Tiranë, 24 korrik 2022 – Bajram Begaj sot (e diel) mori detyrën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.
Ai e bëri betimin si President i shetit, në seancën solemne të Kuvendit të Shqipërisë.
“Betohem se do t’u bindem Kushtetutës dhe ligjeve të vendit, do të respektoj të drejtat dhe liritë e shtetasve, do të mbroj pavarësinë e Republikës së Shqipërisë dhe do t’i shërbëj interesit të përgjithshëm dhe përparimit të popullit shqiptar”, u betua presidenti Begaj.
Në adresimin e tij të parë si President, Begaj tha se këtë detyrë me përgjegjësi e merr në një moment historik për Shqipërinë.
“Jam plotësisht i vetëdijshëm se mbi privilegjin e të qenurit qytetari i parë i Republikës rëndon përgjegjësia e përfaqësimit të unitetit tonë kombëtar, unitetit të pritshmërive dhe aspiratave të qytetarëve tanë.kjo përgjegjësi vjen në një moment historik për vendin tonë. Shqipëria ka hyrë në një rrugë të pakthyeshme europiane. Shqipëria europiane, sot premtim dhe nesër realitet është kurora e ëndrrës më të bukur të popullit shqiptar. Është testament i ardhur prej historisë dhe bekim i së ardhmes’, tha Begaj.
“Kriza e tranzicionit të stërgjatur dhe të lodhshëm, krizat e prodhuara nga brenda apo të importuara nga jashtë, krizat nga mosmarrëveshjet tona, nga paaftësia për të gjetur një gjuhë dhe një rrugë të përbashkët, kriza nga papërgjegjshmëria, nga korrupsioni, të gjitha këto kanë prodhuar pasiguri, padrejtësi dhe përjashtim. U betova sot se do ti shërbej Kushtetutës dhe interesit kombëtar dhe përparimit të popullit shqiptar dhe të përmbush detyrën time sipas parimeve dhe normave të kushtetutës. Këtë mision do ta kryej mbi palët. Nuk do qëndroj neutral ndaj asnjërit që bie ndesh mbi këtë betim, ndaj asnjërit që vendos interesat personale para interesave të kombit tone”, tha më tutje presidenti i ri shqiptar.
‘Ne kemi nevojë të ridimensionojmë besimin publik i cili përbën shtyllën e funksionimit të shtetit dhe shpirtin e harmonisë së një kombi. Ne nuk duhet të shmangemi nga gabimet e të shkuarës dhe të tashmes. Të largohemi nga politika e konfrontimit dhe ta zëvendësojmë me politikën e dialogut dhe bashkëjetesës. Të ndërojmë bashkërisht urdha lidhëse mes klasës politike, shtetasve dhe shtetit. Me vendosmëri të konsolidojmë shtetin e së drejtës, demokratik dhe social për të garantuar të drejtat dhe liritë themelore të njeriut për një të ardhme siç e meritojnë qytetarët. Të luftojmë për të rigjetur vlerat e humbura dhe forcimin e atyre që me shumë mund i kemi ndërtuar. Le të punojmë për një harmoni politike dhe njerëzore njëkohësisht. Në një det të tillë të trazuar nevojitet unitet më shumë se çdo herë. Të gjithë së bashku ta bëjmë Shqipërinë tonë edhe më të bukur për të qenë në vendin që i takon”, u shpreh Begaj.
Bajram Begaj është Presidenti i tetë i Republikës së Shqipërisë. Ai u zgjodh në këtë pozitë më 4 qershor të këtij viti, me votat e 78 deputetëve të Kuvendit, në raundin e tretë të votimit, pasi Partia Socialiste në pushtet dhe Partia Demokratike në opozitë arritën pajtim që President i vendit të zgjidhet një figurë konsensuale. Partia Demokratike, e cila nuk morij pjesë në votim, e ka cilësuar jokushtetuese zgjedhjen e tij.
Begaj, një ushtarak karriere, para votimit në parlament, tha se do ta mbajë pozitën e presidentit “me respekt të barabartë për të gjitha palët përfaqësuese të popullit shqiptar”.
“Fjalët nuk kanë qenë kurrë arma ime më e fortë, por edhe sikur të ishin jam i bindur se do ta kisha të vështirë t’i gjeja në këtë rast. Ky është një ndër ato raste që fjalët nuk e përshkruajnë dot. Vetëm përkushtimi me besnikëri absolute ndaj Republikës, qytetarëve dhe Kushtetutës së saj, mund ta tregojnë sadopak madhësinë e këtij nderi”, tha Begaj.
Begaj, mjek në profesion, para se të zgjidhej President, ishte shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.
Prej vitit 1998 ai ka pasur disa poste administrative ushtarake, si komandant i Komandës së Stërvitjes dhe Doktrinës, shef i Njësisë Mjekësore Ushtarake, drejtor i Inspektoratit Shëndetësor, kryeinspektor dhe këshilltar i Inspektoratit Shëndetësor në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Shqiptare.
Begaj bëhet presidenti i tetë i Shqipërisë që nga rënia e komunizmit. Ai e merr detyrën nga Ilir Meta, i cili, gjatë mandatit të tij, pati përplasje të forta me Qeverinë e Edi Ramës, të cilën e akuzoi në shumë raste për shkelje të ndryshme kushtetuese. Partia Socialiste e Ramës e çoi Metën edhe në Gjykatën Kushtetuese, me pretendimin se e ka shkelur Kushtetutën, por Kushtetuesja i hodhi poshtë këto pretendime.
Pozita e Presidentit në Shqipëri është kryesisht ceremoniale, por presidentit ka përgjegjësi të shtuara në drejtimin e përgjithshëm të politikës së jashtme dhe sigurisë.
(Sipas Balkanweb dhe REL)