Jacques Prevert
A të kujtohet Barbara
Atë ditë mbi Brest binte shi pandërprerë
E ti ecje e qeshur
E shndritur, e ngazëlluar, e qullur
Nën shi
A të kujtohet Barbara
Mbi Brest binte shi pandërprerë
Dhe të takova në rrugën e Siamit
Ti buzëqeshe
Edhe unë buzëqesha
Kujtoje Barbara
Ti që nuk të njihja
Dhe ti që nuk më njihje
Kujtoje Barbara
Kujtoje atë ditë
Mos harro
Një njeri i strehuar nën një portik
E thirri emrin tënd
Barbara
E ti vrapove drejt tij nëpër shi
E qullur, e ngazëlluar, e shndritur
Dhe u hodhe në krahët e tij
Kujtoje atë Barbara
E mos u zemëro që po të them ti
Unë u them ti të gjithë atyre që i dua
Madje edhe atyre që veç një herë i kam parë
Unë u them ti të gjithë atyre që duhen
Madje edhe kur nuk i njoh
Kujtoje Barbara
Mos e harro
Atë shi të urtë e të lumtur
Në fytyrën tënde të lumtur
Mbi atë qytet të lumtur
Atë shi mbi det
Mbi arsenal
Mbi anijen Ouessant
Oh Barbara
Çfarë marrëzie lufta
Ç’po ngjan tani me ty
Nën këtë shi prej hekuri
Prej zjarri, prej çeliku, prej gjaku
E ai që të shtrëngonte në krahët e tij
Dashurueshëm
A është i vdekur, i zhdukur apo ende është gjallë
Oh Barbara
Mbi Brest bie shi pandërprerë
Ashtu siç binte përpara
Por, nuk është më njësoj dhe çdo gjë është shkatërruar
Është një shi i pikëllimit, i tmerrit e dëshpërimit
Nuk është më as stuhia
Prej hekuri, prej çeliku, prej gjaku
Janë thjesht retë
Që ngordhin si qentë
Qentë që zhduken
Në rrjedhën e ujërave të Brestit
E venë të kalben diku larg
Larg, shumë larg Brestit
Nga i cili s’ka mbetur më asgjë.
Përktheu nga frëngjishtja: Sadik Elshani
“Barbara”, një poezi evokative që evokon dashurinë, humbjen, kujtimet, është njëra ndër poezitë më të njohura të skenaristit e poetit të mrekullueshëm francez, Jacques Prevert (1900 – 1977). Hynë në radhën e poezive më të bukura të dashurisë të letërsisë franceze dhe asaj botërore. Është një poezi e shkruar në vargun e lirë, pa rima e pa strofa, me një gjuhë të thjeshtë, te rrjedhshme e të drejtpërdrejtë – tipike prevertiane. Përsëritja e fjalëve, shprehjeve e sidomos, epiteteve, sikur ia shton edhe më tepër muzikalitetin. Ngjarja është vendosur në dy kohëra në qytetin Brest të Francës: kohët para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Gjatë asaj lufte, në vitin 1944, qyteti gati i tëri është shkatërruar nga bombardimet e aleatëve mbi forcat gjermane. Në Brest kanë qenë të përqëndruara forcat detare gjermane, sidomos ka qenë qendër e nëndetëseve. (Fotografia lart tregon Brestin e shkatërruar nga lufta. Fotografia është kortezi e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes.)
Pjesa e parë e kësaj poezie është ajo pjesa e lumtur e asaj jete të patrazuar para luftës. Një vajzë është duke ecur nëpër shi për ta takuar të dashurin e saj dhe rastësisht takohet me poetin në “Rrugën e Siamit”. Nuk njihen, por megjithatë i buzëqeshin njëri – tjetrit. Madje poeti as emrin nuk ia di,por e dëgjon nga i dashuri i saj që po e thërriste: Barbara! Zakonisht ditët me shi janë pak ca si të zymta që ngjallin atë ndjenjën e melankolisë. Por, atë ditë të rëndomtë e me shi, Preverti me magjinë e tij poetike e shndërron në një çast, ditë të lumtur. Ai shi dhe ai takim i dy dashnorëve nuk janë të rastësishëm në këtë poezi.
Pjesa e dytë është më e zymtë, më e trishtë, sepse tani mbi Brest nuk bie më ai “shiu i urtë e i lumtur”, por një shi tjetër, shiu “prej zjarri, prej çeliku, prej gjaku”. Në vend të pikave të shiut, tani bien bombat që shkatërrojnë çdo gjë. Kështu krijohet një kontrast që e forcon edhe më tepër porosinë e kësaj poezie kundër luftës e dhunës. Sikurse në poezitë e tjera të Prevertit, sidomos në atë me titull, “Gjethet e vdekura”, edhe në poezinë, “Barbar”, ndeshemi me motivin e fateve të njeriut, mbështjellur me atë velon e misterit, kujtimeve, kurreshtjes e dhimbjes: ç’ka ndodhur me Barbarën dhe të dashurin e saj në atë kasaphanë? Mund të ketë ndodhur çdo gjë, sepse lufta është marrëzi, është tmerr, është shkatërrim.
Preverti është poet i jetës së përditshme, çasteve të jetës, i poezive që na ngjajnë neve, siç shprehet vetë ai. Shpesh këto skena nga jeta e rëndomtë shërbejnë si një sfond për motive e tema shumë më serioze, si në poezinë, “Barbara”. Si shumë poezi të tjera të Prevertit, edhe kjo poezi u është nënshtruar notave muzikore dhe është bërë një këngë e bukur, kënduar nga këngëtarë shumë të njohur, si: Yves Montand. “Barbara” është poezi për dashurinë e kundër luftës.
Philadelphia, më 28 dhjetor 2022
Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.
Sadik, me ke bere nje dhurate te bukur me kete poezi kaq te vecante, qe e tera duket si nje copez jete ,(por qe thote kaq shume) e filmuar nga nje mjeshter, sic eshte autori I kesaj poezie. Rrofsh!