Pasditen e sotme në emisionin “Top Talk” në Top Channel ishte i ftuar ish-Presidenti i vendit, Bamir Topi. Ndërsa pritet që këtë javë të mblidhet parlamenti i ri i dalë nga zgjedhjet e 25 prillit, Topi foli për krerët e politikës shqiptare, kryeministrin Edi Rama dhe kryedemokratin Lulzim Basha, por nuk la pa përmendur edhe ish-kryeministrin Sali Berisha.
Për ish-Presidentin Topi, Lulzim Basha është njeri pa karakter. Kjo bindje e tij është përforcuar nga fakti që nuk ka asnjë reagim apo lëvizje kundrejt Ramës, i cili sot sipas tij nuk flet si kryeministër i shqiptarëve, por si dikush që kontrollon PS dhe politikën shqiptare.
Topi: Nëse ka një sjellje të çuditshme në kushtet e Shqipërisë ku në fjalimin e parë ku projektohet qeveria e re nuk ka asnjë fjalë për qeverisjen. Rama nuk foli edhe një fjalë për ti dhënë fizionominë e një njeriu që drejton qeverinë, por u kujdes që të krijojë një psikozë të re për qeverinë duke thënë se mandati i tretë është i vështirë, por që tek i 4-ti duhet të jemi shumë më të vëmendshëm. Në gjendjen psikologjike të këtij njeriu është krijuar një psikozë që duke kontrolluar PS dhe duke krijuar rilindjen, duke dominuar politikën shqiptare, ai mendon sot jo si kryeministër i shqiptarëve. Nëse gjërat kanë rrëshqitur deri këtu përgjegjësia është e këtij individit tjetër këtu.
Pse Basha nuk e bën dot këtë rol?
Topi: Basha është pa karakter. Çdo sjellje e një individi ngrihet mbi një karakter. Shqipëria është këtu dhe sot po diskutojmë për mandatin e 4 dhe pse po e krijon këtë psikozë dhe nuk ka asnjë fjalë nga opozita. Atëherë problemi nuk është majtas, por djathtas.
I pyetur për ish-kryeministrin Sali Berisha dhe a është ai personi me karakter që po e kontrollon PD-në dhe duke e lënë kështu Bashën pa karakter, Topi u shpreh: Nuk dëshiroj të merrem më me Berishën, në sensin e në historie që kur unë jam përplasur shumë njerëz ose kanë heshtur, ose janë atashuar krah tij. Njeriu më i interesuar që Berisha të jetë në Parlament është Rama.
Top Channel