Tiranë, 11 mars 2021 – Në Shqipëri, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi sot se zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit ishin një masakër elektorale dhe se rezultati i tyre nuk do të njihet kurrë.
Ai nuk dha ndonjë deklaratë të qartë, nëse deputetët e PD-së do të hyjnë apo jo në parlamentin e ri.
Zoti Basha tha gjatë një tubimi në Durrës me përkrahës të opozitës se zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit ishin një masakër elektorale, ku krimi i organizuar tjetërsoi vullnetin e votuesve, ku Partia Socialiste shfrytëzoi gjerësisht burimet shtetërore dhe u bë njësh me shtetin dhe ku ndodhi masivisht shitblerja e votave për qeverinë dhe pavlefshmëria e fletëve të votimit në masë të madhe.
“Ky rezultat nuk do të njihet kurrë dhe për kë mendon se 25 prilli është mbarimi i betejës tonë për t’u siguruar durrsakëve dhe të gjithë shqiptarëve të ardhmen që meritojnë në vend të masakrës mbi demokracinë, mbi familjet e tyre, mbi bizneset e tyre, mbi të ardhëm e tyre e ka gabim. Beteja jonë vazhdon dhe do të vazhdoje deri në përmbysjen e regjimit Rama-Doshi” – tha kryetari i PD-së.
Zoti Basha tha se gjatë një viti opozita u ka dëshmuar me fakte institucioneve ndërkombëtare krimet zgjedhore të Partisë Socialiste dhe të kryeministrit Rama, ndërsa dhe gjithë prokuroritë e vendit janë 180 padi për këto krime para dhe pas ditës së zgjedhjeve.
Kjo, sipas tij, është një sfidë edhe për drejtësinë e re edhe për KQZ-në, ku opozita kërkoi pavlefshmërinë dhe rivotimin në 9 nga 12 qarqe të vendit.
“Beteja po bëhet për të ardhmen e Shqipërisë, ndaj nuk do të cedojmë asnjë milimetër, nuk do të humbasim asnjë sekondë, nuk do të lëmë asnjë mjet, asnjë forum dhe asnjë copëz energji dhe fuqi, pa përdorur, derisa ëndrra e shqiptarëve për ndryshim, ta bëjmë realitet, derisa Shqipëria të jetë e sigurt drejt të ardhmes më të mirë, për të cilën investoi fuqishëm me 25 prill, ëndërr të cilën kemi detyrimin ta bëjmë realitet, me gjithë forcën tonë të përbashkët” – tha zoti Basha.
Kryetari i PD-së foli për vazhdimin e betejës politike në çdo forum, e hapësirë me çdo mundësi, por ende mbetet e paqartë se çfarë hapi do të hedhë Partia Demokratike në lidhje me parlamentin, institucionin themelor ligjvënës të shtetit, prej nga është larguar prej më shumë se 2 vjetësh.
Po ashtu zoti Basha anashkaloi edhe sot, ashtu si në daljet e pakta për mediat pas ditës së zgjedhjeve, ndonjë koment lidhur me kërkesat e një grupi figurash të njohura të Partisë Demokratike, të cilët i kanë kërkuar dorëheqjen pas humbjes së zgjedhjeve, dhe shpalljen e garës për kryetar të ri dhe forume të reja drejtuese.
Anëtari i kryesisë, Fatbardh Kadilli, shpalli kandidimin e tij për kryetar të partisë dhe një grup tjetër politikanësh të opozitës, mes të cilëve ish presidenti i Republikës, Bujar Nishani, deklaruan se zoti Basha pati gjithë kohën dhe mbështetjen e duhur pr të siguruar një fitore më 25 prill, por nga paaftësia e tij ishin socialistët ata që fituan një mandat të tretë qeverisës.
Megjithatë kërkesat e tyre për dorëheqje të zotit Basha vijnë në një kohë, kur mandati i tij i rregullt skadon në korrik, kur priten edhe hapa të tjera në këtë drejtim.
(Ilirian Agolli,Zëri i Amerikës)