Bruksel / Kiev, 7 nëntor 2022 – Presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen e informoi presidentin e Ukrainës, Volodymir Zelenski, për një paketë të re ndihmash, me vlerë 18 miliardë euro, raporton DW.
Komisioni i BE-së njoftoi se kjo ndihmë është planifikuar të jepet në këste mujore prej 1.5 miliardë eurosh secili.
Në bisedën telefonike që zhvilloi me presidentin Zelenski, Presidentja von der Layen tha se kreditë do të japin një “kontribut të rëndësishëm” për nevojat financiare të Ukrainës për vitin 2023.
Fondet e BE-së do të mbështesin Ukrainën edhe për të zbatuar reforma të mëtejshme në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE.
Edhe Presidenti Zelenski njoftoi në Twitter se kishte folur me von der Leyen për mbështetje financiare për vitin aktual dhe vitin e ardhshëm.
Ai bëri të ditur se një tjetër temë e bisedës ishte eksporti i drithit nga Ukraina nëpërmjet Detit të Zi, si kontribut për sigurinë globale të ushqimit.
Një marrëveshje e ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara dhe Turqia në muajin korrik, e cila synon të sigurojë eksportet e drithit nga Ukraina, është e vlefshme deri më 19 nëntor, por Rusia e ka lënë të hapur mundësinë për zgjatjen e saj.
(r.m.)