Bruksel, 17 mars 2025 – Vendimi për t’i ndërprerë fondet e Radios Evropa e Lirë ndezi kritika të ashpra mes gazetarëve, aktivistëve dhe organizatave ndërkombëtare, të cilat e cilësuan si sulm të drejtpërdrejtë mbi lirinë e medias dhe si kufizim serioz të së drejtës së qytetarëve për t’u informuar nga burime të pavarura.
Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian diskutuan të hënën për mbështetjen e mundshme evropiane të këtij mediumi.
“Është e trishtueshme të dëgjosh që SHBA-ja po i tërheq fondet e saj”, tha pas takimit shefja e politikës së jashtme të BE-së, Kaja Kallas.
“Tani, pyetja për ne është: a mund të ndërhyjmë me fondet tona për të mbushur boshllëkun që po lë SHBA-ja? Përgjigjja është: jo në mënyrë automatike, sepse kemi shumë organizata që vijnë me të njëjtën kërkesë te ne”, tha ajo, duke shtuar se i mbetet BE-së për të parë se çfarë mund të bëjë.
Çështja e vazhdimit të mundshëm të financimit nga BE-ja u ngrit në Bruksel me kërkesë të ministrit të Jashtëm të Çekisë, Jan Lipavsky, vendi i të cilit është nikoqir i selisë qendrore të REL-it për gati tri dekada.
Burimet diplomatike i thanë REL-it se Polonia dhe tri vendet baltike – Letonia, Estonia dhe Lituania – shprehën mbështetje për idenë e tij, megjithëse “kjo nuk nënkupton mungesë të mbështetjes edhe më të gjerë”.
Ministri i Jashtëm polak, Radek Sikorski, rikujtoi se Radio Evropa e Lirë dhe Zëri i Amerikës, gjatë kohës së komunizmit, ishin burimi i vetëm i informacionit të besueshëm për shumë njerëz në Evropën lindore.
“Këto institucione vazhdojnë të bëjnë punë të ngjashme për autokracitë edhe sot”, tha Sikorski në një deklaratë për REL-in.
“Nga mbyllja përfitojnë kundërshtarët”
Bashkimi Evropian reagoi edhe më herët përmes zëdhënëses Audia Paula Pinho, e cila tha se Radio Evropa e Lirë dhe Zëri i Amerikës janë “fener i së vërtetës, demokracisë dhe shpresës për miliona njerëz në mbarë botën”.
“Në një epokë të përmbajtjes së pamoderuar dhe lajmeve të rreme”, tha Pinho, gazetaria dhe liria e shtypit, që këto media përfaqësojnë, “janë kritike për demokracinë”.
“Nga ky vendim ka rrezik të përfitojnë kundërshtarët tanë të përbashkët”, tha zëdhënësja.
Grupi politik liberal “Renew Europe” i Parlamentit Evropian shprehu shqetësim për, siç tha, “erozionin e mundshëm” të lirisë së medias në Evropë dhe në rajonet fqinje.
“Radio Evropa e Lirë ishte historikisht e dobishme në ofrimin e lajmeve dhe informacioneve të paanshme, sidomos në vendet ku liria e shtypit është nën kërcënim. Ndërprerja e papritur e financimit të SHBA-së rrezikon aftësinë e organizatës për të vepruar në mënyrë efektive, duke lënë një boshllëk që mund të shfrytëzohet nga regjimet autoritare, të cilat përpiqen ta shtypin fjalën e lirë dhe t’i kontrollojnë narrativët”, tha përmes një deklarate grupi “Renew Europe”.
Ai, po ashtu, i bëri thirrje BE-së që të ndërmarrë veprime të menjëhershme për të mbështetur Radion Evropa e Lirë dhe organizata të ngjashme, duke thënë se “mbështetja mund të përfshijë financim të drejtpërdrejtë, lehtësim të partneriteteve ose integrimin e këtyre subjekteve në kornizat ekzistuese të BE-së, të dedikuara për promovimin e pluralizmit dhe lirisë së medias”.
Shoqata e Korrespondentëve të Huaj, në anën tjetër, tha se qëndron në solidaritet të plotë me gazetarët dhe stafin e Radios Evropa e Lirë, puna e të cilëve “ka pasur një ndikim të thellë”.
“Humbja e Radios Evropa e Lirë jo vetëm që kërcënon jetesën e punonjësve të saj, por gjithashtu minon përpjekjet kolektive për të mbështetur vlerat demokratike dhe për të luftuar regjimet shtypëse”, thuhet në deklaratën e organizatës me seli në Bruksel.
Derisa Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve u kërkoi udhëheqësve të Kongresit amerikan që ta mbrojnë USAGM-në nga urdhri i presidentit Trump, presidenti i Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus, tha se ndërprerja e fondeve për organizatën do të ishte “një dhuratë masive për armiqtë e Amerikës”.
“Ajatollahët iranianë, liderët komunistë kinezë dhe autokratët në Moskë dhe Minsk do të festonin shkatërrimin e Radios Evropa e Lirë pas 75 vjetësh”, tha Capus.
Senatorja demokrate, Jeanne Shaheen, anëtare e Komitetit të Senatit amerikan për Marrëdhënie me Jashtë, tha se, nëse Trump ia arrin qëllimit të tij, “ata që varen nga mediat e pavarura – të mbështetura nga SHBA-ja si alternativa ndaj mediave kineze dhe të Kremlinit – dhe ata që jetojnë nën regjime autoritare, do të humbasin një burim kritik”.
Kremlini reagoi, duke thënë se vendimi i presidentit Trump për të ndërprerë financimin e Radios Evropa e Lirë, “është një vendim i brendshëm i SHBA-së, që realisht nuk e shqetëson Rusinë”.