BE: Askush s’mund ta mohojë Masakrën e Reçakut

Bruksel, 10 dhjetor 2021 – Bashkimi Evropian ka reaguar lidhur me mohimin e Masakrës së Reçakut  nga ministri i Punëve të Brendshme të Serbisë, Aleksandar Vulin.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se Masakra e Reçakut nuk mund të kontestohet nga askush.

“Ajo që ka ndodhur në Reçak të Kosovës dhe mizoritë e kryera atje në janar të vitit 1999 janë të dokumentuara mirë”, ka thënë Stano për Radion Evropa e Lirë.

Stano ka thënë se mohimi i Masakrës së Reçakut është në kundërshtim me vlerat e Bashkimit Evropian dhe me projektin e integrimit të Ballkanit Perëndimor në këtë union.

“E ritheksojmë se nuk ka vend për të mohuar apo nënvlerësuar atë që ka ndodhur në Reçak”, ka thënë Stano.

Ai ka thënë se BE-ja u bën thirrje autoriteteve në mbarë rajonin që të punojnë për një vlerësim të drejtë të së kaluarës dhe ka theksuar se rajoni ka nevojë për pajtim, stabilitet dhe normalizim të marrëdhënieve.

Shefi i misionit të atëhershëm vëzhgues të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë, Uilliam Uoker, i cili e kishte vizituar vendin ku ishte kryer masakra në Reçak, kishte thënë se aty ishte kryer “krim kundër njerëzimit”.

Kjo nuk është hera e parë që Vulin, i cili cili është shumë i afërt ideologjikisht me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e mohon Masakrën e Reçakut.

Udhëheqja e Serbisë, në raste të ndryshme, e kanë cilësuar Masakrën e Reçakut si “krim të fabrikuar”.

(r.m.)