Banka Botërore mbështet me 9.1 milionë euro përmirësimin e sistemit të ujitjes në Kosovë

Prishtinë, 13 tetor 2023 – Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Banka Botërore kanë nënshkruar të pretmen marrëveshjen për një gran prej 9.1 milionë eurosh për përmirësimin e sistemit të ujitjes në Kosovë.

“Projekti synon rritjen e efiçiencës në shfrytëzimin e ujit dhe rritjen e rendimentit bujqësor në komunat e Gjakovës, Prizrenit dhe Rahovecit. Gjithashtu, synon rehabilimin dhe modernizimin e Skemës së Ujitjes të sistemit Radoniqi-Dukagjini, që renditet ndër investimet prioritare të identifikuara në Master Planin për sektorin e ujitjes në Kosovë”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Në njoftim thuhet se nëpërmjet këtij projekti do të mbështetet rrritja e prodhimit bujqësor dhe ngritja e cilësisë së tyre për tregun e brendshëm dhe për tregun e jashtëm. Përfitues kryesor të këtij projekti thuhet se do të jenë fermerët privatë që i shfrytëzojnë skemat e ujitjes/kullimit.

Me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes, ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati dhe drejtori i Bankës Botërore për Kosovë Massimiliano Paolucci, thanë se investimet në sektorin e ujitjes pritet ta bëjnë sektorin bujqësor “më konkurrues dhe inovativ, të bazuar teknologji e standarde modern”.

Fondet e këtij granti janë siguruar nga Bashkimi Evropian, ndërsa administrohen nga Banka Botërore.

This image has an empty alt attribute; its file name is Hekuran-Murati-e-Massimiliano-Paolucci.jpg

(r.m.)