë kur gëzonin pushtet të plotë si në institucione, ashtu edhe në pushtetin e krimit të rrugës.
Nga ana tjetër, është gjithashtu ironike që personi të cilin për shumë vite me radhë Berisha e akuzoi në mënyrë direkte për këtë vrasje: kryeministri i asaj kohe, Fatos Nano, u bë më vonë një lloj aleati i tërthortë i tij. Nuk më duket se Berisha i ka kërkuar ndonjëherë falje Nanos për një akuzë kaq të rëndë, pasi u pajtuan e bënë edhe ndonjë lojë të përbashkët politike, kundër armikut të tyre të ri e të përbashkët, Edi Ramës. As nuk më duket se e ka sqaruar ndonjëherë për publikun demokrat, nëse gjeti ndonjë provë që Nano nuk kishte lidhje me vrasjen, apo e kishte ditur që në fillim se po e akuzonte kot.
Në Shqipëri, fjalët i merr era. Ato të shkruarat nuk lexohen. Kurse kujtesa thahet nga inatet e reja të ditës së re.
E vërteta është se në kohën që u vra, roli i Azem Hajdarit ishte kyç për rimëkëmbjen e Partisë Demokratike. Berisha mbështetej fuqimisht te ai ndonëse gjasat ishin që do të hynin përsëri në konflikt kur PD të kthehej në pushtet.
Në fund, varrimi i tij u kthye në një moment mllefi politik, (i organizuar apo spontan, kjo varet nga kë pyet). Djem të rinj të revoltuar me arkivolin në krahë nuk i kën drejt varrezave por drejt ndërtesës së kryeministrisë, të cilës i shpërthyen dyert dhe i vunë pjesërisht zjarrin. Ata rrëmbyen kontrollin e televizionit shtetëror dhe dhanë një numër deklaratash publike jo fort të artikuluara por që në thelb njoftonin rënien e qeverisë socialiste.
Qeveria reagoi duke nxjerrë tanket në rrugë por ishte një lëvizje e dobët. Gjysma e kabinetit nuk dihej se ku ishte dhe vetë kryeministri Fatos Nano “humbi” për dy-tre ditë me radhë, një episod që solli më vonë largimin e tij nga qeveria.
Një telefonatë nga Washington-i dhe jo tankset e qeverisë Nano, bënë që më në fund, trazira të mbyllej, që të mos kishte asnjë ndryshim të dhunshëm të pushtetit, e që militantët të ktheheshin në “bazë”.
Nuk u vu re në atë kohë, por pranimi nga ana e Berishës për të qetësuar aktivistët e partisë së tij, në atë ditë shtatori, 11 vjet më parë, shënoi edhe kthesën në marrëdhëniet e tij me Shtetet e Bashkuara, të ngrira që prej dy vjetësh. (Për ata që e kanë harruar, Berisha ka qenë praktikisht “non-grata” për Shtetet e Bashkuara edhe në gjysmën e dytë të viteve 1990.)
Vendi i vrasjes së Azemit u kthye në një lloj memoriali spontan, me qirinj, fotografi, lule e objekte të tjera. Shpesh u përdor si vend pelegrinazhi nga simpatizantët e PD-së nga i gjithë vendi si dhe nga diaspora.
Vras mendjen nganjëherë se si do të kishte shkuar historia e Shqipërisë nëse hajdari do të kishte marrë në duar Lidhjen e Djathtë që lindi por nuk jetoi pas vitit 1997, apo nëse nuk do yë ishte vrarë. Çfarë do të kishte bërë në ditët tona të ndarjes fatale të PD-së së tij në dy pjesë. Duke ia njohur natyrën mbase do të bëhej me Bashën kur të shihte përqeshjen që iu bë nga Foltorja por do të kthehej me Berishën kur të shihte se gjykata ia hoqi vulën pikërisht kur po fillonte fushata zgjedhore.
Sipas kodit të tij, duket se Azemi duket se bëhej gjithnjë me të mposhturin, me të dobësuarin, me të braktisurin, kundërshtar i natyrshëm i çdo pushteti politik, e ideologjie mbizotëruese.
Kur historia e fundshekullit 20 të shkruhet për Shqipërinë, e ftohur nga pasionet politike të ditëve tona, sigurisht, figura e Azemit do të jetë përsëri nga më interesantet, për t’u lexuar. Më shumë se çdo gjë pikërisht për këtë prirje për të bërë të kundërtën e asaj që bënte shumica e njerëzve. Mbase më pëlqen ta imagjinoj një njeri që të nesërmen e zgjedhjeve i fut krahun të humburit e bëhet me. Që nuk ka nevojë për pushtet që të ndihet i fortë. Që preferon gjithmonë të jetë me ata që janë më pak, e më të dobët. Mbase është një iluzion, por ky është Azemi që ka mbetur në mendjen time e që besoj do të zbulojë edhe historia një ditë.