BE e dënon mohimin apo relativizimin e gjenocidit në Srebrenicë

Bruksel, 29 mars 2021 – Bashkimi Europian ka bërë thirrje të mos relativizohet apo mohohet gjenocidi në Srebrenicë, duke theksuar se zyrtarët e të gjitha shteteve që synojnë të integrohen në BE duhet të respektojnë vlerat europiane, përfshirë trajtimin me respekt të viktimave të gjenocidit dhe të krimeve të luftës.

“Bashkimi Evropian refuzon dhe dënon çfarëdo mohimi, relativizmi apo keqinterpretimi të gjenocidit në Srebrenicë. Vitin e kaluar shënuam 25 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë, një prej kapitujve më të errët në historinë moderne të Europës. Është koha që të gjithë liderët politikë në rajon të udhëheqin rrugën drejt respektimit të viktimave dhe promovojnë pajtimin”, thuhet në deklaratën e BE-së.

Në deklaratë thuhet se Be është “bashkim i vlerave” dhe se “mohimi i fakteve të dëshmuara dhe dokumentuara mirë për ngjarjet e luftës, përfshirë edhe krimet e luftës, shkojnë kundër themeleve të këtyre vlerave”.

Kjo deklaratë e BE-së vjen pas deklaratës së ministrit të Drejtësisë dhe Pakicave në Mal të Zi, Vladimir Leposaviq, i cili ka thënë se nuk ka “njohuri” se në Srebrenicë ka ndodhur gjenocid.

(r.m.)