Baste diplomatike

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Cili 5 vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën do të ndryshojë qendrim i pari

 

Përparimi i Kosovës në planin ndërkombëtar, njohja, anëtarësimit madje edhe vetë pranimi i mundshëm nga Serbia varen nga unifikimi i qendrimit të Bashkimit Europian.
Siç dihet, vetëm 5 nga 27 vendet anëtare nuk e kanë njohur Kosovën. Shpresa dhe besimi në Washington, Bruksel dhe Prishtinë është që një ditë edhe këto vende t’i bashkohen shumicës. Në fund të fundit, kundërshtimi i tyre lidhet me probleme të brendshme sesa me çështjen e Kosovës.
Ato janë Spanja, Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja.
Po cili vend do të ndryshojë i pari? Nëse do të gjykonit zhvillimet e fundit diplomatike me këto pesë vende apo zhvillimet e tyre të brendshme a ka ndonjë shenjë se diçka ndryshon në lidhje me Kosovën.
E vërteta është se vëmendja te të pesë këto vende ka qenë e madhe në ditët e fundit, që kur Kosova dhe Serbia arritën marrëveshjen e tyre, të lavdëruar si historike, në Bruksel. Një rezolutë e aprovuar me shumicë të fuqishme në parlamentin europian, u bëri thirrje këtyre vendeve që ta njohin Kosovën. Për më tepër, propozimi për rezolutën erdhi nga europarlamentarë që janë pikërisht nga këto pesë vende “rebele”.
Milan Nic, ish-diplomat sllovak, një nga studjuesit kryesorë në institutin CEPI, kishte mbajtur së fundi, një leksion për politikën e jashtme në një universitet të kryeqytetit, Bratislava,që ishte kthyer papritmas në një debat për Kosovën. Po diskutimi, sipas tij, nuk ishte më shumë “nëse” duhej njohur Kosova, po se “kur” duhej njohur ajo.
Duket se ministri i jashtëm sllovak, Miroslav Lajcak ka vendosur që ta zgjidhë këtë çështje, por për këtë i duhet një votë në parlament, që nuk është e sigurtë ndërsa opinion publik në Sllovaki është ende kundër njohjes.
Në mars të vitit 2007, kur Kosova ende nuk e kishte shpallur pavarësinë, por dukej se bisedimet Kosovë-Serbi për statusin nuk po jepnin asnjë rezultat, të trembur nga reagimet në pakicën hungareze, në vend, parlamenti i Sllovakisë miratoi një rezolutë sipas të cilës pavarësia e Kosovës nuk duhej të njihej se destabilizonte Ballkanin.
Sot, është e qartë që Kosova në fakt e ka bërë Ballkanin më të paqtë dhe të qendrueshëm. Por Sllovakia duhet të çfuqizojë këtë rezolutë përpara se ta njohë Kosovën. “Fundi i lojës mbetet në parlament e jo në qeveri”, pohon Milan Nic, i cili ka ka qenë këshilltar i Sekretarit të Shtetit në Ministrinë e Jashtme të Sllovakisë.
Një tjetër ekspert, britaniku James Ker-Lindsay, studjues i Europës Juglindore në universitetin prestigjioz London School of Economics, shqyrton reagimet e pesë vendeve anti-pavarësi ndaj zhvillimeve të fundit dhe beson se dy vende janë treguar mospërfillëse dhe nuk ka shenja se mund të ndryshojnë. Ato janë Spanja dhe Qiproja. Sipas ekspertit britanik, Greqia do të kishte ndryshuar qendrim, por ka një solidaritet diplomatik me Qipron. Si përfundim, Rumania dhe Sllovakia janë sipas tij në garë për njohjen e radhës në BE. “Puna është nëse do ta bëjnë në një ditë apo veç e veç”, thotë ai.
Por eksperti sllovak Milan Nic, ndonëse është i sigurtë se Sllovakia do ta njohë Kosovën, thotë se kjo nuk do të ndodhë përpara zgjedhjeve presidenciale në Sllovaki në mesin e vitit 2014.
A mbetet atëhere Rumania e vetme në krye të garës drejt njohjes së parë?
Në fakt, pas rezolutës së fundit, në Parlamentin Europian, kryeministri i Rumanisë, Viktor Ponta tha se për çështjet kryesore, përfshi edhe njohjen e Kosovës, Rumania duhet t’i bashkohet familjes europiane, në të cilën bën pjesë.
Në asnjë nga katër vendet e tjera, nuk ka pasur ndonjë deklaratë kaq të hapur nga një zyrtar kaq i lartë.
Një kundërshtar i fortë i njohjes së pavarëisë së Kosovës është Presidenti Baçesku, mirëpo në vitin e kaluar mes eurodeputetëve që votuan pro-pavarësisë së Kosovës ishte edhe Elena Baçesku, vajza e tij.
Rumania (ashtu si Sllovakia) druhet se pakica hungareze në vend do ta përdorë Kosovën si precedent. Pa këtë shqetësim, këto vende do ta kishin njohur me kohë republikën e fundit që ka dalë nga hapësira jugosllave.
Ponta u emërua kryeministër në maj 2012 pa mbushur ende 39 vjeç. Një politikan i ri me ambicie dhe vizion europian, nuk është për t’u habitur që ka folur hapur për thyerjen e një tabuje, si ajo e Kosovës.
Megjithatë, Greqia do të vijojë të mbetet pretendente. Në Athinë janë të ndërgjegjshëm tashmë për realitetin e pakthyeshëm ballkanik. Një tjetër arsye që ndihmon është zhgënjimi i jashtëzakonshëm grek ndaj Serbisë, lidhur me politikën e ndjekur për emrin e Maqedonisë.
Greqia kundërshton me forcë emrin Maqedoni, për shtetin me kryeqytet Shkupin. Ajo ka vënë veton kundër hyrjes së Maqedonisë në NATO (në vitin 2008, kur hynë Shqipëria dhe Kroacia); ka premtuar të bëjë të njëjtën gjë për BE-në dhe ka lejuar hyrjen në OKB, vetëm me kushtin që Maqedonia të njihet si FYROM (Republika Ish-Jugosllave e Maqedonisë).
Sipas Greqisë, Maqedonia është emir i një krahine të madhe greke, në kufi me shtetin e ri dhe pasja e të njëjtit emër do të pjellë nesër ambicje territoriale ndaj Greqisë.
Mirëpo, ndërsa vendet e rajonit kanë shpërfillur kërkesën greke dhe kanë njohur Maqedoninë me emrin e saj, Athina priste që të paktën Serbia të qendronte besnike ndaj saj, ashtu si Greqia e ka ndihmuar në momentet më të vështira. Ndoshta Beogradi është hakmarrur për arsye se Greqia nuk vuri veton në NATO kundër ndërhyrjes në Kosovë, po ajo që është e qartë është se boshti është thyer dhe tani asgjë nuk është më tabu.