Bruksel, 26 nëntor 2024 – Bashkimi Evropian ka propozuar për herë të parë që t’i godasë kompanitë dhe individët kinezë me ngrirjen e aseteve dhe me regjim vizash, për shkak të bashkëpunimit të tyre me kompanitë ruse, të cilat ndihmojnë përpjekjet e Moskës në pushtimin e Ukrainës, ka mësuar Radio Evropa e Lirë (REL).
Masat e reja, të cilat janë shtruar në një draft të parë nga REL-i, janë pjesë e pakos së 15-të të sanksioneve të propozuara rishtazi nga Brukseli, të cilat synojnë gjithashtu t’i godasin gjashtë kompani në Kinë me ngrirjen e aseteve dhe një shtetas kinez me ndalim vizash.
Derisa BE-ja në të kaluarën ka vendosur sanksione ndaj kompanive kineze si pjesë e përpjekjeve të Brukselit për ta luftuar evazionin, ato masa kishin të bënin me ndalime që ua pamundësonin kompanive të BE-së të bashkëpunonin me ato firma.
Por, propozimi i ri nënkupton se kjo është hera e parë që BE-ja synon t’i fusë në listën e zezë kompanitë apo individët kinezë me ngrirjen e aseteve dhe regjim, vizash për shkak se ato po e ndihmojnë Rusinë të sigurojë mallra për përdorimin civil dhe ushtarak, të cilat mund të përdoren në fushëbetejë.
Nëse aprovohen, këto masa do t’ua ndalojnë individëve të lidhur me ato kompani të futen në BE dhe do t’ua ngrijnë secilës firmë asetet në BE.
Këto sanksione u propozuan pasi Rusia ia ka dalë ta shmangë ndikimin e sanksioneve të fuqishme të BE-së dhe SHBA-së – të cilat kanë për qëllim ta rrënojnë kompleksin ushtarako-industrial të saj – duke i siguruar mallrat jetike, si mikroprocesorë, përmes shteteve të treta mike apo edhe drejtpërdrejt nga to.
Kina, në veçanti, ka luajtur rol vendimtar në forcimin e ekonomisë së Rusisë prej se ajo e nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt më 2022. Zyrtarët perëndimorë kanë thënë se ndihma nga Kina për t’i shmangur sanksionet ka pasur ndikim të madh në mbështetjen e Moskës në fushëbetejë.
Individi i vetëm kinez i propozuar për ndalimin e vizave është një “biznesmen kinez”, i cili e përfaqëson një firmë të angazhuar në Kinë dhe në Hong Kong, thuhet në draftin e dokumentit.
Firma e përfaqësuar nga ai akuzohet se ka “shkelur ndalimet e shmangies së regjimit të masave kufizuese të BE-së të vendosura ndaj Federatës Ruse,” duke përfshirë kompani që janë pjesë e kompleksit ushtarako-industrial të Rusisë.
Dokumenti i propozuar përmban gjithsej 54 njerëz për ndalim vizash dhe 29 entitete për ngrirje të aseteve, shumica e të cilëve janë me bazë në Rusi dhe janë shtetas rusë.
Ndër gjashtë firmat me bazë në Kinë ose Hong Kong, që janë propozuar për ngrirje të aseteve, një prej tyre është në pronësi të një shtetasi rus.
Kjo kompani, thuhet në draftin e dokumentit, “ka qenë furnizuesi më i madh i përbërësve të sanksionuar të mikroelektronikës për kompanitë ruse që nga fillimi i luftës kundër Ukrainës, të cilët përdoren për prodhimin e dronëve Orlan që përdoren nga ushtria ruse në Ukrainë”.
Përveç ngrirjes së aseteve dhe ndalimit të vizave, paketa e re synon të godasë gjithashtu 33 kompani kryesisht me bazë në Rusi që janë nën kufizime eksporti, por përfshin edhe firma me bazë në Kinë, Iran, Tajlandë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Dokumenti rendit gjithashtu 44 subjekte si pjesë e një përpjekjeje për të sanksionuar të ashtuquajturën “flota e errët” e Rusisë, një term që i referohet anijeve të përfshira në operacione të paligjshme për qëllime të shmangies së sanksioneve.
Versioni i draftit të paketës së sanksioneve u nda për herë të parë me vendet e BE-së më 22 nëntor dhe duhet të miratohet nga të gjitha 27 vendet anëtare për të hyrë në fuqi.