Uashington, 6 janar 2022 – Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, të mërkurën, gjatë vizitës së saj të parë zyrtare në Uashington, e takoi edhe homologun e saj Anthony Blinken.
Mediet gjermane raportojnë se tensionet mes Rusië e Ukrainës ishin në qendër të bisedimeve.
Zonja Baerbock tha se Rusia do të përballet me pasoja të rënda, në rast të agresionit ndaj Ukrainës.
“Pozicioni i përbashkët i evropianëve dhe i qeverisë amerikane është bërë i qartë në shumë raste, në takimet dypalëshe dhe në forume shumëpalëshe, dhe ne e ripërsëritëm këtë qëndrim dhe bashkërisht ritheksuam se veprimet dhe aktivitetet ruse vijnë me një çmim të qartë, kurse një shkelje të përsëritur e sovraniteti të Ukrainëss nga Rusia do të kishte pasoja të rënda”, tha ajo.
“Nuk duhet të ketë përshkallëzim të mëtejshëm në Ukrainë. Në rast emergjence duhet të reagojmë me mjete diplomatike dhe mbi të gjitha me mjete ekonomike”, tha Baerbock për televizionin gjerman ARD.
Baerbock bëri thirrje për pjesëmarrjen e Evropës në negociatat me Rusinë për zgjidhjen e krizës.
Ndërkaq, Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, theksoi se SHBA nukdo ta anashkalojë Evropën në përpjekjet për uljen e tensioneve mes Rusisë dhe Ukrainës.
“Si Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara i shohin veprimet e Rusisë ndaj Ukrainës si një sfidë të menjëhershme dhe urgjente për paqen dhe stabilitetin në Evropë. Ne dënojmë ngritjen ushtarake të Rusisë në kufijtë e Ukrainës, si dhe retorikën gjithnjë e më të ashpër të Moskës”, u shpreh ai.
Edhe Blinken e paralajmëroi edhe një here Moskën se do të ketë pasoja të mëdha në rast të ndërhyrjen ushtarake në Ukrainë.
“Nëse Rusia megjithatë zgjedh përshkallëzimin, ne do të përgjigjemi me shpejtësi. Shtetet e Bashkuara, Gjermania dhe aleatët dhe partnerët tanë, përfshirë NATO-n, Bashkimin Evropian, G-7, kanë qenë shumë të qartë se Rusia do të përballet me pasoja masive për përsëritjen e agresionit kundër Ukrainës”, theksoi ai.
Blinken kërkoi që në rast sulmi, të mos fillojë funksionimi i gazsjellësit Nord Stream 2 në Detin Baltik. (r.m.)