BE: Bashkëpunimi me Serbinë do të vazhdojë, pavarësisht nga përbërja qeverisë së saj të re

Bruksel, 2 maj 2024 – Brukseli zyrtar tha se me Qeverinë e re të Serbisë do të vazhdojë bashkëpunimin për realizimin e “qëllimit strategjik” të vendit, anëtarësimin në BE. Por, theksoi se Serbia duhet të përmbushë “kriteret e domosdoshme” të BE-së, sidomos në politikën e jashtme.

“Serbia e di shumë mirë se pritjet e BE-së janë të tilla që ajo duhet të bëjë gjithçka që është e nevojshme, për t’i përmbushur kriteret e domosdoshme, sidomos kur bëhet fjalë për politikën e jashtme… Ajo duhet të përshtatet gjithnjë e më shumë me vendimet dhe pozicionin e BE-së kur është në pyetje politika e jashtme”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

Ai tha se përfshirja në Qeverinë e Serbisë të Aleksandar Vulinit dhe Nenad Popoviqit, të cilët janë shpallur “non grata” nga SHBA për shkak të lidhjeve të tyre me Rusinë, është “në kundërshtim me përcaktimin strategjik të Serbisë”. Por, shprehu bindjen se Serbia “do të tregojë përkushtim në rrugën evropiane”, pavarësisht nga përbërja e qeverisë.

“Më lejoni ta përsëris edhe një herë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një zgjedhje strategjike dhe nga Qeveria serbe presim që, pavarësisht nga përbërja e saj, të tregojë përkushtim në rrugën evropiane, për të mirën e popullit të saj dhe për besueshmërinë e saj”, tha Stano.

Të mërkurën, Departamenti amerikan i Shtetit, u shpreh i zhgënjyer që Vulin e Popoviq do të jenë pjesë e Qeverisë së re të Serbisë.

President ii Serbisë, Aleksandar Vuçiq, e ka shpërfillur qëndrimin e SHBA-së për përfshirjen e personave “non grata” në Qeverinë e Serbisë. Ai ka thënë se e “kupton” reagimin e Uashingtonit, pork a theksuar se përbërja e qeverisë buron nga “vota e popullit të Serbisë”.

Në Kuvendin e Serbisë ka vazhduar debati për përbërjen e qeverisës së re dhe për programin e saj. Një pjesë e opozitës e ka kritikuar vendimin e partisë së Vuçiqit dhe të partive që do të jenë pjesë e koalicionit qeverisës për përfshirjen në të të personave “non grata”.

Votimi për kabinetin e ri qeveritar do të ëhet në përfundim të debatit.

(r.m.)