Banorët e Luginës së Preshevës kërkojnë të mos përfshihen në reciprocitetin për targat

Preshevë, 22 shtator 2021 – Përfaqësuesit e shqiptarëve në komunat e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit, në jug të Serbisë, kanë kërkuar nga Qeveria e Kosovës që banorët e këtyre komunave, pavarësisht nga përkatësia etnike, të mos përfshihen në vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve.

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve, Ragmi Mustafi, ka thënë se kërkesa është bërë për shkak të problemeve që u shkakton vendosja e reciprocitetit banorëve të këtyre tri komunave.

“Ne dërguam një kërkesë për përjashtimin e komunave të Bujanocit, Preshevës dhe Medvegjës nga vendimi. Nuk bëhet fjalë veçmas për shqiptarët apo për serbët, por për këto tri komuna që janë shumë të lidhura me Kosovën, nga të cilat njerëzit udhëtojnë çdo ditë”, ka thënë Mustafi për Radion Evropa e Lirë.

Mustafi ka thënë se përfaqësuesit e shqiptarëve të Luginës së Preshevës e konsiderojnë “politikisht të kuptueshëm” vendimin e Qeverisë së Kosovës,  por theksojnë se zbatimi i këtij vendimi i bën shqiptarët e Luginës së Preshevës “pengje të Prishtinës dhe Beogradit”.

“Ne mbështesim çdo vendim të Prishtinës që e forcon shtetësinë e Kosovës, por kjo lëvizje na bën peng. Ajo i ka goditur më shumë shqiptarët nga Lugina e Preshevës, të cilët kanë lidhje familjare dhe historike me Kosovën”, ka thënë ai.

Vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë për targat e automjeteve ka nxitur protesta të grupeve të banorëve serbë në veri të Kosovës dhe reagime të ashpra të Beogradit zyrtar, ndonëse vendimi bazohet në marrëveshjen për lirinë e lëvizjes, të nënshkruar në Bruksel nga të dyja palët, më 2011 dhe më 2016.

Me marrëveshjen e vitit 2016, e cila ishte nënshkruar edhe nga Presidenti aktual i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Kosova dhe Serbia ishin pajtuar të heqin të gjitha pengesat në qarkullimin e automjeteve në të dy vendet. Beogradi nuk hoqi dorë nga praktika e heqjes së targave të automjeteve nga Kosova me akronimin “RKS” (Republika e Kosovës) dhe zëvendësimit të tyre me targa të përkohshme, ndërsa Prishtina filloi të aplikojë të njëjtën masë për automjetet me targa të Serbisë, ndonëse deri më tash nuk e kishte aplikuar asnjëherë deri më tash.

(r.m.)