Prishtinë, 27 qershor 2022 – Xhorxhina Bami, nga Tirana, jeton në Prishtinë qysh në vitin 2015. Fillimisht ka studiuar, ndërsa në dy vjetët e fundit është e angazhuar si gazetare në një rrjet rajonal të lajmeve.
Për të punuar dhe qëndruar në Kosovë, 25-vjeçarja duhet të pajiset me leje të përkohshme qëndrimi dhe leje të punës sikurse çdo qytetar tjetër që nuk është shtetas i Republikës së Kosovës, siç parashihet me Ligjin për të huaj.
Xhorxhina tregoi për Radion Evropa e Lirë se procedurat për sigurimin e këtyre lejeve janë më të thjeshta në dy vjetët e fundit, nëse krahasohen me periudhën e mëparshme.
“Unë, para një muaji, e kam bërë aplikimin për të marrë lejen e qëndrimit për pesë vjet dhe ma kanë aprovuar javën e kaluar. Në këtë rast më është dashur kontrata e punës dhe kontrata e banesës ose një vërtetim që jam duke jetuar ligjërisht në Prishtinë ose në ndonjë qytet tjetër të Kosovës”, tha Xhorxhina.
Sipas ligjit në fuqi, i huaji mund të punojë në Kosovë pasi të ketë marrë leje qëndrimi, e cila e përfshin edhe lejen e punës.
Xhorxhina tha se deri sivjet ka pasur leje njëvjeçare qëndrimi. Ajo tregoi se procedura për sigurimin e saj deri në vitin 2020 ka qenë më e komplikuar, pasi janë kërkuar më shumë dokumente, përfshirë: dëshmitë se ka mjete të mjaftueshme për jetesë, se nuk përbën kërcënim për sigurinë shtetërore, rendin publik ose shëndetin publik, sigurimin shëndetësor, e të tjera.
Procedurat duket se kanë nisur të thjeshtohen prej se Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë e kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkimin e tregut të punës, të emërtuar Marrëveshja për Mobilitet në Punë.
Kjo marrëveshje, e nënshkruar në mbledhjen e gjashtë të përbashkët të dy qeverive, më 2 tetor 2020, në Tiranë, parasheh që qytetarët e Shqipërisë që duan të punojnë në Kosovë nuk kanë nevojë të pajisen me leje qëndrimi, përkatësisht me leje të punës. Edhe anasjelltas.
Por, kjo marrëveshje nuk zbatohet plotësisht. Punëkërkuesit e Kosovës dhe ata të Shqipërisë mund të punojnë apo të marrin shërbime në agjencitë përkatëse për punësim në të dyja shtetet pa pasur nevojë për leje pune, por të dyja palët vazhdojnë të kërkojnë leje qëndrimi.
Nga Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës konfirmohet lehtësimi i procedurave për pajisjen e shtetasve të Shqipërisë me leje qëndrimi, por nuk tregojnë se kur mund të nisë zbatimi i Marrëveshjes për Mobilitet në Punë, e cila nuk kërkon fare leje qëndrimi.
“Për t’u pajisur me leje qëndrimi të përkohshme, shtetasit [e Shqipërisë] duhet të kenë vetëm dokumentin e udhëtimit të vlefshëm dhe adresën e saktë të qëndrimit në territorin e palës tjetër, e vërtetuar me dokumentin përkatës [kontratë qiraje, certifikatë të pronësisë ose deklaratë noteriale]”, thuhet në deklaratën e MPB-së për Radion Evropa e Lirë.
Shpëtim Kalludra, udhëheqës i Divizionit për zhvillimin e masave aktive të tregut të punës dhe analiza në Agjencinë e Punësimit të Kosovës, tha se për zbatimin e plotë të Marrëveshjes për Mobilitet në Punë nevojitet edhe eliminimi i disa procedurave të tjera, por nuk i specifikon ato.
“Ka lehtësim të procedurave, por ende ka punë… Sepse, krejt Marrëveshja e Mobilitetit nënkupton një bashkëpunim shumë të ngushtë në mes të Agjencisë së Punësimit të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë”, tha Kalludra.
Ai tregoi se Agjencia e Punësimit e Kosovës dhe Agjencia e Punësimit e Shqipërisë javën e kaluar e kanë mbajtur një takim rreth kësaj marrëveshjeje, nga i cili, siç u shpreh, “nuk ka dalë diçka konkrete”.
Sipas Kalludrës, takimi i radhës do të mbahet në fund të korrikut.
Radio Evropa e Lirë ka kërkuar prononcim edhe nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) në Shqipëri, por nuk ka marrë përgjigje.
Me rregullat aktuale, të huajt që kërkojnë të pajisjen me leje pune në Shqipëri mund të aplikojnë online, në portalin e-Albania. Aplikuesi, i cili mund të jetë vetë personi i huaj apo punëdhënësi i tij, përveç kërkesës në gjuhën shqipe, duhet të dorëzojë online edhe të tjera dokumente, si: kontratën e punës, kualifikimet profesionale e të tjera.
Nëse AKPA-ja vlerëson se dokumentacioni i paraqitur është i plotë, ajo e pajis të huajin me leje pune brenda dhjetë ditësh. E njëjta procedurë ndiqet edhe në rastin e shqyrtimit të dokumentacionit për ripërtëritjen e lejes së punës.
Sa shtetas të Shqipërisë janë pajisur me leje qëndrimi në Kosovë?
Në një raport të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës bëhet e ditur se në vitin 2021 leje të përkohshme qëndrimi në Kosovë kanë marrë 1,203 shtetas të Shqipërisë. Prej tyre, 638 kanë marrë leje për bashkim familjar, kurse 543 kanë marrë leje pune.
Në vitin 2020, leje qëndrimi në Kosovë kanë marrë 940 shtetas të Shqipërisë, ndërsa në vitin 2019 vetëm 204 vetë.
Në raport nuk specifikohet nëse këta persona kanë marrë leje qëndrimi për herë të parë apo atyre u është vazhduar leja.
Mbi 120 marrëveshje mes Kosovës e Shqipërisë
Marrëveshja për Mobilitet në Punë është një nga 127 marrëveshjet e nënshkruara nga Qeveria e Kosovës dhe Qeveria e Shqipërisë prej vitit 2014, kur ka nisur praktika e mbledhjeve të tyre të përbashkëta.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se prej marrwveshjebve tw nwnshkruara janë duke u zbatuar vetwm 75 sosh.
Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, në mbledhjen e tyre të fundit, më 20 qershor, në Prishtinë, i nënshkruan edhe 19 marrëveshje të tjera në fushën e arsimit, doganave, energjisë, bujqësisë, infrastrukturës rrugore, transportit, shëndetësisë, mbrojtjes dhe drejtësisë.
Ndërkohë, Xhorxhina tha se për lejen 5-vjeçare të qëndrimit, e cila tashmë i është aprovuar, duhet të caktojë edhe një termin për fotografi dhe për shenja të gishtërinjve, por, sipas saj, aktualisht nuk ka termin të lirë.
“Kjo është shumë problem, sepse ka shumë njerëz [që bëjnë kërkesa] dhe kanë shumë pak kapacitete”, thotë ajo.
Xhorxhina thotë se meqë është në procedurë të marrjes së lejes, qëndrimi i saj në Kosovë është i ligjshëm.
(Nadie Ahmeti, REL)