Denion Ndrenika
Fitorja e Aleksandër Vuçiqit, president i Serbisë, në zgjedhjet e së dielës së 21 qershorit 2020, prej shumëkujt shihet si mbështetje për kinse “europianistin” apo nga shumëkush tjetër, si mbështetje për “autokracinë”.
Marr shkas shkurtimisht për këtë shkrim nga komentet e munguara ndonëse mund të fshihen pas qenies shtetarë, të drejtuesve të Shqipërisë apo nga ish-ministri i Jashtëm, Tritan Shehu që mbështet të të dytën, pra fitoren e autokracisë.
Për asnjërën nga të dy palët, nuk ndihem mirë teksa i vërej që nuk flasin shkoqur, shkurt e trup, që cilado parti apo cilido individ të fitojë në Serbi, për shqiptarët nuk ka kurrfarë fitimi.
Andrijeviqët, karagjorgjevët, millosheviqët, rankoviqët apo cilëtdo më parë e më pas, kurrë nuk ua kanë krijuar barazinë shqiptarëve të trojeve etnike të Shqipërisë që mbetën jashtë në Londër në 1913, paçka se vullnetplotë ishin shprehur për shtetin e vetëm të tyre në Lidhjen e Prizrenit 1878 dhe vendosur në Kuvendin e Vlorës 1912, shto edhe Konferencën e Bujanit 1943-1944.
Ndonëse më duhet t’u kërkoj ndjesë lexuesve që e përdor, por fjala dhe sjellja “palaço” u shkon fare mirë për shtati krejt shtetarëve të Shqipërisë në cilëndo kohë, përderisa e trajtojnë një zhvillim për Serbinë dhe serbët aspak si çështje që lidhet me Shqipërinë dhe kur them “Shqipëri” flas për atë që u vendos në Prizren dhe në Vlorë.
Fundi i fundit, askujt nuk duhet t’i vijë keq sepse çka shkruaj, mbështetet qartë në tërë historinë e marrëdhënieve sllavo-shqiptare, ndonëse ndarazi mund të shihen si me serbët, malazezët apo bullgarët.
I veçoj sepse nga të tri këta popuj sllavë ne shqiptarët kemi rënë pre e genocidit, masakrave, dëbimeve, shpopullimeve, marrjes dhunshëm të trojeve të Shqipërisë në çdo rast, me apo pa traktate ndërkombëtare nga Nishi në Ohër, nga Podgorica në Manastir, nga Vranja në Kërçovë, nga Ulqini e Tivari në Shkup e Kumanovë e ngado Luginës së Preshevës, Medvegjës, Bujanocit, Tërnocit, Rrozhajës, Vuthajve, Malësisë, Tuzit, krejt an’ e mbanë ku na dha Zoti diell dhe tokë.
E kujt i bëhet vonë nëse me Vuçiqin ka europianizim apo amerikanizim të Serbisë, kur Serbia nuk ka rreshtur dhe sa na tregon analiza historike, ase se do të rreshtë ndokur së vrari e masakruari shqiptarët?
Domosdo që shpesh them dhe tash e rithem, se i përçmoj lexuesit dashakeq të shkrimeve se kinse jam armiqësor apo nuk dua marrëdhënie të mira me fqinjët.
Unë vetëm theksoj fort se për palaçollëkun e Shqipërisë, zhvillimet në Serbi na u dashkërka t’i shohim si europianizuese apo më së paku siç thotë zoti Shehu, autokratike.
Me apo pa europianizim, me apo pa autokraci, ftoj këdo të më thotë se çfarë ka ndryshuar në marrëdhëniet kriminale serbe ndaj shqiptarëve dhe Shqipërisë.
Mos vallë ndokush nga serbët apo sllavët ka thënë se Shqipëria ka të drejtën të ketë shtetin e saj siç u vendos në të vetmet Kuvende Mbarëkombëtarë të Prizrenit dhe Vlorës sot e kësaj dite të pashfuqizuar prej kërrkujt, përfshi batakçinjtë ndarës të kohëve të reja?
E përderisa askush në Serbi nuk hedh hapin madhor të rivendosjes së të drejtës së Shqipërisë për shtetin e saj të vetëm sikurse u shpall vullneti në Prizren dhe vendimi në Vlorë, nuk ka mundësi ta shohim Serbinë dhe serbët si të shpëtuar nga europianizmi apo amerikanizmi vuçiqist apo gjynahqarë nga autokracia vuçiqosëse.
Vetëm rikthimi i Shqipërisë në kufijtë e Prizrenit dhe Vlorës e ndreq Ballkanin dhe ua mbyll gojën të vetëquajturve shtetarë të rinj apo kujdestarë të trojeve të Shqipërisë të sakatuara nga sllavët dhe grekët.
Andaj, shpresa apo çmimi vlerësues për fitoren e Vuçiqit, apo keqardhja për autokracinë e Vuçiqit në Serbi, as që kalon nga marrëdhëniet me shqiptarët, sikundër historia masakruese, genocidiale serbe nuk na dëshmon ndonjë rishikim të krimeve të tyre ndaj nesh.
Me apo pa Vuçiq, serbët mbeten me kohë e pa kohë, genocidialë kundër shqiptarëve.
Ah, për kujtesë, më thoni nëse kanë kërkuar së paku ndjesë sa për sy e faqe për qindra vjet genocid.
Pra për fundi, asnjë ndryshim nuk ka për shqiptarët nga cilido fitues në Serbi.