Interesa shumë të ulët, krizë borxhesh, ristrukturime – bankat e Gjermanisë kanë parë kohë më të mira. Njohësit e sektorit u këshillojnë instituteve të mos shpresojnë për përmirësim të shpejtë.
Bankat e Gjermanisë sipas firmës së konsulencës Ernst & Young (E&Y), kanë vite të tjerë të vështirë përpara. “Koniunktura në Gjermani po zhvillohet më dobët nga sa shpresohej, shtimi i numrit të falimentimeve do të rrisë më tej rrezikun e moskthimit të kredive. Për këtë bankat duhet të marrin masa dhe për pasojë fitimet do të ulen”, deklaroi të hënën (13.5.) eksperti për bankat pranë E&Y, Dirk Müller-Tronnier. Veç kësaj vështirësi për bankat paraqesin normat shumë të ulëta të interesit dhe kërkesat në rritje për kapital bazë. “Vitet e arta për momentin nuk duken në horizont”, konstatoi Müller-Tronnier. Për 13 bankat më të mëdha gjermane Ernst & Young llogarit për 2012 një rënie të fitimit para tatimit me rreth 18 për qind nga 9,5 miliardë euro në 7,8 miliardë euro. Tek 10 nga 13 bankat e mëdha dhe të landeve rezultati financiar ishte megjithatë më i mirë se vitin paraardhës. Niveli i fitimeve sidoqoftë është ndjeshëm poshtë atij të viteve para krizës: në vitin 2006 institutet bankare realizuan një fitim para tatimit prej plot 21,5 miliardë eurosh, një vit më votë 18,4 miliardë euro. Në vitin e krizës 2008 u shënuan humbje të forta me një minus të përgjithshëm prej gati 22 miliardë eurosh.
Problematikë interesat e ulët
Sektorit i duhet të luftojë me norma shumë të ulëta interesi. Teprica në interes është një burim i rëndësishëm të ardhurash për bankat: si rregull bankat pranojnë depozita nga klientët me interesa sa më të ulët dhe i japin këto fonde në formë kredish me interesa sa më të lartë. Por Banka Qendrore Evropiane e ka bërë tejet të lirë paranë në Evropë. Në fillim të majit mbrojtësit e monedhës së përbashkët euro e ulën normën orientuese të interesit në eurozonë edhe një herë, për të arritur në nivelin 0,5 për qind.
Kriza e borxheve është për ekspertin Müller-Tronnier një rëndesë më shumë për bankat: “Evropa vazhdon të jetë larg zgjidhjes së problemit të borxheve. M.q.s rezultatet financiare të bankave ndikohen fort nga zhvillimet në shtetet e eurozonës dhe pasojat e tyre në tregjet e kapitalit, e ardhmja e bankave vazhdon të karakterizohet nga pasiguri të mëdha.” (DW)