Tiranë, 2 nëntor 2022 – Në Shqipëri, Banka Qendrore ndërhyri sërish të mërkurën, për të katërtin muaj radhazi, duke rritur me 0.5 pikë përqindje normën bazë të interesit, në përpjekje për t’ju kundërpërgjigjur një inflacioni gjithnjë e në rritje. Me vendimin e sotëm të Këshillit Mbikqyrës, norma bazë ngjitet në nivelin 2.75 përqind. Fillimisht Banka e preku atë, në muajin mars kur inflacioni dha shenjat e para të tendencës në rritje, duke rregjistruar ndërhyrjen e parë pas trembëdhjetë vitesh të një politike stimuluese që e zbriti normën e interesit në minimumin e saj historik prej 0.5 përqind.
Banka theksoi se presionet inflacioniste “mbeten rreziku kryesor mbi rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit”. Në tremujorin e tretë inflacioni i çmimeve të konsumit shënoi një tjetër rritje duke kapur një vlerë mesatare prej 7.9 përqind, pasi në muajin gusht dhe shtator arriti, sipas Instat-it, respektivisht, kuotat e 8 dhe 8.1 përqind. Sipas Këshillit Mbikqyrës “pasojat e goditjes së ofertës të huaj në ekonominë shqiptare po bëhen gjithnjë e më të dukshme. Në veçanti, analiza e informacionit të disponuar sugjeron se presionet inflacioniste po vijnë në rritje dhe baza e tyre shfaqet në zgjerim”.
Por sipas vlerësimeve të Bankës, rritje e çmimeve është vënë re dhe në produktet lokale, pjesë e shportës së konsumit. “Rritja e inflacionit pasqyroi, në masën më të madhe, rritjen e çmimit të ushqimeve, të naftës dhe të kostove të transportit. Këta grup-artikuj gjeneruan rreth 8 përqind, të inflacionit total në tremujorin e tretë. Megjithatë, rritja e çmimeve ka filluar të jetë e pranishme në pjesën më të madhe të shportës, përfshi edhe ata artikuj pjesa më e madhe e vlerës së shtuar të të cilëve krijohet në vend. Kjo ecuri sugjeron rritjen e njëkohshme të bazës dhe të intensitetit të presioneve inflacioniste”, shpjegoi guvernatori i Bankës Gent Sejko, pas mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës.
Banka Qendrore pret që inflacioni të mbetet i lartë deri në fund të vitit, por të reduktohet progresivisht gjatë vitit 2023 dhe të kthehet në objektiv (3 përqind) në tremujorin e dytë të vitit 2024. Për pasojë, Banka pritet të vijojë dhe me ndërhyrje të tjera në muajt që pasojnë. Një politikë e tillë agresive u sugjerua më herët dhe nga misioni i Fondit Monetar Ndërkombëtar. “Duke qenë se rreziqet për përspektivën e inflacionit janë në kahun e sipërm, shtrëngimi monetar duhet sjellë para në kohë dhe rritje të mëtejshme të normës të interesit janë të nevojshme. Veprimet e vendosura tani do të ndihmojnë për të parandaluar një spirale pagë-çmim, do të ulë rrezikun që pritshmëritë inflacioniste të ç’ankorohen dhe do të shmangë vonesat e tepërta në shtrëngimin monetar, çka mund të bëjë të nevojshme më vonë rritje mjaft më të mëdha të normave të interesit. Banka e Shqipërisë, duhet të jetë e përgatitur që ta rrisë normën e interesit mbi nivelin e vlerësuar të interesit neutral në rast se presionet inflacioniste nuk ulen”, rekomandoi FMN-ja tre javë më parë, duka parashikuar se “norma bazë e interesit do të rritet në 3-3.5 për qind në vitin 2022 dhe 4-4.5 për qind në vitin 2023”.
(Armand Mero, Zëri i Amerikës)