Prishtinë, 21 tetor 2024 – Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve juridike, është shprehur se pala kosovare nuk ka çka të ofrojë më tepër në dialogun me Serbinë, duke thënë se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe do të nënkuptonte shkatërrim të shtetit.
Ai ka thënë të hënën në “60 Minuta” të KTV-së se Asociacioni nënkupton futjen e shtetit serb në Kosovë, duke u shprehur se Kosova duhet të ofrojë vullnet për dialog.
Duke folur për palën serbe, Baraliu ka thënë se Serbia nuk është shtet i fortë, por i përkrahur nga vendet perëndimore.
“Serbia nuk është shtet i fortë, është me shumë probleme në përmasa që duhet vlerësuar me ata që mund të barazohet, por edhe me ne, është shtet i bazuar në primesa nga Grashanini e Tito, të politikave hegjemoniste. Po vazhdon një politikë të notimit në të gjitha drejtimet, edhe në lindje edhe në perëndim, por kjo s’është kuptuar nga Bashkimi Evropian…Serbia po i bind perëndimorët se kinse po tërhiqet kah perëndimi. Serbia nuk tërhiqet, e ata ose s’duan ta kuptojnë ose s’e kanë kuptuar…S’mund të pranohet Asociacioni pasi kjo do të thotë shkatërrim i shtetit. Kushdo që s’e këtë s’e ka kuptuar, s’jemi për shtetin gjeneroz që të futet Serbia brenda dhe të mos na lejojë të marrim frymë si shtet e si shoqëri. Qeveria duhet me elegancë t’i dëgjojë e të sillet mirë me përfaqësuesit diplomatikë”, ka deklaruar Baraliu.
Njohësi i zhvillimeve politike është shprehur se kërkesat në dialog për palën kosovare janë irracionale, e sipas tij, dialogu kishte nisur për marrëveshje teknike.
Sipas Baraliut, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë një qasje të pabarabartë dhe të njëanshme në raport me dialogun Kosovë-Serbi.
“Po vazhdohet me një metodë që nuk përkon me sjellje të drejtë e humane, të paanshme nga BE-ja dhe përfaqësuesit e saj. Para syve të botës perëndimore, autoritetet serbe lidhin marrëveshje serioze e të rrezikshme me Kremlinin e Kinën. Presioni që i bëhet Kosovës si vend aleat i perëndimit ëshjtë diçka që thjeshtë s’duhet të pranohet. Presioni është i padrejtë, i paanshëm dhe joparimor”, ka theksuar ai.
Baraliu ka thënë se njohja reciproke juridike de-jure duhet të jetë kërkesa e parë e ekzekutivit të ardhshëm të Kosovës në dialogun me Serbinë, pas zgjedhjeve të shkurtit.