Tiranë, 12 mars 2022 – I gjendur përballë kërkesave në rritje për dorëheqje nga pozita e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha deklaroi të shtunën se ai është në dispozicion të një zgjidhjeje që do të çonte në bashkimin e demokratëve.
Këtë deklaratë ai e bëri në përfundim të mbledhjes së grupit parlamentar tëPD-së, e cila është thirrur për të dytën herë pas zgjedhjeve të 6 marsit në 6 bashki të vendit.
Rezultati i dobët që e çoi Partinë Demokratike në vend të tretë shënoi një kthesë të fortë të situatës në gjirin e demokratëve. Dy nënkryetarët, zoti Agron Gjekmarkaj dhe zonja Grida Duma, dhanë dorëheqje, duke kërkuar nga zoti Basha që të marrë përgjegjësitë e tij. Sot këtyre zërave u janë bashkuar dhe dy nënkryetarët e tjerë, Enkelejd Alibeaj dhe Jorida Tabaku, por edhe Sekretari i Përgjithshëm Gazmend Bardhi.
Një pjesë e deputetëve kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të zotit Basha. Një pjesë tjetër kanëkërkuar që ai të bëjë një hap pas për t’i hapur rrugë bashkimit të demokratëve. Kjo pjesë e deputetëve duket se e kushtëzon tërheqjen e zotit Basha nga drejtimi i partisë, me heqjen dorë të ish-kryeministrit Sali Berisha nga synimi për t’u rikthyer në drejtimin e partisë.
“Ajo që është e qartë, është se do duhet të gjejmë një zgjidhje përtej dy individëve që kanë shkaktuar këtë problem dhe sa kohë ka një problem të shkaktar nga dy individë, do të duhet që të dy të tërhiqen që të gjejmë rrugën e zgjidhjes për të bashkuar demokratë. Vetëm duke lënë mënjane armiqësinë dhe luftën mes njëri tjetrit mund të fitojmë e të bëhemi alternativë qeverisëse”, deklaroi Sekretari i përgjithshëm Gazmend Bardhi, në përfundim të mbledhjes.
Në të njëjtën linjë ishte dhe nënkryetari Enkelejd Alibeaj.
“Zoti Basha e ka thënë që vihet në dipozicion të çdo zgjidhjeje që heq problemin. Dhe zoti Berisha duhet të heqë dorë nga fryma përçarëse, pra injektimi i një atmosfere jo përbashkuese, dhe ky është minimumi që çdokush ja ka detyrim demokratëve”, u shpreh ai.
Vetë zoti Basha, në përfundim të mbledhjes, tha është i gatishëm të vihet “në dispozicion të zgjidhjes” në të gjitha format dhe mënyrat e mundshme që ndihmojnë përbashkimin e Partisë Demokratike dhe ecjen e demokratëve përpara”.
Basha duket se mund të shkojë drejt heqjes dorë nga drejtimi i partisë, por nuk është i gatshëm ta bëjë këtë pa bërë një tërheqje nga objektivi i tij edhe zoti Berisha.
Por, ish kryeministri Berisha e ka bërë të qartë se askush nuk mund të detyrohet të heqë dorë nga mundësia e konfirmimit ose jo përmes votës. Aq më tepër që tani ai ndjehet në pozita më të favorshme. Më 6 mars, kandidatët e tij fituan ndjeshëm më shumë vota se kandidatët e zotit Basha.
Komisioni i Rithemelimit të PD-së, i cili e mbështet Berishën, reagoi ndaj kërkesës së Bashës që ish-kryeministri të mos kandidohet për kryetar të partisë.
“Pasi i është përvjedhur gjithë jetën e tij politike përgjegjësisë për serialin e humbjeve, edhe kësaj here (Basha), tashmë i damkosur si humbës serial dhe peng mjeran, kërkon t’i shpëtojë asaj duke e vënë veten në një hap me Sali Berishën”.
“Zgjidhja e vetme është bashkimi përmes rikthimit tek vota e lirë! Anëtarët, drejtuesit, deputetët e PD-së, e kanë vendin e tyre të pamohueshëm në Partinë Demokratike të votës së lirë. Kush ka frikë votën e lirë të demokratëve nuk ka moral të kërkojë votën e shqiptarëve. Çdo demokrate dhe demokrat duhet të kuptojë se përjashtimet dhe mungesa e votës së lirë janë vdekja e një force politike”, thuhet në deklaratë.
(Zëri i Amerikës)