Bruksel, 15 dhjetor 2023 – Udhëheqësit e Bashkimit Evropian u pajtuan të hapin bisedimet për anëtarësimin e Ukrainës ndonëse ajo vazhdon të luftojë agresionin rus, por nuk arritën të pajtohen për një paketë ndihme financiare prej 50 miliardë eurosh për Kievin, për shkak të kundërshtimit të Hungarisë.
Në një takim në Bruksel, udhëheqësit e tjerë anashkaluan kundërshtimet e kryeministrit hungarez Viktor Orban, i cili u largua nga dhoma ndërsa ata ndërmorën hapin historik për fillimin e negociatave të anëtarësimit të një vendi në luftë.
Por ata nuk arritën të tejkalojnë rezistencën e kryeministrit Orban, i cili mban lidhje të ngushta me Rusinë, ndaj një ripërtëritjeje të buxhetit të bllokut për të siguruar mbështetjen financiare jetike për Ukrainën dhe për të siguruar më shumë para për përparësitë e tjera të BE-së, siç është menaxhimi i migracionit.
Ata përfunduan bisedimet mbi paketën financiare, e cila kërkon mbështetjen e njëzëshme të 27 udhëheqësve të BE-së, në orët e hershme të mëngjesit të së premtes dhe thanë se do të provojnë sërish në janar, me njëfarë optimizmi që një marrëveshje mund të arrihet atëherë.
Zyrtarët thanë se udhëheqësit e 26 nga 27 vendet anëtare të BE-së ishin të kënaqur me një propozim buxheti të paraqitur nga kryesuesi i takimit, Charles Michel.
“Ne kemi ende kohë, Ukraina nuk është pa para në javët e ardhshme”, u tha gazetarëve kryeministri holandez Mark Rutte derisa po largohej nga bisedimet. “Jam mjaft i sigurt se mund të arrijmë një marrëveshje në fillim të vitit të ardhshëm, po mendojmë për fundin e janarit”, tha kryeministri Rutte.
Kryeministri Orban ka argumentuar se Ukraina nuk duhet të marrë shuma kaq të mëdha parash nga buxheti i BE-së pasi nuk është pjesë e bllokut. Udhëheqës të tjerë e kanë siguruar Kievin se do të dërgojnë ndihma për Ukrainën jashtë buxhetit të BE-së nëse Budapesti nuk ndryshon qëndrim.
Lajmi për bllokimin e financimit ishte një njoftim i hidhur për Ukrainën, disa orë pasi udhëheqësit u pajtuan të hapnin bisedimet e anëtarësimit.
Edhe pse anëtarësimi ka të ngjarë të jetë shumë vite larg, vendimi në Bruksel e çon Ukrainën një hap më afër qëllimit të saj strategjik afatgjatë për t’u ankoruar në Perëndim dhe për të dalë nga orbita e Moskës.
Vendimi u mor në një kohë kritike për Ukrainën, pasi kundërsulmi i saj ndaj forcave ruse ka dështuar të sjellë përfitime të mëdha, ndërsa presidenti amerikan Joe Biden deri më tani nuk arriti të sigurojë një paketë prej 60 miliardë dollarësh për Kievin përmes Kongresit amerikan.
“Kjo është një fitore për Ukrainën. Një fitore për gjithë Evropën. Një fitore që motivon, frymëzon dhe forcon”, deklaroi presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy.
“Përgëzoj çdo ukrainas për këtë ditë… Historinë e bëjnë ata që nuk lodhen duke luftuar për liri”, theksoi ai.
Kancelari gjerman Olaf Scholz luajti një rol thelbësor për të bindur kryeministrin Orban të largohej nga dhoma për t’i hapur rrugën vendimit, thanë diplomatët dhe zyrtarët. Kancelari Scholz tha se vendimi ishte “një shenjë e fortë mbështetjeje” për Ukrainën.
Udhëheqësit ranë dakord gjithashtu për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit për Moldavinë, një tjetër ish republikë sovjetike dhe për t’i dhënë Gjeorgjisë, statusin e kandidatit për anëtarësim.
“Është e qartë se këto vende i përkasin familjes evropiane”, tha kancelari Scholz në platformën e mediave sociale X.
Ein starkes Zeichen der Unterstützung und eine Perspektive für die Ukraine: Im #EUCO haben wir gerade beschlossen, Beitrittsgespräche mit der #Ukraine und auch mit #Moldau zu beginnen. Klar ist: Diese Länder gehören zur europäischen Familie.
— Bundeskanzler Olaf Scholz (@Bundeskanzler) December 14, 2023
Udhëheqësit thanë se do të fillojnë gjithashtu bisedimet e anëtarësimit të Bosnjës pasi ajo të ketë ndërmarrë disa reforma politike.
Kundërshtimet e kryeministrit Orban
Kryeministri hungarez kishte përmendur korrupsionin dhe çështje të tjera duke argumentuar se Ukraina nuk ishte gati për bisedimet me BE-në, por diplomatët dyshojnë se ai po e përdorte këtë çështje si një mjet pazaresh në përpjekje për të zhbllokuar fondet e ngrira të BE-së për shkak të shqetësimeve për sundimin e ligjit në Hungari.
Të mërkurën, Komisioni Evropian, organi ekzekutiv i BE-së, rivendosi qasjen e Hungarisë në deri 10.2 miliardë euro për projektet ekonomike pasi konstatoi se ajo kishte përmbushur kushtet që lidhen me pavarësinë e gjyqësorit të saj.
Kryeministri Orban nguli këmbë në kundërshtimet e tij ndaj bisedimeve të anëtarësimit të Ukrainës edhe pas marrjes së vendimit.
“Qëndrimi i Hungarisë është i qartë, Ukraina nuk është e përgatitur që ne të fillojmë bisedimet për anëtarësimin e saj në BE”, tha ai, duke e quajtur vendimin për fillimin e bisedimeve “joracional” dhe “të papërshtatshëm”.
Kryeministri belg Alexander De Croo, duke pasqyruar zhgënjimin me kryeministrin Orban, tha se ishte koha që hungarezët të heshtin.
“Nëse jeni pjesë e vendimit, jeni dakord me vendimin, ose më pas duhet të heshtni”, tha ai.
E ndodhur në mes të luftës, gjeografikisht më e madhe se çdo anëtare tjetër e BE-së dhe me një popullsi prej 44 milionë banorësh, Ukraina paraqet disa sfida unike për pranimin në bllokun prej 27 anëtarësh.
Por bisedimet e anëtarësimit ka të ngjarë të zgjasin vite dhe nuk do të fillojnë menjëherë.
Së pari, BE-ja do të duhet të pajtohet për një kuadër negocues për bisedimet, që kërkon një vendim tjetër unanim. Udhëheqësit thanë se do të ndërmarrin këtë hap sapo Ukraina të përmbushë kërkesat e jashtëzakonshme që lidhen me demokracinë dhe sundimin e ligjit.
Kryeministri hungarez tha të premten se Hungaria mund ta bllokojë këtë proces më vonë. “Nëse është e nevojshme do ta frenojmë dhe vendimi përfundimtar do të merret nga parlamenti hungarez”, tha ai.
(Zëri i Amerikës)