BE hap kufijtë për të vaksinuarit, e miraton certifikatën dixhitale

Bruksel, 10 qershor 2021 – Parlamenti Europian e miratoi të mërkurën “Green Pass”, certifikatën dixhitale, që do të lehtësojë udhëtimet brenda unionit, duke kontribuar në rimëkëmbjen ekonomike.

Efektet do të nisin duke filluar nga data 1 korrik, çfarë do të thotë se duke nisur nga muaji tjetër të gjithë të vaksinuarit, pra personat që kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-Covid, mund të udhëtojnë lirisht brenda unionit.

Certifikata e pajisur me një kod identifikues do të lëshohet falas nga autoritetet kombëtare dhe do të jetë në dispozicion në formatin dixhital ose letër. Ky dokument që do të shërbejë për të vërtetuar injektimin e të dyja dozaveve të vaksinës do të jetë i vlefshëm për 9 muaj. Por mundësia e lëvizjes nuk do të jetë vetëm për të vaksinuarit, por edhe për ata që e kanë kaluar koronavirusin.

Kështu do të jenë tri certifikata që do të lëshohen. E para do të jetë për të vaksinuarit, tjetra për ata të cilët janë rikuperuar nga infeksioni, si edhe një tjetër për ata që kryejnë testin dhe rezultojnë negativë.

Gjatë seancës së djeshme, eurodeputetët miratuan një marrëveshje që përcakton se shtetet e BE-së nuk do të mund të vendosin kufizime të mëtejshme udhëtimi për mbajtësit e certifikatave, si karantina, vetizolimi ose testimi, përveç nëse ato janë të nevojshme dhe proporcionale për të mbrojtur shëndetin publik.

Kujtojmë që, disa ditë më parë, Komisioni Europian u propozoi të gjitha vendeve anëtare të BE-së që gradualisht të lehtësojnë masat e udhëtimit gjatë verës.

Referuar KE-së, njerëzit plotësisht të vaksinuar duhet të përjashtohen nga testimi ose karantina kur udhëtojnë nga një vend i BE-së në një tjetër. Për të tjerët, pra për vendet joanëtare të BE-së, Komisioni Europian ka propozuar që masat të zbatohen varësisht se nga cila zonë arrijnë në BE.

(Panorama. com.al)