Kisha katolike aty pranë hapi parkingun e saj për besimtarët myslimanë
Nga Beqir SINA
STATEN ISLAND NY: Komuniteti shqiptaro-amerikan musliman sot herët në mëngjes vërshoi drejt Xhamisë Shqiptare në Staten Island NYC, në orët e hershme të mëngjesit, mbas muajit të shenjtë të Ramazanit, që të falin Bajramin.
Kjo fest e para mbas një viti, për myslimanët shqiptarë, respektoi kufijtë e kapacitetit të caktuar te pjesëmarrësve për ngjarjet me pjesëmarrjeje masive, për shkak të masave në vazhdim kundrejt pandemisë.
Festa masive e Fitër Bajramit 2021, erdhi pas një viti ngjarjesh dhe programesh të anuluara, të vitit që lamë pas, dhe, natyrisht që ishte mirë të shohësh që edhe besimtarët mysliman shqiptarë më në fund, duket se janë duke u rikthyer përsëri, për të bërë aktivitetet masive në festat e tyre, për këtë vit, duke u lutur për më shumë gëzime.
Në faljen e namazit të Sabahut dhe Fitër Bajramit, në xhaminë e Staten Island,e cila është e renditur një nder xhamit më të mëdha në zonën e Trishtetshit, morën pjesë një numër i madh i besimtarëve.
Për mbarëvajtjen e kësaj ceremonie masive, fjalët më të mira dhe falënderimi i takon Departamentit të Policisë së New York City (NYPD), i cili kishte bllokuar rrugën pranë xhamisë – Victory Blvd, për 3 orë deri sa po kryhej falja e Fitër Bajramit.
Po ashtu udhëheqësit fetar të xhamisë në Staten Island, falenderuan dhe vlerësuan mirësinë e ofruar nga Kisha “ Our Lady of Good Council “ afër xhamisë shqiptare, e cila hapi parkingun për besimtarët mysliman shqiptar, që të parkojnë makinat në parkingun e saj.
Udhëheqësit mysliman shqiptar e vlerësuan këtë gjest mirësie, si një shembull unik i një bashkëpunimi shembullorë mes Xhamisë Shqiptare dhe Kishës Katolike, jo vetëm shqiptare por me të gjithë besimtarët e krishterë në qytetin e Nju Jorkut.
Fjalën përshëndetës e mbajti Imam Ferid Bedrolli, sekretari i Qendrës Islame Kulturore Shqiptare
Programi i celebrimit të Fitër Bajramit filloj me lexim nga Libri Hyjnore, pastaj me faljen e namazit të Sabahut në orën 5:30 të mëngjesit
Ligjëratën e Fitër Bajramit e mbajti Hafiz Dr. Dhulkarnejn Vardar Presidenti i Qendrës Islame Kulturore Shqiptare, në Staten Island.
Ligjërata e Dr. Vardarit ishte e përqendruar rreth frutave dhe rezultateve të agjërimit efektiv të besimtarit gjatë muajit te Ramazanit.
Dr. Vardari, theksoj se agjërimi është një kurs intensive një mujor që ka arrit të bëjë ndryshime adekuate në personalitetin e besimtarit të devotshëm.
“Ramazani, ishte një rast perfekt për secilin besimtar që u mundua të agjëroj këtë muaj fisnik të përmirësonte marrëdhëniet dhe raportin e tij me Krijuesin e vet si dhe raportet me familjen dhe mjedisin ku jeton dhe vepron” tha ai.
Muaji i Ramazanit, ishte një rast qe secili prej nesh të reflektonte në jetën e tij, të përmirësonte veset e doket negative me të cilat ishte i rrethuar para këtij muaji fisnik.” tha Dr. Vardari, duke besuar që secili prej besimtareve të ketë arritur të fitojë mëshirën dhe faljen e Zotit! si dhe dhuratën madhore të premtuar nga Zoti për të gjithë besimtarët xhenetin!
Dr. Vardari u përqendrua po ashtu ndaj rinisë së komunitetit tonë në Shtetet e Bashkuara.
Duke përfituar nga pjesëmarrja masive, e kësaj feste , kreu i Xhamisë shqiptare dëshiroj që të ju drejtohej me këtë rast edhe prindërve shqiptar që të tregohen më të përgjegjshëm ndaj fëmijëve të tyre, dhe rinisë në komunitetin tonë.
Dr. Vardari po ashtu bëri edhe një apel tek liderët botërorë që të punojnë më shumë në drejtim të ndaljes së gjakderdhjes dhe humbjen e jetëve të njerëzve të pafajshëm, fëmijëve, gra, pleq etj.
“Humaniteti i vërtetë i njeriut shihet tek drejtësia dhe sjellja njerëzore dhe mëshira çka i promovon në mënyrë të qartë Kur’ani madhështorë dhe mësimet e Pejgamberit Muhammed as”, u shpreh ai.
Ramazani, tha Dr Vardari, ishte një rast i mirë që të ripërtërijmë ndjenjën e identitetit fetarë dhe kombëtar, të përmirësojmë dhe forcojmë ndjenjën e përkatësisë dhe obligimeve ndaj familjes dhe komunitetit.
“ Ramazani, ishte ky rast që të i afrohemi Krijuesit për mes adhurimeve të ndryshme, agjërimit, faljeve, sadakas dhe ndihmave të ndryshme që kemi bërë gjatë këtij muaji fisnik. Sot të nderuar vëllezër e motra është dita e pranimit të shpërblimeve nga Krijuesi xh.xh për mundin dhe përpjekjet tona atë muajit të Ramazanit, sot, secili prej nesh merr certifikatën e ekselencës dëshmin e suksesit dhe mirësjelljes nga Krijuesi ynë. Secili, prej nesh duhet të mburremi për përmbushjen e zotimeve tona, që ia kemi dhënë Zotiti xh,xh se ne ti bindem urdhëresave të Tij. Lutem që populli ynë të festoj për herë, lutem që familjet tona të kalojnë ditë të hareshme gjatë festës së Fitër bajramit.
Ligjërata e Fitër Bajramit u mbajt nga Dr. Tahir Kukaj, Zëvendës Presidenti i Qendrës Islame Kulturore Shqiptare.
Ai tha se besimtarët sot festojn të arriturat e këtij komuniteti, gjatë këtij muaji fisnik : “Ky muaji ishte një kurs intensivë i përmirësimit dhe përforcimit të vullnetit tonë në mënyrë që kur të dalim nga Ramazani, dhe të kthehemi sërish në jetën normale, sikur ishte para Ramazanit, të kemi një vullnet të fortë që nuk ndikohet dhe anashkalohet nga epshi dhe doket e dëmshme.” tha ai.
Më pas gjatë ligjëratës së tij Dr. Kukaj, u shpreh se ne festojmë tw arriturat tona shpirtërore: “Shpresoj se gjatë këtij muaji kemi arrit të përmirësojmë vetveten tonë, kemi arrit të tejkalojmë veset e dëmshme që pengojnë suksesin dhe kënaqësinë në jetë.”
Në fund të kësaj ligjëratë, me rastin e Fitër Bajramit, Dr. Tahir Kukaj, iu drejtua besimtareve duke thënë se :
“Të festuarit në Islam ka parasysh të ngritë dhe lartësoj dinjitetin e njeriut. Në festat Islame, nuk flitet për humbjen e dikujt apo fitoren mbi ndoken nga njerëzit, nuk flitet për shkatërrimin e jetës së askujt pa marrë parasysh kush është ai. Ne festojmë njeriun dhe të arriturat e tij. Islami vlerëson lartë jetën dhe rehatin e njeriut kudo që të jetë ai. Udhëzimet Islame nuk përcaktojnë apo preferojnë se kush duhet të ndihmohet në aspekt race e besimi, njeriu duhet të ndihmohet dhe përkrahet kudo dhe kushdo, ngase ai është NJERI, krijesa me e lartë e Krijuesit xh.xh, andaj edhe njëherë, në celebrojmë Fitër Bajramin si njerëz të sinqertë, të prirur nga besimi Islam që nxitë në humanizëm ndaj gjithë njerëzve. Ne, festojmë sot ripërtëritjen e marrëdhënieve tona familjare, lutemi për prosperitet të komunitetit tonë këtu në SHBA, si dhe lutemi për popullin tonë në trojet kombëtare. Lutjet tona janë poashtu për gjithë njerëzit kudo në botë, në mënyrë të veçantë ata që janë në mes zjarresh në luftëra dhe kriza humanitare.”
Lutemi për paqe dhe mirësi në mbarë botën. Urime Festa e Fitër Bajramit, tha Dr. Tahir Kukaj, Zëvendës Presidenti i Qendrës Islame Kulturore Shqiptare