BE e mbështet liberalizimi i vizave për Kosovën

Bruksel, 16 maj 2022 – Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare të Bashkimit Evropiane kanë pasur të hënën një takim të përbashkët me homologët e tyre nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Në takim është biseduar për procesin e integrimit të vendeve të rajonit në Bashkimin Evropian, si edhe për zhvillimet në rajon në dritën e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës.

Shefi i diplomacisë evropiane, Josep Borrell, ka thënë se në Bruksel pritet që vendet që aspirojnë të anëtarësohen në BE duhet të adoptojnë politikat e tyre të jashtme me atë të BE-së.

“Ne i kemi ftuar edhe ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor ku kemi diskutuar për të ardhmen dhe rrugën e tyre për në Bashkimin Evropian. Ne kemi mbështetur aleatët që kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë. Serbia është një nga vendet që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë dhe duhet që sa më parë ta bëjë këtë. Ne presim që kandidatët për anëtarësim në BE që t’i bashkohen politikës së jashtme të BE-së”, ka thënë Borrell, pas takimit.

Borrell ka bërë të ditur se në takim është diskutuar edhe për dialogun Kosovë-Serbi. Ai ka shfaqur shpresën se takimi i radhës i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të realizohet “para verës”.

“Ne kemi nevojë për angazhim konstruktiv dhe progres të shpejtë drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Të gjithë janë dakord për këtë, por kur ulen bashkë, e kanë problem të përparojnë. Duhet të ndërtojmë besim”, ka thënë Borrell.

“Shpresoj se para verës do të mund të mbajmë një takim tjetër të nivelit më të lartë politik në mes të kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të Serbisë”, ka shtuar ai.

Borrell ka thënë se BE e mbështet liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

“Ne e mbështesim liberalizimin e vizave për Kosovën”, ka thënë ai dhe ka rikujtuar se Komisioni Evropian e ka paraqitur disa herë si çështje dhe ka vlerësuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin.

(r.m.)