Bruksel, 31 gusht 2022 – Bashkimi Evropian ka vendosur të pezullojë tërësisht marrëveshjen e lehtësimit të vizave Schengen me Rusinë e arritur në vitin 2007. Lajmi u konfirmua në Pragë nga shefi për politikën e jashtme të BE-së, Josep Borell pas një takimi jo formal të ministrave të jashtëm të bllokut evropian. Vendimi u morë pas debateve mes vendeve anëtare, disa prej të cilave kërkonin ndalimin e plotë të vizave Schengen për banorët rusë. Gjermania, Franca dhe Belgjika megjithatë këmbëngulën në pezullimin vetëm të marrëveshjes që lehtëson marrjen e vizave për rusët duke thënë se ndalimi i plotë ndëshkon rusët, që mund ta kundërshtojnë luftën në Ukrainë, ose duan të hyjnë në Evropë për qëllime humanitare.
Bashkimi Evropian vendosi të anulojë marrëveshjen e vitit 2007 me Rusinë përmes së cilës shtetasit rusë kishin procedura të lehtësuara për marrjen e vizave Schengen.
“Marrëveshja e viti 2007 që lehtësonte marrjen e vizave Schengen u anulua. Kjo do të thotë se tani do të jetë shumë më e vështirë të marrin viza Schengen, por nuk e bën të pamundur marrjen e vizës”, tha zoti Borell në konferencën me gazetarë në Pragë.
Zoti Borrell tha se kishte pasur një rritje të konsiderueshme të kalimeve kufitare nga Rusia në shtetet fqinje që nga mesi i korrikut.
“Ky është bërë një rrezik sigurie për këto shtete fqinje. Përveç kësaj, ne kemi parë shumë rusë që udhëtonin për t’u çlodhur dhe për të bërë pazar, sikur të mos kishte luftë në Ukrainë”, tha zoti Borell.
Diplomatët thanë se ministrat e BE-së nuk ranë dakord për një ndalim të plotë të vizave për rusët pasi vendet anëtare ishin të ndara për këtë çështje. Polonia, vendet baltike – Estonia, Letonia dhe Lituania, si dhe vende të tjera të Evropës veriore kërkuan një ndalim më të gjerë të turistëve rusë.
“Ne jemi duke komunikuar me vendet e BE-së në rajonin tonë dhe mendoj se është kompetenca jonë kombëtare në bazë të parimit të sigurisë kombëtare të vendosim për çështjet e hyrjes në tokën tonë”, tha zoti Reinsalu.
Me kalimin e viteve, disa vende kanë rikthyer kontrollet kufitare për arsye sigurie në zonën Shengen.
Ministri i Jashtëm i Finlandës, vend që ndan kufirin më të gjatë të BE-së me Rusinë, nënvizoi se vendi i tij, që nga e enjtja, do të ulë ndjeshëm numrin e vizave që u jepen qytetarëve rusë, në vetëm 10% të numrit të zakonshëm të vizave.
“Finlanda nga 1 shtatori do të kufizojë dhënien e vizave për turistët rusë dhe ne jemi këtu duke propozuar që një veprim i ngjashëm duhet të ndërmerret nga i gjithë Bashkimi Evropian. Mendojmë se është e rëndësishme që ta bëjmë këtë në kohën kur ukrainasit po vuajnë. Turizmi nuk duhet të vazhdojë normalisht, duhet të ketë kufizime me vizat turistike”, tha kryediplomati finlandez, Pekka Haavisto.
Qëndrim të ngjajshëm mban edhe homologu i tij nga Danimarka, Jeppe Kofold.
“Duhet të ketë pasoja në të gjitha frontet, prandaj ne duam të kufizojmë vizat për turistët rusë, t’i dërgojmë një sinjal të qartë Putinit, Rusisë, se ajo që ai po bën në Ukrainë është krejtësisht e papranueshme”, tha zoti Kofold.
Por, vendet evropiane larg kufijve të Rusisë dhe Ukrainës hezitojnë të shkojnë shumë larg rreth çështjes së vizave.
“Ne kemi parë në muajt e fundit, kjo është përvoja edhe në Gjermani, që numri i vizave gjithsesi ka rënë. Por, ne kemi parë gjithashtu që ka pasur momente kur u kemi dhënë viza njerëzve që me guxim kanë vendosur të largohen nga Rusia, nëpërmjet vizës Shengen. Kemi parë, për shembull, gazetarë që duan të raportojnë nga Bashkimi Evropian ose, studentë që largohen. Dhe unë do të doja që kjo mundësi për ta të vazhdojë”, tha kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock.
(Zëri i Amerikës)