Tiranë, 17 korrik 2021 – Në Shqipëri, kryetari i Partisë Demokratike (PD), Lulzim Basha, ka propozuar Platformën Qytetarë për Demokracinë në Shqipëri.
Në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të PD-së, ai ka thënë se misioni i demokratëve është që “t’ua kthejnë qytetarëve të drejtën për të vendosur”.
“Përballë përmbysjes së marrëdhënive të qytetarit me shtetin që ka prodhuar ky regjim i korruptuar, misioni i Partisë Demokratike është t’ua kthejë qytetarëve kontrollin mbi shtetin e tyre, t’ua kthejë shumicës së shqiptarëve të drejtën për të jetuar një jetë të plotë dhe të lirë për realizimin e aspiratave të tyre, këtu pranë familjeve dhe miqve të tyre, larg trysnisë së një pushteti që ka depërtuar dhunshëm në cdo qelizë të shoqërisë, një shteti që merr gjithcka dhe nuk jep asgjë, t’ua kthejë të drejtën për të vendosur, t’ua kthejë Shqipërinë shqiptarëve”, është shprehur ai.
Basha ka thënë se PD-ja do të bashkëpunojë me të gjitha grupet shoqërore që angazhohen për kthimin e normalitetit në Shqipëri.
“Rruga drejt realizimi të këtij misioni nuk është e lehtë dhe as e tillë që Partia Demokratike mund ta përshkojë e vetme. Ajo fillon duke u dhënë pushtet qytetarëve. Ndaj me forcën që na dhanë qytetarët në 25 prill, ne ftojmë shumicën e shqiptarëve që kërkojnë ndryshim rrënjësor në punët e vendit, dhe rezultate të prekshme për veten dhe fëmijët e tyre, që të ndërtojmë së bashku një Platformë Qytetare për Demokracinë. Ndërtimi i kësaj platforme do të ketë në themelin e saj rikthimin e legjitimitetit dhe demokracisë në vend”, ka thënë ai.
“Ne do të bashkëpunojmë me të gjitha grupet shoqërore: intelektualë, studentë, pedagogë, sipërmarrës, artistë, gazetarë, profesionistë, fermerë, të rinj e të reja që kërkojnë kthimin e normalitetit në vend, që kërkojnë zgjedhje të lira, ndryshime kushtetuese dhe ligjore, që garantojnë ndarjen dhe balancimin e pushteteve, që përmirësojnë përfaqësimin politik, që reformojnë ndarjen territoriale dhe demokratizojnë pushtetin vendor, që mundësojnë ushtrimin e demokracisë së drejtpërdrejtë, nëpërmjet referendumeve lokale dhe kombëtare, propozimeve për çlirimin e ekonomisë nga oligarkët dhe nga modeli i dështuar ekonomik që po ia merr frymën sipërmarrjes së ndershme, për lirinë dhe pavarësinë e medias, për shkëputjen përfundimtare të politikës nga krimi, për ndryshime që e bëjnë shoqërinë realisht demokratike dhe e shpëtojnë shtetin nga kapja e një pakice që e kërcënon të ardhmen e vendit”, ka theksuar Basha.
Kryetari i PD-së ua ka shtrirë dorën e pajtimit të gjithë atyre që kanë qenë pjesë e Partisë Demokratike dhe u kabërë thirrje në kthehen përsëri në këtë parti.
“Sot gjithashtu kam një thirrje për të gjithë ata që e kuptojnë rrezikun që ky regjim përbën për demokracinë dhe ndër vite kanë kontribuar për Partinë Demokratike. Kjo është dhe mbetet shtëpia juaj. Nëse doni të jepni kontributin tuaj, apo të ktheni në shërbim ndaj demokratëve besimin që demokratët ju kanë dhënë ndër vite, jeni të mirëpritur”, ka thënë ai.
Por, Basha u është drejtuar me një mesazh të veçantë kritikëve të PD-së.
“Kam edhe një mesazh për të gjithë ata që, për një motiv apo për një tjetër, e kanë parë të arsyeshme të luftojnë më shumë kundër Partisë Demokratike se sa kundër Ramës: Dora ime do të mbetet përherë e shtrirë, nëse doni t’i bashkoheni aksionit tonë dhe t’u ktheheni vlerave tona, por kurrë më nuk do të kthej faqen tjetër ndaj gjithë atyre që sakrificat e demokratëve i shpërdorojnë për inate personale apo për përfitime të përkohshme”, është shprehur Basha.
Kryetari i PD-së ka thënë se “historia” e zgjedhjeve të 25 prillit nuk është mbyllur. Ai ka thënë se PD-ja nuk e njeh këtë proces dhe ka theksuar se PD-ja nuk është në “luftë” me Partinë Socialiste, por me “modelin që e ka ndërtuar Edi Rama brenda kësaj force politike”.
““Ne e dimë që Edi Rama është armiku i demokracisë. Të gjithë e dinë që Edi Rama i ka manipuluar zgjedhjet, por gjithashtu e dimë që Edi Rama nuk e blen dot të djeshmen e tij. Pesha e korrupsionit dhe krimit me të cilin bashkëpunon dhe e dështimeve 8 vjeçare i qëndron mbi krye si Shpata e Demokleut që sa vjen dhe bëhet më e rëndë. Prandaj, për ne 25 prilli nuk është një histori e mbyllur. Masakra zgjedhore nuk është thjesht hileja e tij e radhës kundër shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve, por është një krim që kërkon ndëshkim. Ne nuk e njohim atë dhe autorët e saj duhet dhe do të mbajnë përgjegjësi për cfarë i kanë bërë vendit tonë dhe demokracisë”, ka theksuar Basha.
“Ne nuk do të reshtim përpjekjet tona, brenda dhe jashtë vendit, derisa ndryshimi të vijë për shumicën e shqiptarëve që e donin këtë ndryshim më 25 prill dhe e duan edhe më shumë sot, kur oferta e vetme që Rama ka është më shumë krim, më shumë korrupsion dhe më shumë dështime. Ne angazhohemi fort për ta kthyer shtetin shqiptar në shtet të shqiptarëve, për ta kthyer në shtet europian, në shtet i cili e mbron lirinë individuale, garanton paprekshmërinë e jetës, mbron pronën private dhe publike, mbron paratë dhe ekonominë e njerëzve, mbron dinjitetin dhe personalitetin e njeriut. Ndaj, ne do të ndërmarrim, të gjithë bashkë, të gjitha vendimet e nevojshme për ta çuar deri në fund luftën tonë kundër këtij regjimi, përmes përsosjes së mëtejshme të qeverisjes së shtëpisë tonë të përbashkët, shtëpisë ku secili e gjen vendin e vet”, ka thënë ai.
Basha ka theksuar se demokratët duhet t’i bashkojnë forcat në liftën kundër Edi Ramës, të cilin e ka quajtur si “armikun e vetëm të demokracisë” në Shqipëri.
“Ne nuk do të pranojmë kurrë padrejtësitë që janë kryer, jo vetëm mbi demokratët, por mbi të gjithë shqiptarët. Ne nuk do të pranojmë në heshtje modelin e shtetit të bërë njësh me partinë, me krimin dhe oligarkinë. Ne nuk do të pranojmë që vendi të hyjë në një natë të gjatë, errësira e të cilës përngjan me atë që tri dekada më parë u ça nga drita e shpresës, me të cilën sfiduan regjimin themeluesit e kësaj partie të madhe dhe demokratike, sepse ne jemi demokratët e Shqipërisë. Ne nuk dorëzohemi, ne nuk mund të nënshtrohemi, ne nuk mund të na zbraps askush, ne nuk mund të na gjunjëzojë asgjë. Ndaj ne nuk tërhiqemi. Ne e mirëpresim përballjen me këtë regjim, sepse është shënuar në fatin e çdo demokrati dhe të çdo demokratje”, ka theksuar ai.
“Beteja për liri, për zgjedhje të lira, për demokraci janë të brendashkruara në indentitetin tonë, dhe jetët tona lartësohen e fisnikërohen kur çdo energji, çdo sakrificë, çdo ditë të jetës tonë e japim në përmbushje të misionit tonë ndaj Shqipërisë, ndaj vlerave tona, ndaj familjes tonë politike. Janë vlerat tona, është besimi që ne kemi te individi, te liria, te shteti i së drejtës, te dashuria për atdheun që na vendosin në rreshtin e parë të kësaj beteje kundër armiqve të demokracisë. Dhe kësaj beteje ne nuk i kemi thënë kurrë ‘jo’. E nuk kemi ndërmend t’i themi ‘jo’ sot, kur, përkundër të gjitha paligjshmërive të këtij regjimi, diferenca mes nesh dhe tij mbetet sa votat e blera nga dy anonimë, pjellë të paligjshmërisë”, është shprehur Basha në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar të Partisë Demokartike.
(r.m.)