Ai u lind më 25 dhjetor 1948 në Lipë të Përmetit. Shkollën e mesme e kreu në gjimnazin “Sami Frashëri” në qytetin e Përmetit, ndërsa studimet e larta i mbaroi në Tiranë, në Fakultetin Histori Filologji, dega e gjuhëve të huaja. Nga viti 1970 deri në gusht 1979 punoi si mësues në Zhepë, në Këlcyrë dhe në qytetin e Përmetit. Punën e filloi në fshatin Zhepë, në zonën kufitare, një qendër banimi jo shumë e thellë krahasuar me krahinat e Malëshovës dhe Dangëllisë, për të cilën poeti i ardhshëm do të shkruante: “Megjithëse nuk shkrova asnjë varg në Zhepë, jam shumë i sigurt se në rast se nuk do të kisha jetuar atje dy vjet në moshën time më të bukur, unë nuk do t’i shkruaja më vonë as ‘Vdekja e vajzës së Naim Frashërit’, as ‘Epitaf për shtatë ëndrra’ dhe as ‘Thirrjet e gjakut’”.
Në vitin 1979 erdhi në Lidhjen e Shkrimtarëve, në gazetën letrare “Drita”, e më vonë u emërua kryeredaktor i saj. I përket brezit të shkrimtarëve që hynë në letërsi në vitet ’70, por shumë shpejt, në vitet ’80, u bë një nga emrat më të njohur të poezisë dhe letërsisë shqiptare. Duket se prodhimtaria më e madhe e tij është ajo e viteve 1975-1996, periudhë në të cilën boton tetë përmbledhje me poezi.
Poezia e tij është kryesisht e rimuar, jehon me melodi traditat e pasura të vargut tosk. Lirika e këtij poeti përmetar është e butë, e bukur, e ëmbël. Në poezinë e tij, vargu godet me fuqinë e shpirtit të poetit, vargje brilante, magji e vërtetë. Poezia e Londos është gjithë mesazhe, botë shpirtërore, plot lëng jete. Ai është mjeshtër i fantazisë, i fjalës, i vargut. Poezitë e tij kanë metafora të forta. Kushtimi referuar subjektit qortues i jep ngjyra poezisë dhe e bën vuajtjen madhështore dhe të bukur. Ai është mjeshtër i fjalës, metafora e tij zbukuron çdo varg. Poezia e tij përzgjedh fjalën më të vërtetë e më tingëlluese të gjuhës shqipe.
Kjo poezi ka tërhequr vazhdimisht vëmendjen e lexuesit, që vjen nga të gjitha brezat. Ajo është realiteti ku jetojmë, realiteti që prekim dhe përjetojmë çdo ditë, prej të cilit provojmë gëzimet apo hidhërimet, është realiteti i botës shqiptare që trashëgojmë nga njeri brez në tjetrin, me shpresën e dëshirën për ta ndryshuar në të mirë të familjes dhe të shoqërisë sonë, me prirje për të depërtuar në thellësi të fenomeneve të shoqërisë.
Ata që e njohin poezinë e Londos, qofshin këta poetë, studiues, kritikë apo lexues, vërejnë se ajo shquhet për bukurinë e fjalës poetike, për sintaksën e zgjedhur, për pasurinë e shprehjeve, të metaforave, të simboleve, të krahasimeve, për ritmin e brendshëm, për muzikalitetin, strukturën e veçantë, kërkimin e vazhdueshëm, që gjithnjë ia del të na befasojë me stilin e përveçëm dhe estetikën qartësisht të dallueshme. Ai është i thellë në ndjenja dhe i kursyer në fjalë, ashtu e mbaj mend që në gjimnaz, në oborrin e shkollës, kur prisnim që babua t’i binte ziles për fillimin e mësimit. Ai, kur ndodhej vetëm, por edhe me shokë, qëndronte me fytyrë ballë për ballë malit Dhëmbel, krejt i heshtur. Poezia e tij të tërheq si magnet dhe të fut në mendime.
Vargjet e Bardhyl Londos shpesh janë si një melodi, njëherazi e trishtë dhe e ëmbël, që pushtojnë ço zemër njeriu. Si, për shembull, poezia “Kushtimi”: “Dal nga një trishtim, hyj në një tjetër..., Dal nga një dhembje, hyj në një tjetër… Dal nga një vdekje, hyj në një tjetër…”, në të cilën dhimbja përplas flatrat për të kërkuar qiejt e jetës. Shpesh poezinë e Bardhit e lind dhimbja. Vargu i tij pikon dhembshuri, dashuri, trishtim, mirësi, siç është vetë jeta.
Ai është ndër të rrallët poetë lëvrues të poemës, nuk rreshti së dhëni poezisë shqipe lirizmin intensiv në një eter personal, duke iu përgjigjur një gjendjeje shpirtërore të ekuilibruar me materien. Ai vlerësohet për jehonën melodike dhe traditën e pasur poetike.
Poeti Londo shkroi në dy periudha: në periudhën kur detyrohej metoda letrare e u realizmit socialist dhe në periudhën kur u bë e mundur liria e shprehjes, nga vitet ‘90 e deri në ditët e sotme. Karakteristikat e përbashkëta të vargut të asaj kohe me të sotmen janë të shumta, megjithatë lexuesi i kujdesshëm nuk e ka të vështirë të dallojë kur është shkruar një poezi ose tjetra. Në ato të paraviteve ‘90-të duket një vetëkontroll e dalje nga vetja, ndërsa në pjesën e dyte të krijimtarisë tij poeti ndihet i shpenguar, po edhe me një revoltë të brendshme për sistemin e mëparshëm, ndërsa të sotmin e analizon poetikisht më drejtpërdrejt.
Bardhyl Londo është poet i elitës së poezisë shqipe të të gjitha kohërave. Krijimtaria e tij e ndarë në dy gjysma nuk vihet re as si prerje, as si thyerje, sepse, siç shprehet në një nga poezitë e tij, e jeton të sotmen me pasionin për të nesërmen.
Përmetari i shquar përkrahu ndryshimet e viteve ‘90-të, por ka qenë i ekuilibruar edhe kritik, megjithë ndonjë zëri kundër poezisë së tij të viteve ‘70-‘80. Në vitin 1992 u zgjodh kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, ku qëndroi për dy legjislatura, aq sa e lejonte statuti, deri në vitin 1998. Në vitin 2001 u zgjodh deputet i Kuvendit në një legjislaturë, më vonë punoi në Ministrinë e Kulturës.
Poeti është kritik për të shkuarën, por është objektiv në analizat e tij të thella e jo sipërfaqësore. “Dikur, në rininë tonë, Tirana ishte parajsa e kinemave. Kinema ‘Partizani’… Kinema ‘17 Nëntori’, e cila deri në vitin 1944 quhej kinema ‘Kosova’, verore dhe dimërore. Kinema ‘Republika’, verore dhe dimërore. Kinemaja e Re, kinema ‘Agimi’, kinema ‘Ali Demi’. Dhe të mos harrojmë se Tirana atëherë ishte një qytet 200 deri 250 mijë banorë. Vërtet filmat ishin të paktë dhe vinin kryesisht nga Lindja, por kinematë në shumë raste ishin plot nga ora 10 e mëngjesit deri në mesnatë… Për fat të keq, kryeqyteti ynë është shndërruar në ferrin e institucioneve kombëtare…”.
Edhe ndaj së sotmes është kritik. Diku në janarin e vitit 2021, ai i shkruan shokut të tij të rinisë, Sami Milloshit: “Miku im, rininë e kaluam nën pandeminë politike, të sotmen nën një pandemi që askush nuk e shpjegon”.
Botimet e tij kryesore përfshijnë poezinë dhe prozën, ndër to: “Krisma dhe trëndafila”, poezi (1975); “Hapa në rrugë”, poezi (1981); “Emrin e ka dashuri”, poezi (1984); “Si ta qetësoj detin”, poezi; “Ditët njerëzore”, poemë; “Shën Shiu”, poezi (2010); “Jeta që na dhanë”, prozë (2013); “Tempulli brenda dhe jashtë”, ese dhe publicistike; “Fluturimi i korbave: 7 poema”; “Kur perënditë ndaluan vetëvrasjen”, poezi; “Eksodi i Yjeve”, botuar në Shkup; “Shenjtor dhe djall”, poezi; “Vetëm Itaka”, poezi (botuar në Prishtinë); “Hap po deshe kalendarin”, poemë; “Nata e verbër”, i vetmi roman; “Prilli i hidhur”, poezi (2020); dhe shumë artikuj me tematika të ndryshme. Ka përkthyer poetët e njohur botërorë, si izraelitin Yehuda Amichai; polakun Adam Zagajewski etj. Poezia e tij zë vend të nderuar në themel të kulturës sonë kombëtare dhe për vlerat e saj është përkthyer në shumë gjuhë të botës.
Vitet e fundit u përball me një sëmundje të rëndë, për të cilën rrëfen netët e gjata në spital, ku “takoi” vdekjen dhe zbulimin e madh të jetës, të një humanizmi të rrallë te njerëzit që e rrethojnë, te shoqëria, por dhe te miqtë virtualë në “Facebook”.
“Në njëfarë mënyre unë jetova bashkë me vdekjen për një periudhë. Kam fjetur në një shtrat me vdekjen. Nuk dihej kush do të fitonte, ajo apo do të fitoja unë. … është një përvojë që të mëson shumë gjëra, si duhet të jetosh, të luftosh, e si të sillesh”.
Bardhyl Londo është një personalitet që ngërthen poetin, prozatorin, kritikun e arteve, intelektualin e shquar, drejtuesin e institucioneve artistike e mbi të gjitha njeriun me shpirt të madh e bujar. Ai do të mbetet poeti i ndjenjave të holla dhe i dhimbjes së thellë.
Vitin e kaluar (2021) Libri “Prill i hidhur” mori çmim në Fier dhe në Tiranë çmimin e parë kombëtar për poezinë.
Nga Presidenti i Republikës i është dhënë titulli “Mjeshtër i Madh”, nga Kuvendi i Shqipërisë Urdhri “Naim Frashëri”; nga Bashkia e Përmetit titulli “Qytetar Nderi i Përmetit”, ndërsa nga komuna Frashër “Nder i Frashërit”.
Bardhyli krenohet që është përmetar, i kthehet shpesh qytetit të tij, por edhe Përmeti e përmetarët krenohen me Bardhyl London.
I Urojmë shërim të shpejtë!
Shefqet Saliu