BE do ta ndihmojë Kosovën në luftimin e krimit

Bruksel, 17 nëntor 2021 – Gjatë qëndrimit në Bruksel, për raundin e dialogut Kosovë-Serbi, Zëvendëskryeministri i Kosovës për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi, u takua me Komisionerin për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi.

Në komunikatën për media thuhet se në takim është diskutuar për projekte potenciale në kuadër të mekanizmit të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA) dhe për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit përmes ndihmës financiare dhe ekspertizës që Bashkimi Evropian mund të ofrojë për Kosovën në rrugëtimin e saj drejt BE-së.

“Duke biseduar për reformat e nisura nga Qeveria e Republikës së Kosovës, Komisioneri për Zgjerim i Bashkimit Evropian, Varhelyi, tha se do ta ndihmojë Kosovën në luftimin e krimit. Gjatë takimit u theksua rëndësia e zbatimit të shpejtë të Planit Ekonomik dhe Investues të BE-së për Ballkanin Perëndimor”, thuhet në komunikatë.

Gjatë takimit është biseduar edhe për procesin e vaksinimit kundër COVID-19 dhe Komisioneri Varhelyi ka shprehur gatishmërinë e BE-së për të ndihmuar procesin e njohjes së certifikatës së vaksinimit në Kosovë.

(r.m.)