Balla reagon ashpër ndaj vendimit të KPA-së, paralajmëron ankesë në Gjykatën e Strasburgut

Tiranë, 22 maj 2024 – Kryetari Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) Alfred Balla, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Kolegjit të Posaçësm të Apelimit (KPA) që atij ia ndalon emërimin në funksione të larta të sistemit të drejtësisë në Shqipëri.Z. Balla, në reagimin e tij, e cilëson si “turpshëm” vendimin e KPA-së.

“Edhe pse shpresova se nuk do të ndikohej, sot KPA-ja (shumica) mori një vendim të turpshëm që të ndërpresë, pa një vendim përfundimtar, vetingun tim si ish-këshilltar ligjor në Gjykatën e Lartë ku kam punuar para 8 vitesh, duke e shoqëruar edhe me ndalesat e nenit ‘G’ të Aneksit të Kushtetutës, të cilat u vihen vetëm atyre që dorëhiqen ose shkarkohen nga detyra ku nuk ishte asnjë rast për mua”, ka thënë ai për Zërin e  Amerikës.

Balla ka thënbë se vendimi i KPA-së nuk ka të bëjë fare me funksionin e kryetarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, prandaj ai do të vazhdojë ta ushtrojë atë. Njëkohësisht ka paralajmëruar se vendimin e KPA-së do ta ankimojë në Gjykatën e Strasburgut.

“Nuk ka lidhje me statusin tim aktual në KLP, si i zgjedhur nga Parlamenti nga radhët e shoqërisë civile dhe jo si magjistrat. Për sqarim, ky nuk është një vendim shkarkimi, pasi nuk është bërë hetim administrativ ndaj meje. Në bazë të këtij vendimi, në të ardhmen nuk mund të kandidoj për vende të caktuara, kuptohet deri sa të shprehet Gjykata për të Drejtat e Njeriut”, ka thënë Balla.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), struktura më e lartë e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, vendosi të martën që Alfred Ballës t’i ndalohet të qenit pjesë e sistemit të drejtësisë për 15 vitet e ardhshme.

Sipas këtij vendimi, Balla “nuk mund të emërohet gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm”.

(r.m.)