Basha: BE të përqendrojë energjitë në arritjen e marrëveshjes për njohje reciproke mes Kosovës e Serbisë

Tiranë, 5 tetor 2021 – Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i ka kërkuar Bashkimit Europian që të përqendrojë energjinë e në arritjen e marrëveshjes përfundimtare dhe njohjes reciproke midis Kosovës dhe Serbisë.

“Ngjarjet e fundit në kufirin Kosovë-Serbi dhe në Malin e Zi tregojnë se sa e brishtë mbetet paqja dhe stabiliteti në këtë rajon. Remineshencat e një të kaluare jo shumë të largët, të përziera me interesa gjeo-strategjike të fuqive jo-perëndimore, janë një fitil që mund të ndizet nga momenti në moment. Siç e dimë të gjithë, problemet e pazgjidhura shumë lehtë mund të kthehen në kriza. Kjo është arsyeja pse është jetike për BE-në që të përqëndrojë energjinë e saj drejt marrëveshjes përfundimtare të njohjes reciproke midis Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Basha, në samitin e Partive Popullore Europiane (PPE) për Ballkanin Perëndimor, i cili i filloi punimet të martën.

Basha ka thënë se më parë pavarësia e Kosovës duhet të njihet nga pesë shtetet të Bashkimit Evropian që nuk e kanë bërë këtë.

“Asnjë paralelizëm nuk mund të bëhet, asnjë argument nuk mund të justifikojë mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës, përderisa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e ka certifikuar atë. Vetëm në këtë mënyrë, Ballkani Perëndimor do të hyjë në një epokë të re të bashkëpunimit dhe zhvillimit, e cila me siguri do të jetë një vlerë e shtuar për BE-në”, ka theksuar Basha.

(r.m.)