Bruksel, 17 gusht 2023 – Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Peter Stano, në konferencë për media të enjten, ka thënë se BE-ja mirëpret zvogëlimin e pranisë së Policisë së Kosovës në objektet e katër komunave në veri të Kosovës. Por, Stano ka thënë se duhen marrë hapa tjerë për ta shtensionuar situatën në veri të Kosovës.
“Këta janë hapa të rëndësishëm në drejtimin e duhur, por nevojiten hapa të tjerë. Sikurse çdo gjë në dialog, afatet kohore nuk janë në dorë tonë. Afatet kohore varen nga aftësia e palëve për të përmbushur kërkesat e nevojshme, kriteret apo zotimet. Në mënyrë që të zbutet kriza aktuale, e kemi thënë shumë shpesh, zgjedhjet e parakohshme duhet të mbahen sa më shpejt që të jetë e mundur në të gjitha katër komunat. Ato duhet të organizohen në mënyrë gjithëpërfishirëse. Kjo nënkupton pjesëmarrjen e plotë dhe të pakushtëzuar të serbëve të Kosovës”, ka thënë Stano.
Ai ka thënë se është me rëndësi të ndërmerren hapat të tjerë për shtensionimin ee gjendjees dhe palët të kthehen në dialog e të përqendrohen në Marrëveshjën e Brukselit dhe në Aneksin për zbatimin e saj, të miaruar në Ohër.
“Për Bashkimin Evropian, si ndërmjetësues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, është shumë e rëndësishme që ky proces të rinisë, në mënyrë që palët të mund të trajtojnë çështje të rëndësishme. Dhe çështjet më të rëndësishme janë Marrëveshja e Ohrit dhe Aneksi i saj”, ka thënë ai.
Stano ka thënë se BE-ja dhe shtetet anëtare kanë bërë të qarta kërkesat për shtensionimin e situatës në veri, qysh në qershor. Ai ka thënë se Kosovës i ishte kërkuar “të mos sillet në mënyrë përshkallëzuese”.
Stano ka thënë se ka një urgjencë që të shtensionohet situata dhe palët të kthehen në dialog. Ai ka thënë se kjo është për të mirën e qytetarëve të Kosovës dhe Serbisë dhe jo “për të kënaqur Brukselin apo BE-në”.
“Palët duhet të fillojnë të punojnë si duhet në normalizim, të ecin para në agjendën evropiane, pasi nëse nuk ka progres në dialog, s’ka progres edhe në rrugën evropiane. BE-ja ee ka theksuar këtë në disa raste”, ka thënë Stano.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë kërkuar nga Kosova që të shtensionojë situatën, duke tërhequr policinë dhe që kryetarët të mos punojnë nga ndërtesat komunale. Nga Serbia është kërkuar që të inkurajojë serbët që të marrin pjesë në zgjedhjet e reja.
Si pasojë e mospërmbushjes së kërkesave, BE-ja po zbaton disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës, të cilat ka thënë se do t’i heqë kur Prishtina t’i plotësojë kërkesat e Brukselit.
(r.m.)