Tiranë, 6 dhjetor 2022 – Operatorët telefonikë të Bashkimit Evropian dhe ata të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar të martën një marrëveshje në Tiranë për zvogëlim të tarifave të romingut.
Marrëveshja, e cila është nënshkruar në kuadër të samitit BE- Ballkani Perëndimor, do të nisë së zbatuari më 1 tetor të vitit 2023.
Zotimi kryesor i liderëve të bllokut evropian në këtë samit pritet të jetë mbështetja dhe përshpejtimi për procesin e zgjerimit të BE-së.
Tema të tjera me rëndësi që pritet të diskutohen janë edhe pasojat e pushtimit rus të Ukrainës dhe bashkërendimi i përgjigjes ndaj tyre, sa i përket politikës së jashtme dhe sigurisë, por edhe menaxhimi i krizës energjetike.
Samiti do të përmbyllet me një deklaratë të përbashkët të liderëve. Në deklaratë, përveç zotimit për përshpejtimin e procesit të integrimit të Ballkanit Perëndimor në BE, pritet të theksohet edhe rëndësia e partneritetit mes bllokut dhe këtij rajoni.
“Agresioni i Rusisë kundër Ukrainës, që po përshkallëzohet dhe po e vë në rrezik paqen dhe sigurinë evropiane e atë globale, potencon rëndësinë e partneritetit strategjik mes BE-së dhe rajonit të Ballkanit Perëndimor“, thuhet në tekstin e draft-deklaratës së Tiranës.
Në këtë draft-dokument theksohet se “vendet e rajonit duhet ta harmonizojnë politikën e tyre të jashtme dhe të sigurisë me atë të BE-së”.
(r.m.)