Tiranë, 8 shkurt 2022 – Delegacioni i BE-së dhe Ambasada e SHBA-së në Shqipëri kanë dalë me një deklaratë të përbashkët lidhur me zgjatjen e afatit të vettingut.
Në deklaratën për shtyp të dy selive diplomatike u bëhet thirrje deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë që të votojnë pro zgjatjes së afatit.
“Kjo nuk është çështje partiake. Shpresojmë që të gjithë deputetët- pavarësisht nga përkatësia partiake – ta shohin këtë si një çështje të interesit kombëtar dhe të votojnë në përputhje me të, ashtu siç kanë mbështetur gjithmonë rrugën evropiane të Shqipërisë. Vota për zgjatjen e vetingut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE”, theksohet në deklaratë.
Propozimi për ndryshime kushtetuese që krijojnë bazën kushtetuese për zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut në drejtësi është në rendin e ditës së seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë që do të mbahet të enjten, më 10 shkurt.
Deklarata e plotë:
Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka bërë përparime domethënëse në reformat e anëtarësimit në BE. Ndër hapat më të vështirë, por thelbësorë, ka qenë miratimi dhe zbatimi i reformës në drejtësi. Jemi në një moment të rëndësishëm pasi reforma në drejtësi po jep rezultate.
Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve është një element themelor i reformës në drejtësi. Për t’u mundësuar institucioneve të vetingut të kryejnë misionin e tyre, është i nevojshëm ndryshimi i kushtetutës për ta zgjatur mandatin e tyre për një periudhë të kufizuar. Komisioni i Venecias konfirmoi se zgjatja e propozuar është në përputhje me standardet evropiane dhe është e nevojshme për të garantuar barazinë para ligjit dhe sigurinë juridike.
Zgjatja e propozuar e vetingut mbështetet fuqishëm nga miqtë e Shqipërisë që dëshirojnë ta shohin Shqipërinë në BE sa më shpejt të jetë e mundur. Kjo nuk është çështje partiake. Shpresojmë që të gjithë deputetët- pavarësisht nga përkatësia partiake – ta shohin këtë si një çështje të interesit kombëtar dhe të votojnë në përputhje me të, ashtu siç kanë mbështetur gjithmonë rrugën evropiane të Shqipërisë. Vota për zgjatjen e vetingut është votë për të ardhmen e Shqipërisë në BE.
(r.m.)