Bardh Spahia i “Shtëpisë së Lirisë” e shpall fitoren në Shkodër

Tiranë, 7 mars 2022 – Kandidati i koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Bardh Spahia, e ka shpallur fitoren në zgjedhjet për kryetar të bashkisë së Shkodrës, ndonëse kanë mbetur

Spahia i ka falënderuar mbështetësit e tij, si edhe të gjithë ata që kanë kontribuar për zgjedhje të qeta dhe të ndershme.

“Në këtë ditë historike, ditë shprese për të gjithë demokracinë shqiptare, për opozitarizmin e vërtetë shqiptar dhe jo vetëm shkodran, dua ta nis me falënderim nga zemra për të gjithë demokratët, qytetarë e bashkisë së Shkodrës, për vlerësimin që më dhanë. Dua të falënderoj dhe aleatët tanë për luajalitetin që bënë për të arritur fitoren. Falënderim nga zemra shkon për të gjithë gazetarët, që e transmetuat me profesionalizëm këtë garë, por dhe për atë trupë të jashtëzakonshme komisionerësh për mos tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve të Shkodrës. Dua të falënderoj nga zemra stafin e shtabit elektoral dhe këtë rini të jashtëzakonshme që i dhanë energji kësaj gare elektorale. Me falënderimin e përzemërt ndaj qytetarëve të bashkisë sonë, dua t’u garantojë se nga nesër do të jem kryebashkiaku i të gjithë qytetarëve të Shkodrës”, ka thënë ai.

Spahia ka përcjellë mesazhe afrimi për rivalët e tij, pavarësisht prej përkatësisë dhe bindjeve të tyre politike, si edhe për bashkimin e demokratëve.

“Një thirrje kam dhe për ata që nuk zgjodhën për të më votuar mua dhe për ata demokratë që ndoshta e humbën rrugën. Dera jonë, dera e shumicës, do të jetë e hapur për shkodranët dhe jo vetëm”, ka thënë ai.

Bardh Spahia ka premtuar edhe me këtë rast se do të punojë me përkushtim për zgjidhjen e problemeve dhe për zhvillimin e bashkisë së Shkodrës

“Nga sot në Shkodër nis ndryshimi i ri. Do të komunikoj siç duhet, do identifikoj prioritetet dhe do t’i jap zgjidhje. Jemi këtu për të vlerësuar forcën që garanton vota e lirë. Vumë në piedestal forcën e votës së lirë. Do të komunikoj siç duhet, do të identifikoj prioritetet dhe do t’i jap zgjidhje”, ka theksuar ai.

Bardh Spahia i ka fituar 43.7 për qind të votave. Pas tij kanë mbetur kandidatja e PS-së, Majlinda Angoni, me 39.5 për qind dhe kandidati i Partisë Demokratike, Xhemal Bushati, me 16.8 për qind të votave.

(r.m.)