Prishtinë, 10 mars 2022 – Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, ka thënë se Ballkani Perëndimor është në listën e prioriteteve të qeverisë së re gjermane.
“Ne jemi marrë vesh që Ballkanin Perëndimor ta vendosim në listën tonë të prioriteteve. Ne në Qeverinë e re federale kemi vendosur që për herë të parë të krijojmë një funksion të ri atë të përfaqësuesit special për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë zonja Baerbock, të enjten në mbrëmje, në Prishtinë, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.
Ajo e ka shprehur interesimin e qeverisë gjermane për zgjerimin e bashkëpunimit midfis dy vendeve.
“Gjermania është investitori dhe donatori më i madh në Kosovë. Ne duam të zgjerojmë edhe më tej këto marrëdhënie”, kathënë ajo.
Shefja e diplomacisë gjermane ka folur me tone optimiste për procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.
“Sa i përket liberalizimit të vizave, Kosova e ka bërë punën e saj në këtë drejtim. Tani duhet Bashkimi Evropian ta bëjë punën e vet”, ka thënë ajo.
Ministrja Baerbock e ka vlerësuar qëndrimin e Kosovës ndaj agresionit të Rusisënë Ukrainë.
“E falënderoj Qeverinë e Kosovës që me solidaritet u është bashkuar masave të bashkësisë ndërkombëtare. Kjo tregon se Kosova i përket Evropës. Ne jemi dhe do të mbetemi partner i juaj”, ka thënë ajo.
Zonja Baerbock e ka vlerësuar punën e qeverisë së Kosovës për reforma në fushën e drejtësisë dhe për luftimin e korrupsionit.
“Ne kemi folur edhe për reformat që ka nisur qeveria dhe për luftimin e korrupsionit. Ju në këtë rrugë e keni mbështetjen tonë të plotë”, ka thënë ajo.
Kryeministri Kurti ka shprehur mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë për Kosovën, duke theksuar se Kosovë do të jetë partnere e fortë e Gjermanisë.
“E sigurova ministren Baerbock se Kosova është partnere e qëndrueshme dhe se këtë e kemi dëshmuar me pritjen e refugjatëve afganë, me krizën në Ukrainë dhe me sanksionet ndaj Rusisë”, ka thënë Kurti.
Ai ka folur për zgerimin e marrëdhënieve midisKosovës e Gjermanisë.
“Bashkëpunimi ynë dypalësh është duke u intensifikuar, eksporti në Gjermani është rritur, Janë rritur edhe investimet direkte gjermane në Kosovë”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se nga Gjermania pret vazhdimin e mbështetjes për reforma dhe për zhvillim.
“Kam kërkuar mbështetje për reformat tona, në punësim dhe drejtësi. Kosova duhet të përfitojë më shumë nga fondet e BE-së, në infrastrukturë, energji e të tjera. Gjermania mund të ndihmojë më shumë në këtë drejtim”, ka thënë Kurti.
(r.m.)