Banka Botërore: Shqipëria është një nga vendet më të rrezikuara nga katastrofat natyrore në Europë

Tiranë, 26 nëntor 2024 – Grupi i Bankës Botërore publikoi sot Raportin për Klimën dhe Zhvillimin për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, ku për Shqipërinë theksohet se ajo është një nga vendet më të rrezikuara nga katastrofat natyrore në Europë.

Sipas Raportit, për këtë arsye Shqipëria duhet të investojë 6 miliardë dollarë gjatë dekadës së ardhshme për të mbrojtur në mënyrë sa më efektive qytetarët dhe pronat nga rreziku në rritje i përballjes me përmbytjet, zjarret në pyje, tërmetet dhe rrëshqitjet e dheut.

Raporti i Grupit të Bankës Botërore për Klimën dhe Zhvillimin vlerëson se “Shqipëria ka potencialin për të rritur qëndrueshmërinë e saj ndaj ndryshimeve klimatike” dhe për të shfrytëzuar mundësitë e reja ekonomike përmes investimeve dhe politikave strategjike, por “në mungesë të masave proaktive, dëmet ekonomike të lidhura me klimën mund të arrijnë në 7 për qind Prodhimit të Brendshëm Bruto së saj”.

Rreth 95 për qind e bashkive shqiptare janë prekur dy dekadat e fundit nga këto fatkeqësi natyrore dhe klimatike, të cilat janë shpeshtuar dhe ashpërsuar, theksohet në Raport, të tilla si tërmeti në nëntor 2019, që ishte më i forti në 30 vjet.

Po ashtu, energjia dhe bujqësia janë ndikuar ndjeshëm nga rreziqet klimatike për shkak të ndryshimit të ritmit të rreshjeve, çka sjell thatërsira me humbje të korrjeve në bujqsi dhe përgjysmim të prodhimit të energjisë elektrike, përmbytje, me humbje të mëdha në bujqësi dhe blegtori, thuhet në studim.

Sipas raportit, investimet në përshtatjen klimatike janë mëse të domosdoshme dhe mund të mbështesin zhvillimin e përgjithshëm ekonomik, ku nga investimet tek përshtatja klimatike mund të përfitohet 10 herë më shumë prej uljes së humbjeve, prej përfitimeve sociale e mjedisore dhe mundësive ekonomike më të shtuara.

Ekspertët e Grupit vlerësuan se me aspiratën për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian Shqipëria ka bërë hapa të rëndësishëm në uljen e varfërisë dhe në ngushtimin e hendekut të të ardhurave me BE-në, duke u renditur mes vendeve me të ardhura të mesme e të larta.

Varfëria energjetike mbetet shqetësim dhe, sipas Raportit, një pjesë e konsiderueshme e popullsisë i përballon me vështirësi shpenzimet e energjisë.

Shqipëria mbështetet në energjinë e rinovueshme të hidrocentraleve, pohojnë ekspertët në studim, por ajo përballet me sfida në menaxhimin e burimeve të veta ujore për bujqësinë dhe për prodhimin e energjisë, sidomos pas përmbytjeve dhe thatësirave, që sollën ndryshimet klimatike.

Shqipëria po redukton varësinë nga burimet hidrike duke zgjeruar tregtinë rajonale të energjisë, veçanërisht me Kosovën, për të rritur sigurinë e saj energjitike dhe për të sjellë më shumë burime të rinovueshme, vlerëson Raporti.

Investimet, sipas ekspertëve, pritet të diversifikojnë sistemin energjetik, të përmirësojnë efikasitetin, duhet të reduktojnë varësinë nga importet, si dhe të elektrifikojnë transportin dhe sistemin e ngrohjes.

Raporti përshkruan edhe një udhërrëfyes të masave të nevojshme për kalimin e Shqipërisë drejt një modeli rritjeje të qëndrueshme dhe rezistente ndaj klimës.

Udhërrëfyesi për Shqipërinë e qëndrueshme dhe rezistente ndaj klimës, i përfshirë në Raport, propozon investime të shpejta për zbutjen e ndikimit të katastrofave, zhvendosjen drejt energjisë së rinovueshme për dekarbonizimin afatgjatë, reforma në financat publike për të mbështetur nismat mbi klimën dhe nxitur investimet private, si dhe përmirësimin e kuadrit rregullator për të nxitur efikasitetin dhe inovacionin.

Grupi i Bankës Botërore pohoi se po punon me autoritetet shqiptare duke mbështetur projekte për ndërtimin e infrastrukturës së qëndrueshme, përmirësimin e shërbimeve të furnizimit me ujë dhe të kanalizimeve dhe promovimin e zhvillimit të qëndrueshëm të bujqësisë.

(Panorama.com.al)