“Ballkani i Hapur”, grupi punues përcakton aktivitetet para samitit të radhës

Nish (Serbi), 15 nëntor 2021 – Grupi punues i nismës “Ballkani i Hapur” u dakordua për aktivitetet që do të zhvillohen deri në mbajtjen e samitit të radhës në nivel të liderëve të vendeve pjesëmarrëse që do të mbahet në Tiranë,në fund të dhjetorit.

Sipas Qeverisë së Serbisë, aktivitetet do të kontribuojnë në lehtësimin e tregtisë, bashkëpunimin në fushën e sigurisë ushqimore, inspektimin fitosanitar dhe veterinar, si dhe qasje të lirë në tregun e punës.

Nisma e bashkëpunimit të “Ballkanit të Hapur” përfshin Serbinë, Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut dhe parashikon lirinë e lëvizjes për kapitalin, mallrat, shërbimet dhe njerëzit midis tre vendeve.

Në një deklaratë të Qeverisë së Serbisë thuhet se në takimin në Nish ministrat nga Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut u dakorduan për ngritjen e një grupi të përbashkët pune deri në fund të nëntorit për harmonizimin e politikave tatimore ndërmjet të tria vendeve.

Kosova, Mali i Zi dhe Bosnje dhe Hercegovina kundërshtojnë pjesëmarrjen në nismën “Ballkani i Hapur”.

Qeveria aktuale e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e hedh poshtë këtë iniciativë dhe u bën thirrje vendeve të rajonit që të mbeten të përkushtuara ndaj agjendës së Bashkimit Evropian.

Çfarë është arritur deri më tani?

Në kuadër të kësaj nisme, është vendosur lëvizja e lirë e qytetarëve me letërnjoftim ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, është nënshkruar marrëveshja për bashkëpunim në parandalimin dhe eliminimin e pasojave të fatkeqësive natyrore. Po ashtu, janë nënshkruar marrëveshje për bashkëpunim në lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, si dhe një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.

Ndërmjet Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë është rënë dakord që kontrollet kufitare të hiqen nga 1 janari i vitit 2023. Po ashtu, është planifikuar që gradualisht të krijohet një treg i përbashkët për 12 milionë banorë, aq sa kanë banorë këto tri shtete së bashku – pra, të krijohet një “zonë e vetme ekonomike”.

Profesori i Shkencave Ekonomike, Muhamet Mustafa, i ka thënë Radios Evropa e Lirë (REL) se nisma “Ballkani i Hapur” nuk mund të jetësohet përderisa Serbia ka qasje penguese për Kosovën, Malin e Zi dhe Bosnje e Hercegovinën.

Ndërsa njohësi i ekonomisë nga Tirana, Fatos Cocoli, i tha REL-it se Kosova duhet ta përkrahë këtë iniciativë pavarësisht problemeve politike me Serbinë.

(REL)