Prishtinë, 7 shkurt 2022 – Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe komuna e Prizrenit do të vazhdojnë bashkëpunimin për realizimin e disa projekteve kapitale në këtë komunë.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog, pas takimit me kryetarin e komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka treguar se BE-ja ka dhënë 2 milionë euro për studimin e fizibilitetit për ngrohjen qendrore të qytetit.
“Ne i kemi investuar 2 milionë euro në studimin e fizibilitetit për se si mund të ofrohet ngrohja qendrore në Prizren dhe presim rezultatet dhe vendimin e radhës se si të zbatohen rekomandimet e studimit”, ka thënë ai.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka thënë se po punohet seriozisht për ndërtimin e ngrohtores së qytetit
“Po shqyrtojmë mundësinë që këtë projekt ta implementojmë në Prizren që do të ishte një avantazh shumë i madh për qytetarët e komunës së Prizrenit”, ka thënë Totaj.
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog ka thënë gjithashtu se BE-ja do t’i vazhdojë investimet në fushën e arsimit, rinisë dhe trashëgimisë kulturore. me përqendrim në Qendrën Historike të qytetit.
Gjatë qëndrimit në Prizren, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë është takuar edhe me përfaqësuesit e komunitetit hebraik dhe me drejtuesit e një biznesi në Prizren.
(r.m.)