Bardhyli: Duhet një ligj i ri për të mbrojtur shqipen

Tiranë, 20 nëntor 2021 – Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit, Alda Bardhyli, ka thënë se gjuha shqipe përballet me sfida të shumta, prandaj duhet një ligj i posaçëm për mbrojtjen e saj.

“Presionet ndaj gjuhës kanë qenë të mëdha. Gjuha gjithmonë është në presion. Ka ardhur koha që gjuhëtarët shqiptarë ta mbrojmë gjuhën nga presionet e kohës. Një ligj për gjuhën do ta ndihmonte shumë gjuhën shqipe”, ka thënë Bardhyli, në një intervistë për OraNeës.

Ajo ka thënë se problemi kryesor i gjuhës shqipe sot janë fjalët e huaja dhe fjalët e shkurtuara, ndërsa për tekstet e këngëve nga Kosova i ka cilësuar si “masakrim” të gjuhës shqipe.

“Sfida kryesore e gjuhës shqipe janë fjalët e huaja që vijnë në gjuhën shqipe. Po të shohësh fjalorin e të rinjve, fjalët e shkurtuara, ka gjithmonë e më tepër një ikje nga gjuha zyrtare. Tekstet e këngëve, sidomos ato që na vijnë nga ana tjetër e kufirit, Kosova, janë pothuajse në masakrim i gjuhës shqipe”, është shprehur ajo.

Alda Bardhyli ka thënë se gjuhëtarët dhe institucionet shkencore e kulturore duhet të ndërmarrin masa për mbrojtjen e gjuhës.

“Është shumë e rëndësishme të dialogohet edhe të merren nisma të rëndësishme zyrtare për sa i përket ruajtjes të shqipes nga këto presione.

Akademikët dhe gjuhëtarët janë në një diskutim për mbrojtjen e gjuhës. Kohët e fundit janë botuar studime interesante mbi shqipen nga gjuhëtarë shqiptarë dhe kosovarë”, ka thënë ajo.

(r.m.)